Problemet me pasurinë dhe kontaktet e papërshtatshme me persona të përfshirë në krimin e organizuar janë dy pikat që çuan kryegjyqtarin e Pukës, Izet Kadana drejt shkarkimit nga detyra. Ai doli para trupës gjykuese për të dhënë llogari pak ditë më parë, ndërsa Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka zbardhur vendimin e plotë për shkarkimin. Si fillim në vendim trajtohet kriteri i pasurisë, ku në përfundim trupa gjykuese ka konstatuar se Kadana ka deklarime të pasakta. “Në përfundim të hetimit administrativ, lidhur me rivlerësimin e pasurisë, për subjektin e rivlerësimit, z. Izet Kadana, ka rezultuar se: Ka deklarime të pasakta lidhur me burimin e të ardhurave për dhënien e dy huave; Ka mungesë të burimeve të ligjshme financiare për të justifikuar likuiditetin në shumën prej 1.186.981 lekësh; Subjekti ndodhet në situatën e konfliktit të interesit”, thuhet në vendim. Aty janë zbardhur edhe lidhjet e Izet Kadanës me krimin e organizuar si edhe faktin që kryetari i Gjykatës së Pukës vihej lehtësisht nën presion. Sipas KPK, Kadana kishte lidhje të ngushta me vëllanë dhe nipin e tij, të cilët ishin të inkriminuar. Nipi i Kadanës ishte i akuzuar në Itali për trafikim lëndësh narkotike, ndërsa së bashku me vëllanë e Kadanës ishin akuzuar në Shqipëri për “Pastrim të produkteve të veprës penale”. “Në përfundim, në analizë të të gjitha fakteve dhe rrethanave të sipërpërmendura, Komisioni ka konstatuar se subjekti është në kushtet e kontaktit të papërshtatshëm me një person të përfshire në krimin e organizuar, ashtu si ka konstatuar dhe institucioni kompetent për vlerësimin e figurës, DSIK. Bazuar në prova të sakta (vendim pushimi në ngarkim të R. e Sh. K. për veprën penale të parashikuar nga neni 287 i Kodit Penal) dhe në informacione konfidenciale të administruara gjatë procesit të rivlerësimit, lidhur me vëllanë e subjektit, z. R. K. dhe pesë nipërit e tij, për përfshirjen e tyre në veprimtari të krimit të organizuar, Komisioni çmoi se ka rrethana të tilla që të krijojnë bindjen se subjekti i rivlerësimit, mund të vihet lehtësisht nën presion nga struktura kriminale, ashtu sikurse ka konstatuar DSIK”, sqarohet në vendimin e zbardhur të KPK.