Gjermani-Francë rinovojnë traktatin e miqësisë, hapi i parë drejt Ushtrisë së BE

0
449

Dje herët, në qytetin kufitar gjerman të Aachen, president i francez Emmanuel Macron dhe kancelaria gjermane Anela Merkel nënshkruan traktatin 16-faqësh të miqësisë dhe bashkëpunimit, si një zgjerim i traktatit të Elysee në vitin 1963 që vulosi afrimin e dy vendeve pas Luftës II Botërore. Kësaj here ai ishte guri themeltar i formimit të Ushtrisë së Bashkimit Evropian. Këtë e pohoi kancelarja Merkel në fjalimin e saj, ku e quajti aktin “përforcim të themelit të bashkëpunimit” mes vendeve. “Shtatëdhjetekatër vjet, një jetë e tërë njerëzore që prej fundit të Luftës së Dytë Botërore. Por mbi atë që është plotësisht e qartë tani po hidhen dyshime. Prandaj ka nevojë për një përkushtim të ri të përgjegjësisë sonë ndaj Bashkimit Evropian”, tha Merkel. Kritikët e quajtën zhvillimin një tentativë për të armatosur BE nën kontrollin e Francës e Gjermansië, por Macron dënoi ata që sipas tij “përhapin gënjeshtra” mbi traktatin. “Ata që e harrojnë vlerën e riafrimit të Francës e Gjermanisë, e bëjnë veten bashkëfajtorë të krimeve të së kaluarës. Ata që përhapin gënjeshtra po lëndojnë të njëjtit njerëz që pretendojnë se mbrojnë duke u përpjekur të përsërisin historinë”, tha presidenti Macron në mbështetje të kancelares.

Forcimi i aksit franko-gjerman

Traktati ka qenë objekt kritikash të shumta në BE prej frikave të fuqizimit të aksit franko-gjerman në drejtimin e bllokut. Teksa Merkel mirëpriste Macron në bashkinë e Aachen, zona ishte mbushur me protestues të veshur me jelekë të verdhë, si ato të protestës masive anti-Macron në Francë. Alexander Gauland, kreu i grupit të opozitës radikale gjermane Alternativa për Gjermaninë, tha: “Presidenti francez Macron nuk mban dot rregull në vendin e vet. Protestat mbarëkombëtare në Francë nuk kanë të ndalur, prandaj është e papërshtatshme që ky president në dështim të vijë për të prezantuar vizionet e tij mbi të ardhmen e Gjermanisë. BE është shumë e përçarë momentalisht  dhe një marrëdhënie e veçantë franko-gjermane do të na distanconte më shumë nga evropianët e tjerë”, tha Gauland. Në tone të njëjta foli dhe liderja radikale opozitare në Francë, Marine Le Pen, e cila akuzoi Macron për një akt që është shumë pranë tradhtisë. “Emmanuel Macron po shet vendin dhe po shkatërron sovranitetin tonë”, tha Le Pen në një intervistë, mbi vendimin e kreut të ri centrist për thellimin e traktatit të rikëshillimit mes Parisit e Berlinit të nënshkruar fillimisht në 1963. Traktati nxit gjithashtu Francën të punojë që Gjermania të bëhet anëtare e përhershme e Këshillit të Sigurimit të OKB. “Kjo është një katastrofë, është shumë serioze”, tha Le Pen për pikën e fundit.

Traktati sikletos presidentin amerikan

Macron dhe Merkel kanë qenë iniciatorët e parë të ushtrisë evropiane, që do të jetë pjesë e aleancës më të gjerë të  NATOs. Presidenti amerikan Donald Trump vitin e kaluar me ironi për idenë duke komentuar: ‘Ka qenë vetëm Gjermania në Luftën e Parë Botërore, në të Dytën, ku ishte Franca?” Traktati i Aachen kërkon të forcojë bashkëpunimin në kufirin 290-milje mes dy vendeve dhe gjithashtu koordinimin për çështjet ndërkombëtare si ndryshimet klimatike dhe terrorizmi. Parisi ka këmbëngulur rregullisht për rinovimin e paktit që kur ai u nënshkrua dekada më parë, duke e kërkuar këtë pavarësisht faktit që në rrjedhën e viteve janë shtuar një sërë amendamentesh. Traktati fillestar mori me firmat e Presidentit francez Charles de Gaulle dhe kancelarit gjerman Konrad Adenauer, duke vulosur kështu pajtimin e dy armiqve të mëdhenj. Thelbi i tij nuk do të ndryshojë as tani, por do të ketë shtesa e përmirësime që synojnë përçimin e një mesazhi politik, avancimin e bashkëpunimit franko-gjerman dhe përgatitjen e terrenit për reformimin e BE-së. 

Andi Lamko

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here