Google search engine
Home Aktualitet Rama-Basha tjetër goditje LSI, partia e presidentit mbetet jashtë KQZ, PD nis...

Rama-Basha tjetër goditje LSI, partia e presidentit mbetet jashtë KQZ, PD nis diskutimet për plotësimin e vakancave

0
339

Partia Demokratike dhe Partia Socialiste janë gati t’i japin një tjetër goditje fatale partisë së Ilir Metës, LSI. Pak kohë më parë u ndez debati për Komisionin Qendror të Zgjedhjeve sepse katër anëtarëve iu mbaroi mandati. Mandati iu përfundoi Vera Shtjefnit dhe Hysen Osmanit, të propozuar nga Partia Demokratike si parti opozitare, Bledar Skënderit i zgjedhur nga PS e Gëzim Veleshnjës i propozuar nga LSI në vitin 2015. Mazhoranca vendosi që të propozonte dy anëtarë në KQZ sepse një prej tyre e kishte ndarë me LSI në kohën kur kjo e fundit ishte në bashkëqeverisje me të. Pra, PS propozoi zëvendësuesin e Bledar Skënderit dhe të Gëzim Veleshnjës. Në këtë pikë, LSI mbeti në dorë të PD. Partia e Bashës duhet të vendoste nëse një nga dy propozimet e saj do ia jepte LSI. Fillimisht PD nuk pranoi të propozonte anëtarë, por sipas burimeve të gazetës, kjo parti ditët në vijim, kur të nisë edhe sesioni i ri parlamentar, do të nisë procedurat me Kuvendin për të plotësuar vendet vakante. Gazeta kontaktoi me përfaqësues të demokratëve, të cilët bënë me dije se është ngritur një grup pune i cili po punon për të bërë të mundur zëvendësimin e anëtarëve në KQZ që u ka mbaruar mandati. Por nga ana tjetër, gazeta arriti të mësojë se Partia Demokratike ka vendosur që të dyja propozimet të jenë nga radhët e demokratëve, duke lënë kështu në baltë aleaten e saj në opozitë, LSI. Në këtë mënyrë, PD-LSI po nxjerrin jashtë loje Lëvizjen Socialiste për Integrim sepse kjo forcë politike mbetet pa asnjë anëtar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Një skenar që u përfol pak kohë më parë që edhe LSI të ketë përfaqësuesin e saj në këtë organ ishte edhe shkarkimi i kryetarit të KQZ, Klement Zguri. Por sipas informacioneve, ky opsion bie poshtë sepse Klement Zguri do të vijojë të qëndrojë në detyrë. Në këtë mënyrë pritet që LSI të ngelet e papërfaqësuar në KQZ dhe ky organ të shndërrohet në bipolar.

Goditje LSI

Kjo goditje që pritet t’i jepet partisë së Monika Kryemadhit vjen në një kohë kur KQZ ka nisur nga puna për zgjedhjet vendore në qershor dhe reforma zgjedhore e dakordësuar mes PS dhe PD është drejt miratimit. Në draftin e reformës zgjedhore që ka mbërritur në Kuvend parashikohen një sërë risish, midis të cilave i është lënë detyrë KQZ që të krijojë armatën e komisionerëve zgjedhorë. Këta të fundit do të jenë persona me arsim të lartë dhe të padënuar, por dhe persona që janë pjesë e shërbimit civil. Këta persona do bëhen pjesë e grupeve të numërimit, të votimit dhe të administrimit zgjedhor me vendim të KQZ. Por në një kohë kur Komisioni Qendror i Zgjedhjeve sipas të gjitha gjasave do të përbëhet vetëm nga anëtarët e PD dhe PS, atëherë do të jenë përfaqësuesit e këtyre dy forcave që do të vendosin për armatën e komisionerëve zgjedhorë. Pra, LSI rrezikon të humbasë terren edhe në këtë pikë duke marrë goditje në disa drejtime.

Përbërja momentale e KQZ

Momentalisht, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve përbëhet nga 5 anëtarë, ndërsa duhet të ketë shtatë të tillë bashkë me kryetarin. Sapo KQZ shprehu shqetësimin për 4 anëtarët të cilëve u mbaronte mandati, PS u vu në lëvizje për të zëvendësuar dy përfaqësuesit e saj. Ndërsa nga radhët e opozitës refuzuan ta bënin diçka të tillë pasi gjatë asaj kohe PD-LSI kishin bojkotuar Parlamentin dhe sipas tyre, më parë duhej rikthyer Parlamenti në ligjshmëri e më pas mund të diskutoheshin gjëra të tjera. Pa opozitën, mazhoranca zhvilloi seancë dëgjimore me dy propozimet e saj, Bledar Skënderin, të cilin vendosi ta ripropozojë dhe Rezarta Bitrin. Më pas këta dy emra u votuan në Parlament vetëm me votat e mazhorancës, ndërsa në KQZ mungojnë përfaqësuesit e opozitës. Por mesa duket, kjo gjë mund të ndryshojë në ditët në vijim. 

Mimoza Ibra

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here