Opozita gati të dështojë reformën zgjedhore, vë kusht rrëzimin e qeverisë, Kuvendi lë jashtë kalendarit draftin e ri

0
407

Reforma zgjedhore rrezikon të dështojë sërish. Ndonëse puna nis gati një vit para, ditët e fundit po rriten shanset që në zgjedhjet vendore të 30 qershorit të shkohet me Kodin Zgjedhor aktual. Në Kuvendin e Shqipërisë ka shkuar drafti i ri i dakordësuar mes palëve politike, por që reforma zgjedhore të miratohet duket shumë e vështirë. Kjo për faktin se Parlamenti i Shqipërisë ka miratuar të hënën në seancën plenare kalendarin tre javor të punimeve, ndërsa bie në sy fakti se deri në datën 8 shkurt drafti i reformës zgjedhore nuk është në axhendë për t’u votuar. Kujtojmë që drafti i ri i reformës zgjedhore i dakordësuar mes palëve politike është depozituar prej disa ditësh në Kuvend, ndërsa të hënën Kuvendi, me 79 vota pro, vendosi shtyrjen e afatit të punimeve të Komisionit të Posaçëm të Reformës Zgjedhore me një muaj. Megjithatë, reforma zgjedhore pritet të dështojë edhe për disa arsye të tjera. Teksa në kalendarin e punimeve të Kuvendit që i bie data 8 shkurt, reforma nuk është pjesë e axhendës, nga ana tjetër është ligji që të kushtëzon, pasi nuk mund të bëhen ndryshime në Kodin Zgjedhor gjashtë muaj para datës së përcaktuar për zgjedhje. Ndërsa arsyeja tjetër është vetoja e opozitës, e cila ka vënë një sërë kushtesh për mazhorancën qeverisëse, përpara se të miratojë reformën zgjedhore.

Reforma zgjedhore, opozita kushte mazhorancës

Mazhoranca dhe opozita duket se nuk po e gjejnë gjuhën e përbashkët, për të dhënë konsensus për reformën zgjedhore. Edhe pse jemi 5 muaj larg zhvillimit të zgjedhjeve vendore, por edhe pas paralajmërimeve të njëpasnjëshme të ambasadorit të BE në Tiranë, Luigi Soreca, i cili ka kërkuar që forcat politike të miratojnë Kodin e ri Zgjedhor, sërish partitë kryesore qëndrojnë në mendime të kundërta. Për të dhënë më shumë detaje rreth kësaj situate, ditën e djeshme kanë reaguar përfaqësues të mazhorancës dhe opozitës. Nga Partia Socialiste ka reaguar nënkryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Vasilika Hysi, ndërsa nga Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim, kanë reaguar deputetja Klajda Gjosha dhe kreu i grupit të PD, Edmond Spaho. Fillimisht, ka qenë deputetja Hysi, e cila gjatë një prononcimi u shpreh se mazhoranca vijon që t’i shtrijë dorën pakicës që të ulen në diskutime për reformën zgjedhore. “Nuk diskutohet që reformat duhet të vazhdojnë. Kjo është ftesa që po i bëj opozitës, sepse janë reforma që kërkojnë 84 vota”, deklaroi ditën e djeshme deputetja socialiste, Vasilika Hysi ndër të tjera në fjalën e saj. Por opozita kërkon një qeveri të përkohshme si garanci për zgjedhjet. Këtë ide e ka artikuluar ditën e djeshme kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Edmond Spaho, i cili gjatë një prononcimi për mediat deklaroi se kushti i opozitës është rrëzimi i qeverisë “Rama 3”. “Të kemi një qeveri tranzitore, objektivi i të cilës të jetë të përgatisë zgjedhje të lira dhe të ndershme. Me Ramën nuk ka zgjedhje të lira dhe të ndershme”, deklaroi ditën e djeshme kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Edmond Spaho. Ndërsa në të njëjtën linjë me Spahon, dje u rreshtua edhe deputetja e LSI, Klajda Gjosha. Gjatë një prononcimi për mediat, Gjosha deklaroi se zgjedhjet e parakohshme janë domosdoshmëri. “Të kemi një qeveri tranzitore, objektivi i të cilës të jetë të përgatisë zgjedhje të lira dhe të ndershme. Me Ramën nuk ka zgjedhje të lira dhe të ndershme”, deklaroi ditën e djeshme deputetja e LSI, Klajda Gjosha.

Rigels Seliman

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here