CIA: SHBA kërkonte largimin e komunizmit dhe kthimin e lirisë për shqiptarët, BRSS dhe Kina morën peng vendin

0
719

Amerikanët kanë dhënë detaje mbi qëllimet që ata kishin gjatë operacioneve për rrëzimin e regjimit komunist. CIA e ka theksuar disa herë se qëllimi saj ishte kthimi i lirisë për shqiptarët. Po ashtu tregohet ndikimi i madh rus dhe kinez në vend.

Veprimet diplomatike

Mbështetja që i kemi dhënë Komitetit Kombëtar për Shqipërinë e Lirë, është bërë me supozimin se Shqipëria e pavarur është e rëndësishme për interesat amerikane. Veprimet që neglizhojnë të drejtën e Shqipërisë për pavarësinë, përveç faktorëve moralë dhe vështirësisë së justifikimit para opinionit publik, do t’i jepnin një armë të fuqishme propagande qeverisë sovjetike dhe kukullave të saj në qeverinë shqiptare. Por gjithsesi mund të jetë e nevojshme pranimi i disa masave të kombeve fqinje për ndërhyrje të armatosur në rast të nisjes së luftimeve në Ballkan. Qeveria e SHBA beson se vazhdimi i përpjekjeve diplomatike dhe rrugëve të tjera duhet të kenë si qëllim një Shqipëri të pavarur dhe miqësore me Perëndimin, por në të njëjtën kohë duhet të jemi vigjilentë për ruajtjen e politikave dhe interesave amerikane në rajon dhe ruajtjen e marrëdhënieve të mira me Italinë, Greqinë e Jugosllavinë. Besohet se qëllimi i dëshiruar është kalimi nga një Shqipëri e dominuar nga sovjetikët drejt një vendi të lirë e të padominuar nga vendet fqinje, që do të ketë mbështetjen e përgjithshme të Perëndimit. Masat që do të merren në këtë drejtim duhet të koordinohen mes qeverive amerikane e britanike, dhe sipas rastit edhe të qeverive të tjera perëndimore.

Nxitja e konflikteve të brendshme

Siç është konceptuar prej fillimit, projekti për Shqipërinë ka një objektiv minimal, nxitjen e konfliktit të brendshëm në Shqipëri, me qëllim reduktimin e aftësisë së saj për mbështetjen e grupeve guerile në Greqi, dhe objektiv maksimal përmbysjen e regjimit Hoxha. Aktualisht kemi një koordinim të ngushtë të politikave me britanikët, por jo angazhim operacional. Që prej aprovimit të projektit, kanë ndodhur dy ndryshime madhore të situatës ndërkombëtare: ndalimi i luftës guerile në Greqi dhe përkeqësimi i marrëdhënieve mes Titos dhe vendeve sovjetike. Rritja e presionit të Kremlinit ndaj Titos ka sjellë ndryshime në politikat e SHBA, e cila dëshiron që të ruajë regjimin e Titos si një bllok pengues i influencës sovjetike në rajon. Ndryshimet e fundit kanë sjellë zhvendosje edhe në kushtet bazë të projektit dhe rishikim të objektivave të tij. Kështu, më 6 shtator 1949, Departamenti i Shtetit dhe Ministria e Jashtme britanike vendosën se objektivi maksimal i përmbysjes së regjimit në Shqipëri, duhej braktisur për momentin.

Qendër propagande nga Greqia

Përveç stabilimentit thuajse të hapur të propagandës së përmendur më sipër, OPC ka krijuar dhe një qendër propagande në Greqi për përgatitjen e propagandës së “zezë” dhe “gri” për Shqipërinë dhe Bullgarinë. Kjo qendër aktualisht ka në dispozicion edhe dy transmetues radio me valë të shkurtra, të lëvizshëm që pritet të nisin transmetimet në shtator. Përveç këtyre, një transmetues me valë të mesme është instaluar në një mjet detar që lundron në detin Jon ose Adriatik, që përdoret për transmetime propagande në Shqipëri. Anija është me bazë në Greqi dhe e aftë të operojë për periudha prej dy javësh, përpara se të kthehet në bazë për furnizime. Transmetimet nga kjo anije pritet të nisin në fund të vjeshtës, mundësisht në 15 nëntor. Si një shtesë ndaj transmetuesve të anijes dhe dy transmetuesve të lëvizshëm po nisin prokurimet edhe për një transmetues tjetër me valë të mesme prej 50 kiloëat, që do të ketë një fuqi më të madhe se aparaturat e përmendura më sipër.

