Ambasadori i Bashkimit Europian Luigi Soreca ja u ka bërë dje të qartë autoriteteve shqiptare se nuk mund të ketë hapje negociatash pa luftuar korrupsionin. Gjatë një fjalimi të mbajtur në kuadër të marrjes së presidencës së këshillit të BE nga Rumania, ambasadori deklaroi se Shqipëria ka ende shumë punë për të bërë. Soreca tha se gjashtë muajt e fundit ka pasur operacione inkurajuese në zbatim të ligjit, duke shtuar se këto operacione do të vazhdojnë me dënime përfundimtare dhe ndjekje penale.
Ambasadori i BE u shpreh se shtetet anëtare presin nga Shqipëria goditjen kundër korrupsionit dhe krimin e organizuar. “Ajo që shtetet anëtare presin nga Shqipëria u tha qartë qershorin e kaluar: të konsolidojë progresin në përparësitë kyçe dhe veçanërisht të japë rezultate të prekshme dhe konkrete në luftën kundër korrupsionit dhe në luftën kundër krimit të organizuar. Ka pasur operacione shumë inkurajuese të zbatimit të ligjit gjatë muajve të fundit, të cilat jo vetëm që duhet të vazhdojnë, por edhe të ndiqen nga një historik i qëndrueshëm ndjekjesh penale dhe dënimesh përfundimtare”, tha Soreca. Ambasadori i BE u shpreh se reforma në drejtësi, e cila është e bazuar në vetingun e gjykatësve dhe prokurorëve, po funksionon dhe është e pakthyeshme. Ai tha se kohët e fundit reforma në drejtësi ka bërë hapa para, duke shtuar se kjo i hap rrugën emërimeve të gjyqtarëve në Gjykatën e Lartë por gjithashtu edhe ngritjen e organeve të reja të drejtësisë, SPAK dhe BKH. “Kohët e fundit kemi parë progres shumë të rëndësishëm në lidhje me reformën në drejtësi, me piketën e ngritjes së institucioneve të reja. Kjo shtron udhën për emërimin e gjyqtarëve në Gjykatën e Lartë, si dhe për ngritjen e SPAK-ut dhe BKH-së. Por ajo çka nënkupton thellësisht është se reforma e drejtësisë, bazuar në veting, po funksionon dhe është e pakthyeshme”, tha Soreca.


































