CIA ka dhënë detaje nga përplasjet që kanë ndodhur mes ushtrisë komuniste dhe agjentëve të saj. Përmes një dokumenti të deklasifikuar tregohet lufta që ka ndodhur në kufi. Po ashtu jepen detaje dhe për mënyrën sesi ishin blinduar kufijtë e Shqipërisë nga regjimi.
Nëntor 1953
Më poshtë kemi informacionet e inteligjencës së mbledhur nga grupi FIGTREE në misionin e tij të fundit. Jemi të ndërgjegjshëm që informacionet pozitive nga ky grup janë të pakta, por kjo vjen nga fakti që grupi ka ndjekur instruksionet dhe kanë shkatërruar shënimet e tyre kur kanë rënë në grackën e autoriteteve. Ky mesazh do të ndiqet nga dy të tjerë me informacione operacionale dhe historinë e depërtimit të tyre, rënien në grackën e komunistëve dhe shpëtimin prej saj. Grupi ka vërejtur sa më poshtë: Në lartësitë mbi Boboshticë janë gërmuar hendeqe të reja. Hendeqet vijnë në formë zig-zag dhe zgjaten rreth 500 metra përballë kufirit grek. Ato janë 1.75 metra të thella dhe 80 cm të gjera. Në këto hendeqe grupi ka vërejtur rreth 10 pika mitralozash të ndërtuara mbi drurë e shkëmbinj. Grupi thotë se çdo pozicion mund të mbajë 5-6 njerëz. Postet përshtaten mirë me ambientin dhe janë të vështira për t’u dalluar. Në mes të pozicioneve ka një shtyllë rreth 3 metra të lartë me një copëz të vogël që e kryqëzon në lartësi. Megjithëse nuk dallohen tela, shtyllat besohet se janë për linja telefonike. Më 10 shtator u vërejt një grup ushtarësh në Gjonomath, të cilët kishin ndërtuar rreth 20 tenda. Sipas burimeve tendat mund të mbanin 5-6 persona secila. Kur grupi u rikthye në këtë zonë në 19 tetor, aty nuk kishte më as tenda e as ushtarë. Komandanti i divizionit të ushtrisë së Korçës i njohur si divizioni i 3-të, është kolonel Skënder Malindi. Për të qartësuar këtë informacion duhet të themi se herë pas here autoritetet ndryshojnë numrin e divizioneve për të “ngatërruar agjentët”.
Organizimi ushtarak
Me anë të kontakteve me Niaz Rapushin, rreshter në divizionin e 7-të në Gjirokastër, i liruar në mars 1953, grupi mësoi informacionet e mëposhtme: kolonel Vaskë Gjini është komandant i divizionit, komisar Veso Ismaili. Në kohën e shkarkimit të Rapushit divizioni drejtohej nga kapiten Teki Luarasi, që besohet se është nacionalist i madh. Divizioni përdor karabina ruse kalibër 7.62, automatikë TB, mitraloz “Maxim”, pushkë ruse me dylbi “Sinabere” dhe mortajë ruse kalibër 87 mm. Siç është përmendur më herët, Rapushi ishte prezent kur grupi Olive Team ra në grackën e komunistëve, për të cilën ai tha së më poshtë: Grupi iu rrethua në Kopaçe nga Sigurimi, policia dhe civilë të armatosur. Sigurimi njoftoi regjimentin e 18 për prezencën e “reaksionarëve” dhe kërkoi ndihmën e tyre. Beteja zgjati rreth 5 orë. Pas avancimit nga forcat e Sigurimit në pozicionet e grupit, u gjetën të vdekur Riza Avazi dhe Fido Veliu që kishin vrarë veten, ndërsa Kasem Shehu ishte i plagosur. Mehmet Hoxha ishte gjithashtu i plagosur, por jo në pozicion me tre të tjerët. Sipas burimeve, Hoxha deklaroi se ishin kapur kur ishin mbaruar municionet dhe kur ishte bërë e qartë se po mundeshin ai ishte drejtuar për nga kufiri. Hoxha u gjet larg pozicionit të luftimit, teksa kishte humbur ndjenjat nga humbja e gjakut. Burimi deklaroi me tej se ka qenë prezent kur pilot i forcave ajrore greke uli avionin e tij në një lëndinë pranë Delvinës vitin e kaluar. Kur u mor në pyetje piloti deklaroi se po bënte manovra rreth zonës së Kifisia dhe ditën e tretë ishte arratisur pasi autoritetet greke kishin marrë njoftim për aktivitetet e tij komuniste. Piloti tha më tej se kishte dhe miq të tjerë komunistë në fushë (ky informacion i ka kaluar autoriteteve greke të cilat po hetojnë incidentin). Informacioni i mëposhtëm është përftuar nga Sefer bektashi nga Tresova: Më 1 tetor 22 kamionë hynë në Zvarisht dhe besohet se shkarkuan municione. Më 7 tetor Ali Lalai, kapiten Mahmet Refgati dhe oficerë të tjerë bënë një inspektim në Tresovë dhe Zvarisht. Në fillim të verës u njoftua se një këshilltar rus do të vendosej në çdo divizion. Më 5 tetor një oficerësh shqiptarë u kthyen nga Rusia ku kishin marrë trajnime speciale Grupi FIG Team tha se Viet Agolli nga Moçani i kishte informuar se djali i tij Muslim Agolli i kishte thënë se ishin marrë shumë informacione nga Italia mbi aktivitetet e grupeve tona në Shqipëri.
