Nis zbatimi i projektit të asistencës për sektorin hidrokarbur nga pala amerikane për autoritetet shqiptare. Agjencia Kombëtare e Burimeve të Natyrës ka zhvilluar këto ditë takime teknike me përfaqësuesit e Zyrës së Programeve të Energjisë së Departamentit Amerikan të Shtetit dhe Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës bashkë me ekspertë të kompanisë audituese të përfshirë në projekt. Programi i asistencës teknike do të fokusohet në tre shtylla kryesore: Organizimi i raundeve të licensimit për kërkimin dhe prodhimin e naftës dhe gazit; Mbikqyrje teknike në sektorin hidrokarbur; Trajnimet teknike. Një ndër objektivat kyç të këtij programi është që Deloitte Financial Advisory Services LLP të asistojë AKBN, në përgatitjen dhe ndjekjen e praktikave ndërkombëtare të tenderimit me qëllim që AKBN të zhvillojë një praktikë tenderuese transparente dhe konkuruese në sektorin e naftës dhe gazit, për tërheqjen e investitorëve në përputhje me legjislacionin shqiptar dhe praktikat ndërkombëtare. Kjo vjen në një kohë kur janë një seri blloqesh në det dhe në tokë që do të nxirren për interes kërkim-zbulimi për investitorët e interesuar. Gjithashtu, Deloitte Financial Advisory Services LLP do të sigurojë mbështetje teknike për të krijuar kapacitetet e nevojshme për specialistët e AKBN-së, në monitorimin e programeve të kërkimit, asetet prodhuese dhe krijimin e një procesi, i cili do të sigurojë menaxhimin dhe zhvillimin e duhur të aseteve hidrokarbure. Programi i asistencës do të përfshijë po ashtu edhe bashkëpunimin midis specialistëve të AKBN dhe specialistëve ndërkombëtarë të Deloitte Financial Advisory Services LLP, për mbledhjen, organizimin dhe interpretimin e të dhënave, për të siguruar praktikat e duhura për menaxhiminin e rezervuarëve dhe maksimizuar nxjerrjen e hidrokarbureve.
Trajnimet
Në funksion të maksimizimit të rezultateve të pritshme nga ky program, Deloitte Financial Advisory Services LLP, do të organizojë trajnime për specialistët e AKBN-së, me qëllim prezantimin dhe njohjen me praktikat ndërkombëtare në metodologjinë e vlerësimit të rezervave të naftës dhe gazit, analizimin e të dhënave gjeologjike dhe gjeofizike dhe modelimin e tyre me tematikë, “Pasigurinë e Riskut dhe Vlerësimin e Rezervave dhe Burimeve”. Kapacitetet njerëzore janë një nga ngërçet që po has së fundmi Agjencia Kombëtare e Burimeve të Natyrës duke qenë se brezi i vjetër i specialisteve janë afër moshës së daljes në pension duke ushtruar kështu presion për punonjës të rinj që duhet të kenë njohuritë e duhura mbi fushën. AKBN e konsideron këtë bashkëpunim si një ndër më të rëndësishmit që do t’i shtrijë efektet e tij pozitive jo vetëm në sektorin hidrokarbur në veçanti, por edhe në ekonominë e vendit, në tërësi.
Hidrokarburet në Shqipëri
Sektori i naftës ka qenë historikisht sektor me rëndësi strategjike dhe kontribues i rëndësishëm në zhvillimin ekonomik të vendit. Kërkimi i naftës në Shqipëri daton në vitin1918. Që prej asaj kohe, u zbuluan disa fusha naftë-mbajtëse në zona tokësore e detare dhe u zhvillua industria e përpunimit me cikël të plotë të naftës gjatë viteve 1970-1980. Vendburimet e naftës në Shqipëri shtrihen në pjesën perëndimore dhe jugperëndimore të vendit. Ato janë kryesisht në dy struktura: vendburime ranore dhe vendburime gëlqerore. Aktualisht këto vendburime kanë rezerva të konsiderueshme, megjithatë shfrytëzimi i plotë i tyre kërkon metoda më të avancuara të nxjerrjes së naftës. Sipas studimeve të kryera nga shoqëritë e huaja dhe Albpetrol për periudhën 1985 – 1990, rezervat e naftës në vendburimet ekzistuese në Shqipëri ishin në total rreth 437.6 milionë ton, ndërsa rezervat e rikuperueshme të vlerësuara me metodat e zbatuara në ato vite ishin 81 milionë ton. Rezervat gjeologjike në strukturat ranore përbënin pjesën kryesore, me rreth 77.4% të rezervave të përgjithshme, megjithatë për shkak të vështirësive në nxjerrje, rikuperimi i tyre vlerësohej në masën 13%. Rezervat gjeologjike nga strukturat gëlqerore kishin rikuperim, që varion prej 24% deri në 53%. Bazuar në të njëjtat studime, rezervat e njohura të gazit natyror në Shqipëri janë vlerësuar në 18,164 milionë Nm3 dhe gjenden kryesisht në zonat e Kuçovës dhe Patosit.