Mirela Kumbaro u shkarkua nga si ministre pas afro gjashtë vitesh në krye të Ministrisë së Kulturës. Gjatë këtyre viteve ajo u përball me akuzat e artistëve për problemet që shoqëruan artin dhe kulturën. Por i habitshëm është për artistët dhe deklarimi i bërë nga ministrja Elva Margariti, ku sipas tyre nuk mund të vijohet si më parë. Në profilin e Ministrisë së Kulturës në Facebook shkruhet mes të tjerave se ministrja e re Elva Margariti vlerësoi punën e Kumbaros dhe theksoi se sfida e saj e vetme në krye të ministrisë është të arrijë të mbajë të njëjtin ritëm si paraardhësja. “Shikoj sot një detyrë shumë të madhe që më është ngarkuar dhe ndiej mbi të gjitha nder, nder se më është besuar një ministri me buxhet të vogël, por me përgjegjësi të madhe. Punët e mira bëhen me ekip. Unë besoj se së bashku do të ndërtojmë vazhdimësinë e një pune, që ju e keni nisur, që Mirela e ka nisur dhe e ka çuar përpara me shumë përkushtim e me shumë rezultate. Kjo për mua është e vetmja sfidë, të arrijmë të mbajmë të njëjtin ritëm”, tha Margariti, bën me dije ministria. Por për artistët Kumbaro nuk mund të përmendet për rezultate. Artisti i njohur i cirkut “Mjeshtër i Madh” Pavli Sallata tregon se posti në atë ministri nuk duhet parë si ndërrim numrash, por ministrja re duhet të ketë platformën e saj. “Mos të shikohet si ndërrim numrash, që ikën njëri dhe vjen tjetri. Po ajo strategji, mendësi, po ajo punë. Por jo, ministrja re duhet të ketë platformën e saj për disa ndryshime të mundshme brenda asaj që përmban posti dhe të vijë me një plan më ndryshe se sa Kumbaro. Duhet të ketë një platformë për të riparuar ato vërejtje që ne kemi bërë gjatë mandatit të Kumbaros”, shprehet mjeshtri Sallata. Në reagimin e tij mjeshtri i njohur i cirkut vijon se Kumbaro nuk u shkarkua kot, dhe si ministre e Kulturës Margariti duhet të tregojë planet e punës së saj. “Ministrja Margariti duhet ta çojë më përpara ritmin e Kumbaros, sepse ritmi i punës së saj ka vërejtje nga artistët. Patjetër që ministrja e re e Kulturës duhet të ketë mendësi tjetër, një platformë ristrukturimi dhe rregullimit të gjërave, këtë presupozon ndërrimi i ministrave. Ne ende nuk kemi status artisti, buxhete nuk ka, ligji i pensioneve mbeti pa u bërë. Ku është ritmi i Kumbaros këtu, madje ka qenë shumë mbrapa. Nuk u hoq kot Kumbaro, kanë çaluar gjërat. Nëse ajo do të vijojë si Kumbaro, atëherë çfarë do të ndryshosh ti si ministre e re?”, vijon mjeshtri Pavli Sallata.
Kumbaro nuk bëri për artin
Aktorja Merita Smaja shprehet se është normale që artistët kërkojnë ndryshimin nga politikat e mëparshme, por Kumbaro nuk bëri për teatrin. “Kumbaro u shkarkua dhe nuk u vlerësua nga artistët. Kështu që nuk mundet të vijohet po me rrugën e saj. U zëvendësua që të sjelli diçka më të mirë dhe jo që të qëndrojë në atë stad. Jo vetëm në Tiranë, por të gjithë artistët kanë kërkuar më shumë mbështetje. Është më se normale që artistët kërkojnë ndryshimin dhe për më mirë. Artistët kanë pasur shumë vërejtje ndaj punës që ka bërë Kumbaro. Sa i përket teatrit është marrë shumë pak vetëm në mënyrë të sipërfaqshme”, tregon aktorja në lidhje me deklarimet e ministres së re. Kompozitori Hiag Zacharian shprehet se artistët janë në pritje të ndryshimeve për më mirë. “Nëse duhet të mbajë ritmin e asaj që ishte atëherë pse duhet të ikte Kumbaro? Ministrja e re duhet të ecë përpara dhe kjo ka kuptim. Ne shpresojmë që të përmirësohen gjërat në art dhe kulturë”, shprehet kompozitori. Për një tjetër kompozitor Endri Sina, duhet të mendohet për të rritur fondet e artit. “Ne duam fond për krijimtarinë e re në të gjitha zhanret, në muzikë, arte pamore dhe teatër”, pohon Sina. Pas afro 6 vitesh në krye të Ministrisë së Kulturës Kumbaro ka kaluar detyrën tek ministrja e re, Elva Margariti. Por dhe tek artistët e rinj deklarimet e bëra kanë pasur vëmendje. Piktorja Ila Selo shprehet se ministrja Margariti duhet të jetë krah tyre dhe jo të ndjekë Kumbaron. “Uroj të jetë veç një e shprehur në çaste emocionesh. Se nëse është e vërtetë do e kemi problem. Jo se problemet e artit mbaruan nga heqja e Kumbaros, por shpresonim mos të ishte ministrja e re një rrugëtare e hapave të saja. Mendoj se ministrja e re duhet të jetë krah mbrojtës i artistëve siç e tha edhe vetë të jetë një ekip”, pohon piktorja Selo. Edhe pse ka pak ditë në krye të Ministrisë së Kulturës duket që artistët përballë problemeve presin që ndryshimet të jenë të dukshme dhe të ndikojnë në përmirësimin e jetës artistike.
Nga Julia Vrapi


































