KPK hap rrugën për ngritjen e Gjykatës Speciale, futen në veting 13 gjyqtarë të Krimeve të Rënda, ja emrat

0
836

Terreni për ngritjen e Gjykatës së Posaçme kundër Krimit dhe Korrupsionit të Organizuar po bëhet gati. Këshilli i Lartë i Prokurorisë ka hapur garën për anëtarë të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe deri tani kanë shfaqur interes dy prokurorë. Ndërsa Këshilli i Lartë Gjyqësor nga ana tjetër ka miratuar vendimin për hapjen e garës për anëtarë të Gjykatës Speciale, por gara nuk është hapur akoma zyrtarisht. Teksa pritet që KLGJ të shpallë thirrjen për gjyqtarët që të bëhen pjesë e GJKKO, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka vendosur të mos humbë kohë. Pak ditë më parë KPK shortoi disa emra të tjerë që do t’i nënshtrohen procesit të vetingut dhe pjesë e listës janë edhe gjyqtarët e Krimeve të Rënda. Në ligj është e përcaktuar që anëtarët e Krimeve të Rënda kanë të drejtën të parët të aplikojnë në Strukturën e Posaçme Antikorrupsion. Sipas të gjitha gjasave, sapo të hapet gara për Gjykatën Speciale, gjyqtarët e Krimeve të Rënda do të jenë ata që do të shfaqin interes të parët të jenë pjesë e kësaj strukture për të hetuar dhe luftuar korrupsionin në nivele të larta. Një gjë e tillë po ndodh edhe me Prokurorinë e Posaçme, ku kandidatët e parë që kanë aplikuar janë nga Prokuroria e Krimeve të Rënda. Me qëllim që pas hapjes së garës nga Këshilli i Lartë Gjyqësor për GJKKO të mos ketë asnjë pengesë për ngritjen e kësaj të fundit sa më parë, KPK po fut në veting gjyqtarët e Krimeve të Rënda.

Emrat

Midis listës me 36 emra të shortuar nga KPK, 13 janë anëtarë të Krimeve të Rënda. Mes emrave mund të përmendim gjyqtarin Ardit Mustafaj, i cili ka qenë pjesë e trupës gjykuese që ka shqyrtuar dosjen e Shkëlqim Mirit. Ai po ashtu është kërcënuar me jetë më datë 9 shtator 2012, duke i hedhur një letër poshtë apartamentit. Lista vijon më tej me gjyqtaren Etleva Deda, e cila ka qenë kryetare e Gjykatës për Krimet e Rënda; Flora Hajredinaj; Fran Prendi, i cili u emërua në postin e gjyqtarit në vitin 2016 me vendim të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, etj.. Po ashtu, pjesë e listës është edhe gjyqtarja Iliriana Olldashi. Olldashi njihet si gjyqtarja që në vitin 2016 firmosin vendimin për të arrestuar Klement Balilin. Në listë bie në sy edhe emri i gjyqtares Liljana Baku, e cila i bllokoi pasaportën ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri dhe ka gjykuar dosjen “Xibraka”. Edhe gjyqtari i Krimeve të Rënda, Luan Hasneziri bën pjesë tek lista e shortuar nga KPK. Kujtojmë që Hasneziri nuk ka qenë pro reformës në drejtësi kur diskutohej për këtë të fundit. Ai ka qenë kundër krijimit të një komisioni të posaçëm për verifikimin e pasurisë dhe aftësisë profesionale. Midis emrave është edhe ai i gjyqtares Marsela Balili, e cila u rikthye në detyrë me vendim të KLD në vitin 2017 pas 6 vitesh pezullim sepse prokuroria kishte nisur një procedim penal ndaj saj dhe bashkëshortit të saj për akuzën e korrupsionit. Emër i njohur që është pjesë e listës së shortuar nga KPK është edhe ai i Daniela Shirkës. Gjyqtarja Shirka vendosi sekuestrimin e aksioneve në një bankë në Tiranë të bashkëshortes së Alfred Pezës, ndërsa një tjetër çështje që ka gjykuar është edhe ajo e ballafaqimit mes Emiljano Shullazit dhe biznesmenit Ylvi Beqaj. Të 13 këta gjyqtarë të Krimeve të Rënda kanë të drejtën të aplikojnë të parët për në Gjykatën Speciale sapo të hapet gara, ndërsa Komisioni i Pavarur i Kualifikimit është vënë në lëvizje që të mos ketë asnjë vonesë me procesin e vetingut për ta. 

Mimoza Ibra

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here