Amerikanët kanë dhënë detajet mbi operacionet e CIA në vendin tonë. Sipas një dokumenti të vitit 1952, jepen detaje se si dimri i ashpër q kishte mbërthyer vendin solli vështirësi dhe u izoluan agjentët e dërguar në Veri. Po ashtu u tentua të rekrutohen agjentë në Juglindje.
7 shkurt 1952
Raport i përmuajshëm aktiviteti
Aktivitetet e degës tonë për infiltrimin e agjentëve dhe furnizimet këtë muaj janë penguar nga dimri ballkanas, i cili i ka bërë të papraktikueshme operacionet në Shqipëri. Janë bërë disa tentativa për infiltrim të grupeve me katër agjentë në zonat juglindore të vendit, për të përcaktuar reagimin ndaj lëshimeve të furnizimeve dhe propagandës, të hedhura në dhjetor, por u vendos të shtyhej operacioni deri në thyerjen e motit të ftohtë. Depërtimet ajrore në vend kanë qenë të suksesshme, duke u hedhur nga ajri furnizime dhe 200 000 pamfleta propagande në Tiranë dhe në veri të Shqipërisë më 21 janar. Në frontin politik, Radio Shqipëria e Lirë vazhdon transmetimet e përditshme dhe gazeta “Shqipëria” vazhdon të botohet, por tashmë nga Roma dhe jo nga Nju Jorku. Ndryshimi i vendndodhjes besojmë se ka sjellë cilësi më të mirë dhe një pamje më të freskët nga pikëpamja gazetareske. Brenda në Komitetin Kombëtar, presioni ynë për zgjerimin e bazës politike ka vazhduar.
Informacionet e agjentëve
Kohët e fundit morëm një letër të shkruar me bojë nga grupi ynë i katër agjentëve që operon në Kukës në veri të Shqipërisë. Në letër këshillohet që katër anëtarët e grupit të kalojnë dimrin në Prizren të Jugosllavisë, dhe të kthehen në Shqipëri në pranverë. Ata kërkuan, dhe po u dërgohet ushqim dhe para për të kaluar dimrin në Jugosllavi. Një grup prej tre agjentësh të lëshuar në Shqipërinë qendrore në tetor, nuk kemi asnjë informacion. Në sektorin e luftës psikologjike, kemi vazhduar transmetimet sipas programit të radios klandestine Zëri i Shqipërisë së Lirë, nga stacioni pranë Athinës. Në edicionin e tretë të publikimit të organit të NCFA, shkruhet për zotimin e Jugosllavisë e Greqisë për ruajtjen e integritetit territorial të Shqipërisë, dhe për pranimin në parim të Italisë. Ky lajm mori vëmendje të konsiderueshme në shtypin perëndimor. Letra e NCFA botohet në mënyrë të parregullt në gjuhët angleze, franceze dhe italiane.
Në 21 janar kemi lëshuar një ngarkesë me furnizime dhe propagandë në veri të Shqipërisë, në qytetet e Shkodrës, Kukësit, Burrelit dhe Tiranës. Furnizimet përmbanin 900 kanaçe me ushqime të thjeshta dhe 250 qese me nga 300 gramë miell secila.
Lëshimi i broshurave
Një mision për lëshime fletushkash këtë muaj u kombinua me lëshimin e furnizimeve të propagandës për arsye të kushteve të këqija të motit. 200 000 broshura të palosura dhe 5000 koje të Shqipëria u lëshuan, teksa me përmirësimin e motit do të nisin lëshimet edhe në zonën jugore të vendit. Në zhvillimet politike përmendim, Ishan Toptanin i Komitetit të Shqipërisë së Lirë, i cili mori pjesë në takimin e lëvizjes evropiane të mbledhur me 20 janar në Londër. Lidhja shqiptare e azilantëve politike në Jugosllavi e formuar më 10 maj 1951, raportohet të ketë nisur shpërndarjen e publikimit të ri “Flamuri i Lirisë” e cila në dukje mbështet përpjekjen e shqiptarëve kundër tiranisë së qeverisë Hoxha. Kemi pasur disa raportime për diferenca mes veprimit të oficerëve tanë dhe atyre britanikë, duke sinjalizuar se britanikët mund të jenë duke ndjekur një politikë unilaterale veprimi në lidhje me Komitetin Kombëtar të Shqipërisë së Lirë.
