Është përshkallëzuar protesta para parlamentit grek në Athinë, ku mijëra protestues janë mbledhur sot për të kundërshtuar marrëveshjen e Prespës për emrin e Maqedonisë.
Një grup njerëzish të maskuar kanë sulmuar policinë me objekte të forta dhe me tymuese
Mediat greke bëjnë me dije se si pasojë janë plagosur 15 persona, ndër të cilët 10 policë dhe një fëmijë.
Mësohet se një protestues ka qëlluar më thikë në kokë një personi tjetër, ndërkohë që të plagosurit janë dërguar në spitale.
Protestuesit kanë kërkuar fillimisht që të ngjitin shkallët e Parlamentit dhe kjo ka sjellë përplasjen e tyre me forcat e policisë.
Ndërkohë që rreth 150 mijë qytetarë janë ngritur në formë revolte ndaj marrëveshjes së Prespës për emrin e Maqedonisë. Qytetarët nuk janë dakord me arritjen e kësaj marrëveshjeje, duke argumentuar se nuk është marrë mendimi i tyre dhe se shkel kushtetutën dhe sovranitetin kombëtar.
Kjo protestë masive ishte paralajmëruar edhe më parë, ndërkohë që ditën e sotme protestuesit kanë pushtuar sheshin Sintagma.


