Lëvizja Socialiste për Integrim duket se është partia më e shqetësuar në vend kohët e fundit. Dje kryetarja Monika Kryemadhi u bëri thirrje qytetarëve në vend të ngrihen në revolucion kundër qeverisë, pasi Rama po i zhyt në varfëri. Deklarata e saj erdhi një ditë pasi deklaroi në një studio televizive se ajo ndihet e kërcënuar dhe për këtë arsye fëmijët i ka çuar në Londër për tu arsimuar. Por si qëndron e vërteta? Nëse shohim deklarimet ndër vite të pasurisë të zonjës Kryemadhi, e sidomos ato të vitit 2017, rezulton se kryetarja e LSI dhe presidenti Meta shpenzojnë 140 mijë paund ose 160 mijë euro për të shkolluar fëmijët në Londër. Por teksa Kryemadhi përlotet nëpër studio televizionesh dhe flet për kërcënime, në fakt të tre fëmijët e saj po i arsimon jashtë vendit. Ndërkohë, Kryemadhi dje, por edhe ditët e mëparshme, u ka bërë thirrje studentëve që të marrin në dorë fatet e vendit. Por teksa nga njëra anë fëmijët i arsimon në Londër, nga ana tjetër flet për cilësinë e arsimit dhe nivelin e varfërisë në vend.
Kryemadhi thirrje për protestë
Absurdi qëndron te fakti se Kryemadhi je u ka bërë thirrje studentëve të varfër dhe qytetarëve që të ngrihen në revolta, pasi qeveria po i zhyt në varfëri dhe po shkatërron arsimin. Pra revoltat kërkohen nga liderë politikë, të cilët nuk vuajnë as varfërinë dhe as mjerimin arsimor. Kryetarja e LSI tha se duhet të protestojnë në të gjitha mënyrat kundra një shteti që nuk të mbron dhe as të siguron. “Detyra juaj është që nuk ka më kohë për të pritur. Të ngrihen Ëar-room-et, siç i quajmë zakonisht në fushata elektorale. Bëhuni gati për zgjedhje të përgjithshme, për zgjedhje lokale, për revolucion, për revolta, për protesta. Sot nuk ka më asnjë sekondë për të pritur. Sot kush ka dëshirë që të ketë një jetë të garantuar për fëmijën e tij. Kush ka dëshirë që të ketë një punë të paguar, kush ka dëshirë që biznesi i tij të mos falimentojë. Kush ka dëshirë që të ketë një shëndetësi të barabartë për të gjithë. Kush ka dëshirë që të ketë fëmijë të arsimuar, shkollë, infrastrukturë, që të ketë çdo gjë, që të ketë një shtet që ti garantojë dhe një shtet që ti mbrojë, nuk ka më kohë të presë. Por të dalë në rrugë, të protestojë dhe të protestojë në të gjitha mënyrat”, tha ajo. Sipas Kryemadhit, largimi i kryeministrit Rama do të rikthej në atdhe mijëra emigrantë. Ajo tha se qeveria favorizon oligarkët, duke u ngritur taksat bizneseve, gjë që kanë sjellë falimentimin e tyre. “Largimi i Edi Ramës do të thotë që të kthejmë 400 mijë shqiptarët të cilët kanë ikur nga Shqipëria. Rrëzimi dhe largimi i Edi Ramës do të thotë që të ulim taksat, të cilat u janë ngritur shqiptarëve gjatë gjithë kësaj kohe. Rrëzimi dhe largimi i Edi Ramës do të thotë që të kemi një shëndetësi falas. Të rrëzosh dhe të largosh Edi Ramën do të thotë që të plotësosh kërkesat e studentëve. Të rrëzosh dhe të largosh Edi Ramën do të thotë të konsolidosh ekonominë shqiptare. Pra do të thotë që bizneset të cilat po mbyllen dhe po falimentojnë çdo ditë për shkak të politikave diskriminuese dhe për shkak të politikave që favorizojnë oligarkët. Të rrëzosh dhe të largosh këtë kryeministër do të thotë që të krijosh shanse dhe mundësi të barabarta për të gjithë shqiptarët”, u shpreh Kryemadhi./Elisjeda KIKO