Komisioni i Pavarur i Kualifikimit zbardhi ditën e djeshme vendimin e plotë për ish-gjyqtarin e Gjykatës së Apelit Tiranë, Fatos Qato. Qato doli para trupës gjykuese para pak kohësh, por nuk e kaloi me sukses këtë test. Trupa e KPK vendosi ta shkarkojë nga detyra për shkak të problemeve të konstatuara me pasurinë e tij, ndërsa në vendimin e zbardhur jepen më në detaje gjetjet e komisionerëve. Ajo që bie në sy është fakti se Qato ka deklaruar se prindërit e bashkëshortes i kanë dhuruar një kënd divani në vlerën 5 mijë euro. “Në lidhje me shumën e dhënë nga prindërit e bashkëshortes, në vlerën 5.000 euro, subjekti gjatë hetimit administrativ, nuk depozitoi dokumentacion për të provuar dhënien e këtyre shumave si dhe të provonte burimin e ligjshëm të të ardhurave të krijuara nga prindërit e bashkëshortes”, thuhet në vendim. Po ashtu, një tjetër pikë që ka penalizuar Fatos Qaton është fakti se ai nuk ka deklaruar shpenzimet që ka kryer për fëmijët e tij jashtë vendit. “Nuk ka deklaruar saktë dhe në mënyrë konsistente pagesën e këstit të katërt mbi çmimin e blerjes së apartamentit, me sipërfaqe 141 m², si dhe vlerëson se: shpjegimet e tij për justifikimin e pagesave për këstet, nuk janë bindëse, pasi subjekti nuk ka përllogaritur/përfshirë shpenzimet jetike të familjes në bashkëjetesë me prindërit e bashkëshortes; subjekti është në pamundësi financiare, që me të ardhurat e realizuara sipas pretendimeve të tij, të paguajë këstet për blerjen e apartamentit, dhe të përballojë shpenzimet e jetesës të familjes me disa antarë. Nuk ka deklaruar në deklaratat periodike shpenzimet e arredimit, kurimit të tij shëndetësor, shkollimit të fëmijëve. Mosdeklarimi i shpenzimeve në deklaratat periodike të pasurisë, ka ardhur si pasojë e mungesës së të ardhurave të ligjshme ndër vite dhe për rrjedhojë edhe deklarimi i të ardhurave në deklaratën vetting, nuk është i saktë”, sqaroi KPK në vendim. Fatos Qato gjithashtu ka patur mungesë të burimeve financiare ndër vite për të justifikuar blerjen e pasurisë, tokë arë, për blerjen e automjetit, tip “Volsëagen Polo” dhe blerjen e automjetit, tip “Renault”.












