3 maj 1949

Tetor 1960

Tronditjet politike në Shqipëri

Fraksionet politike në Partinë Komuniste Shqiptare që u bënë të dukshme në 9 shtator me njoftimin për largimin e Liri Belishovës në plenumin e komitetit qendror, duket se është përkeqësuar nga diferencat në lidhje me mbështetjen e Shqipërisë ndaj Pekinit në debatin me Bashkimin Sovjetik. Provat e kohëve të fundit sugjerojnë se Belishova, e cila kishte qenë një nga figurat kryesore të hartimit të linjës politike të partisë dhe renditej e pesta në hierarkinë politike, kishte qenë në favor të qëndrimit pro-sovjetik. Që prej largimi të saj pushteti shqiptar ka mbajtur një linjë më të qartë pro-kineze, siç u pa dhe në fjalimin e kreut të partisë Hoxha më 1 tetor, përvjetori i festës kineze të çlirimit, si dhe nga sjellja e zëvendës-kryeministrit Këllezi gjatë udhëtimit prej tre javësh në Kinë. Në turneun e tij në zonat rurale të Kinës, Këllezi u paraqit në emër të shoqatës së miqësisë Shqipëri-Kinë dhe këmbeu premtime mbështetjeje me zyrtarët kinezë. Ai theksoi qëndrimin e përbashkët të dy vendeve në mbrojtje të linjës së pastër marksiste-leniniste. Me gjithë raportime të vjetra për rivalitet mes liderit të partisë Hoxha dhe kryeministrit Shehu, ata nuk duket se kanë diferenca sa i përket qëndrimeve kineze e sovjetike. Kryeministri Shehu i cili zotëron ngritjen e tij prej kontrollit të ashpër mbi policinë, ka mbrojtur gjithmonë linjat radikale politike, është anti-jugosllav dhe mbron qëndrimin kinez. Udhëheqësi i partisë Hoxha, i cili e ka drejtuar atë pa ndërprerje prej vitit 1943, ka mbajtur në përgjithësi qëndrime disi më pak ekstreme se Shehu, por ka qenë në krye të nxitjes anti-jugosllave të drejtuar nga Koçi Xoxe, i cili u pastrua në vitin 1948. Hoxha besohet se nuk ka gjasa për ta vendosur partinë në një pozicion pro-sovjetik nëse do të dëshironte. Pas fjalimit të tij të fundit pro-kinez diçka e tillë nuk pritet të ndodhë. Ndërkohë, përveç refuzimeve personale dhe diplomatike ndaj zyrtarëve shqiptarë në Nju Jork nga zyrtarët e bllokut sovjetik, Polonia i ka thënë ambasadorit shqiptar Musin Kroi, të mos kthehet më në Varshavë. Këto verime reflektojnë konfliktet që janë krijuar mes shqiptarëve, rusëve dhe satelitëve të tyre. Gjithsesi dëshira e udhëheqjes shqiptare për të mbajtur gjithsesi kongresin e partisë në dhjetor pas një muaj shtyrje, tregon Hoxha beson se do të rivendosë qëndrimin ideologjik e politik të partisë, pa ndryshime të konsiderueshme.

Prill 1962

Megjithëse Bashkimi Sovjetik ka zbutur disi qëndrimin armiqësor ndaj Kinës, ai përsëri refuzon të anashkalojë aleatin e saj të vogël por të zellshëm, Shqipërinë. Kjo e fundit nuk është ftuar të marrë pjesë në Kongresin e Kozmopol. Në kongres delegati sovjetik nisi një sulm verbal ndaj Tiranës të cilit i bënë jehonë dhe pjesëmarrës të tjerë evropiano-lindorë të eventit. Ndërsa delegati kinez i kongresit nguli këmbë se Shqipëria mbetet anëtare e plotë e kampit socialist. Delegatët e Vietnamit të Veriut dhe i Koresë së Veriut zgjodhën të mos komentojnë mbi çështjen. Marrëdhëniet shtetërore shqiptaro-sovjetike janë tashmë thuajse zero, ndërsa lidhjet e Shqipërisë me Kinën komuniste po lulëzojnë. Një delegacion i shoqërisë së miqësisë ushtarake me Kinën, gjeneral Spiro Moisiu, u kthye më 18 prill nga një turne katër javor në Kinë. Ndërsa një ditë më vonë në Shqipëri mbërriti një delegacioni kinez i kryesuar nga zv. Ministri i komunikimeve Sun Ta Kuang, për të marrë pjesë në takimin e parë administrativ të kompanisë së përbashkët shqiptaro-kineze të transportit CHALSHIP. Më 5 prill radio-Tirana njoftoi se kompania, e cila është formuar në fund të dhjetorit për të lehtësuar tregtinë shqiptaro-kineze, kishte hapur zyrën e saj në Durrës.

1951-1952

Memorandum

Përshkrim i projektit dhe zhvillimeve të tij në Shqipëri

Objektivi i projektit OBHUNT është infiltrimi i agjentëve në Shqipëri me qëllim krijimin e rrjeteve të rezistencës, bazave të sigurta dhe inteligjencës operative. Komiteti Kombëtar i Shqipërisë së Lirë po reklamohet si sponsor i këtyre operacioneve dhe objektivi final i tyre është krijimi i një bërthame force sulmuese dhe drejtuese për popullatën, kundër regjimit aktual në kohën e duhur. Një nga asetet kryesore të projektit është grupi prej 25 shqiptarësh të stërvitur që mbahen në Athinë, por me vlerë konsiderohen dhe elementë të tjerë në Kampin grek të Lavrionit, të cilët përbëjnë material premtues me anë të refugjatëve që vijnë aty nga Shqipëria herë pas here. Një tjetër aset, me më pak vlerë është Kompania shqiptare e Gardës në Honenbrun në Gjermani, me rreth 4000 anëtarë, ato mund të përdoren nga CIA në rast nevoje për një forcë të armatosur, për veprim aktiv kundër regjimit komunist.

Rivaliteti mes amerikanëve dhe britanikëve

Në diskutimet tona të ardhshme me britanikët në lidhje me Shqipërinë duhet të ngrihen disa pika që ndikojnë në pranimin ose jo të propozimeve të britanikëve. Një prej tyre është fakti se operacioni ynë BGFiend është shumë më i madh dhe më kompleks sesa operacioni britanik Valuable dhe gjatë viteve të fundit operacionet tona kanë qenë shumë më të suksesshëm se ato britanike, duke dhënë shumicën e inteligjencës dhe duke shtuar prestigjin amerikan në rrethet shqiptare anti-komuniste. Ka disa sinjalizime se britanikët duket disi të pakënaqur nga arritjet tona në Shqipëri, pasi shqetësohet se ne mund të fitojmë një pozitë më të favorizuar influence si brenda vendit ashtu edhe në rrethet e emigracionit.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here