Burgjet në Korçë
Burgu i madh i Korcës quhet “Burgu i armiqve të popullit”. Ai ndodhet në prefekturën e re dhe ka rreth 650 të burgosur që ruhen nga rreth 50 policë. Drejtori i burgut është Bektash Melçani, që besohet se është nacionalist. Melçani nganjëherë ka lejuar radiot e huaja të dëgjohen nga të burgosurit. I dyti në komandë është Qerim Gjergjejeviç. Burimi thotë se kur në qiell dëgjohen zhurma avionësh masat e sigurisë rriten nga frika e shpërthimit të trazirave.
Burgu i qytetit
Informacioni i vetëm mbi këtë burg është se mban njerëz të dënuar me 5 vjet ose më pak, të cilët nuk kanë paguar taksat apo detyrimet ndaj shtetit. Nuk dimë të ketë të burgosur politikë këtu.
E ardhmja e vendit
Çështja e regjimit të ardhshëm në Shqipëri, në rast të përmbysjes së qeverisë aktuale të kontrolluar nga Moska, është gjithashtu në mendjen e Titos. Nëse kjo qeveri do të ishte në pushtet në rast të nisjes së një lufte të përgjithshme, forcat greke e jugosllave do ta sulmonin menjëherë. Ato do të kishin sukses, por mund të ndodhin konflikte me dy “çliruesve”, përveç rastit kur ato të kenë mbyllur një marrëveshje paraprakisht për kursin e tyre, mundësisht me miratimin e forcave aleate. Aktualisht nuk kemi diçka të tillë. Pro problemi mund të mos jetë pritja deri në nisjen e konfliktit. Qeveria Hoxha mund të përmbyset nga brenda, me ose pa ndihmë të jashtme. Komiteti i Prizrenit i sponsorizuar nga Jugosllavia sigurisht është i orientuar drejt formimit të një qeverie të re “komuniste kombëtare” në Shqipëri. Ndërsa Komiteti Shqipëria e Lirë kërkon vendosjen e një qeverie të mbështetur nga SHBA, ku të përfshihen elementë të ndryshëm, përfshi dhe mbështetës të ish-mbretit Zog. Deri tani asnjë nga grupet nuk kanë rënë në marrëveshje ndërsa mundësitë e konfliktit mes tyre javën të qarta, dhe kjo mund të ndikojë dhe në qëndrimin jugosllav për çështjen e Triestes. Në këtë situatë SHBA mund të veprojë për dy gjëra: të tentojë largimin e dyshimeve greke e jugosllave se po punon në bashkëpunim me Italinë dhe interesat e saj në Adriatik, dhe e dyta të qetësojë qeverinë jugosllave duke bërë të qartë se nuk ka vendosur për tipin e qeverisë që do të vendoset në Tiranë, pasi kjo pritet të vendoset nga populli. Në lidhje me këtë të gjitha palët duhet të punojnë për parimin e zgjedhjes së lirë. Për objektivin e parë, sugjerohet që qeveria jonë të qartësojë me Romën nëse qeveria italiane ka pretendime në Shqipëri, për të cilën përgjigja e de Gasparit do të ishte sigurisht “jo”. Kjo përgjigje mund të mos bëhet kurrë publikisht. Qeveria jugosllave ka thënë shpesh se dëshiron pavarësinë dhe integritetin e Shqipërisë, ndërsa Greqia ka deklaruar se nuk do të tentojë kurrë ndryshimin e kufijve përveç mjeteve paqësore (me arbitrazh ose me Gjykatën Botërore, e qartësuar për mua nga kryeministri Papagos). Një përmendje e këtyre deklaratave mund të përfshihet në deklaratën e qeverisë sonë për Shqipërinë.
E ardhmja e satelitëve sovjetikë
Për Marshallin Tito, testi kryesor i sinqeritetit të sovjetikëve do të jetë qëndrimi i tyre ndaj shteteve të pushtuara. Tito beson se një nga objektivat e Moskës është izolimi i Jugosllavisë me shpresën për ta detyruar të rikthehet në bllokun komunist. Tito beson se nuk mund të ketë marrëdhënie me sovjetikët për sa kohë që ata dominojnë dhe shfrytëzojnë vendet satelite. Pikërisht për t’iu shpëtuar këtij dominimi Jugosllavia u nda nga blloku sovjetik, prandaj nuk do të rrezikonte përsëri nënshtrimin ndaj presionit. Kur ky presion mbi Jugosllavinë të dështojë (siç Tito pretendon se do të ndodhë) BRSS do të tentojë ta bëjë Jugosllavinë të paguajë për pjesëmarrjen në paktin mes BRSS dhe Perëndimit. Ai sigurisht do të ketë në mendje dhe vazhdimin e ndihmës ekonomike të SHBA në këto kushte, megjithëse ka bashkëpunuar me Perëndimin në të kaluarën dhe vazhdon ta bëjë. Kur unë i thashë Titos se duhet të pranonim cilindo regjim që popujt e Evropës Lindore zgjidhnin vetë, ai pyeti nëse SHBA është e aftë apo jo të vendosë një regjim të tillë realist, dhe nëse këto pohime do të favorizonin regjime të tipit perëndimor. Unë i kujtova atij se megjithëse amerikanët nuk favorizojnë komunizmin qeveria e SHBA është e gatshme të bashkëpunojë me Jugosllavinë thjesht prej pavarësisë së saj nga Moska dhe faktit që nuk është një vegël e imperializmit sovjetik dhe frymës së bashkëpunimit që ka treguar drejt demokracive Perëndimore. Kjo, i thashë, duhet marrë si mendësia jonë realiste për të ardhmen. Për ta bërë sa më konkret diskutimin unë sugjerova të marrim në konsideratë rastin e Shqipërisë. Personalisht unë thashë se nuk kisha kundërshtime ndaj një regjimi të ri “nacionalist komunist” në Shqipëri, që të jetë i pavarur nga sovjetikët dhe bashkëpunues me Perëndimin. A do të pranonte ai formimin e një qeverie të tipit parlamentare perëndimore? Ai tha “Po” dhe unë thashë se në këtë rast ky ishte terreni i përbashkët ky dy qeveritë tona të nisin bashkëpunimin e tyre. Por në fakt a e kemi vendosur ne që të shkëpusim satelitët nga Rusia apo që të vendosim paraprakisht tipin e qeverisë së tyre? Forcat më të forta antisovjetike që veprojnë në Evropën Lindore janë nacionalizimi dhe dashuria për lirinë. Prandaj ne duhet t’i bëjmë këto forca aleate tona duke folur për pak për “çlirim” i cili nënkupton veprimin tonë dhe përfshin rrezikun e luftës, dhe në fakt të flasim më shumë për vendosmërinë për të siguruar që popujt e dominuar nga sovjetikët të kenë të drejtën e tyre për të zgjedhur regjimin e ardhshëm. Aleatët tanë në Evropën Perëndimore do të çlirohen nga ky ndryshim i fokusit, edhe pse i vogël, dhe kjo do të shtonte mbështetjen e tyre marrjen e garancive reciproke në lidhje me kursin e veprimit në Shqipëri, më vonë në Bullgari dhe vende të tjera fqinje satelite. Politikat tona për këtë rajon duhet të fokusohen te arritja e këtyre garancive.