Situata politike në Shqipëri (1952). Duke gjykuar nga raportet e ardhura deri tani, situata politike në Shqipëri mbetet e pandryshuar. Armiqësia mes Mehmet Shehut dhe Enver Hoxhës është aty por nuk ka tregues se mund të ketë një përplasje më të madhe së afërmi. Kongresi i dytë i partisë, i mbajtur në mars 1952, zbuloi dështimet e regjimit komunist. Dy ministra u spastruan për inkompetencë dhe tre të tjerë u transferuan për t’i kushtuar më shumë kohë aktiviteteve të partisë, çka do të thotë një rritje e disiplinës partiake. Kongresi u ndoq më pas nga një spastrim i gjerë i anëtarëve të partisë si rezultat i disiplinës së butë, përvetësimit të fondeve dhe provave të korrupsionit. Kushtet ekonomike. Situata ekonomike ka qenë e dëshpëruar prej muajsh dhe nuk është përmirësuar. Kostot e ushqimeve nuk përballohen nga punonjësit e zakonshëm dhe shumë produkte janë të paarritshme. Në fund të dimrit BRSS u detyrua të ndihmonte me grurë për popullatën. Ata kanë ndihmuar gjithashtu me materiale dhe makineri për ndërtimin e kapaciteteve industriale, por zhvillimet kanë qenë të ngadalta. Por hidrocentrali Lenin dhe radiostacioni Tirana u kompletuan, bashkë me disa linja hekurudhore dhe zhvillime rrugore. Puna vazhdon për tharjen e liqenit të Maliqit. Ka nisur ndërtimi i një hidrocentrali të madh mbi lumin Mat.
Synimet e Jugosllavëve
Raportet e fundit tregojnë se ka një ndryshim në opinionin e Jugosllavisë për Shqipërinë, edhe pse ka ndryshime në qëndrimet e ndryshme të zëdhënësve jugosllavë. Një vit më parë Tito kundërshtoi veprimin ndaj Shqipërisë nga frika e hakmarrjes prej BRSS, që do të akuzonte vendin e tij për konspiracion kundër Shqipërisë. Në të njëjtën kohë, jugosllavët kanë kryer disa operacione agjenture në Shqipëri dhe Tito i është përgjigjur interesimit të ish-mbretit Zog duke thënë nuk ishte i interesuar të bashkëpunojë për përmbysjen e regjimit të Hoxhës “për momentin” dhe nëse përmbysja ndodhte, ai dëshironte të shihte në Shqipëri një sistem të ngjashëm me atë të Jugosllavisë. Megjithëse raportimet e ndryshme ndryshojnë mes tyre, duket se jugosllavët po përshkallëzojnë politikën e tyre agresive ndaj Shqipërisë. Në maj 1952 Tito i tha emisarit të mbretit Zog se Jugosllavia nuk e vriste mendjen nëse Shqipëria bëhej republikë apo monarki, për sa kohë ishte miqësore ndaj Jugosllavisë dhe nga Jugosllavia nuk do të lejohej asnjë agresion mbi Shqipërinë prej frikës së një kundërpërgjigjeje të BRSS. Por Tito tregoi për gatishmëri për diskutimin e planeve të përmbysjes së regjimit të Hoxhës, duke programuar bisedime në Turqi mes përfaqësuesve të Zogut e Titos.
Në disa fshatra operonin grupe ani-komuniste
Ka grupe të vogla rezistencë në shumë fshatra dhe qyteza, me njëfarë aktiviteti. Ato veprojnë në mënyrë të veçuar dhe nuk kanë kontakte jashtë vendit. Një numër kontaktesh kanë shprehur vullnetin për të bashkëpunuar me forcat e jashtme të rezistencës, një prej të cilëve ishte anëtar i Sigurimit. Megjithë mosbesimin e qeverisë ndaj policisë dhe ekzistencën e ndjenjës anti-qeveritare, popullit prej muajit mars u janë dhënë armë, në një raport ¼ me popullsinë. Këto janë për t luftuar kundër agjentëve të infiltruar dhe kapjes së broshurave apo pakove të furnizimeve të lëshuara nga ajri.
Ja situata ekonomike gjatë regjimit
Situata e ushqimit mbetet e rëndë dhe një kilogram bukë kushton 70 lek, ndërsa një punëtor i zakonshëm merr 75-120 lek në ditë. Grupet tona udhëtuese kanë arritur të mbijetojnë pa marrë ushqim nga banorët lokalë dhe kanë arritur me sukses të infiltrohen dhe eksfiltrohen (të hyjnë dhe të dalin ilegalisht nga vendi). Popullata ishte e kënaqur me idenë e lëshimit të ushqimit në emër të NCFA, por besojnë se ato u mbajtën nga anëtarët e partisë dhe asnjë njeri i thjeshtë nuk mundi të mbante pakot e gjetura. Megjithëse qeveria përhapi lajmin se ushqimi ishte i helmuar, nuk ka asnjë provë se kjo është besuar nga populli. Dokumentacioni që mbante me vete grupi ynë nuk u zbulua nga autoritetet që i ndaluan dhe kontrolluan, si dhe nga miqtë me të cilët kontaktuan. Grupi raportoi se ishte e domosdoshme që grupe të ardhshme të pajiseshin me kartëmonedha shqiptare.
Ja si britanikët infiltronin agjentë
Që prej 1 prillit ka pasur grupe që janë infiltruar me sukses në rrugë tokësore në Shqipëri. Gjithashtu një agjent i BGFIEND shoqëroi një grup të infiltruarish britanikë në rrugë detare.
Grupi që u rikthye brenda një periudhe të shkurtër nga veriu i Shqipërisë në Jugosllavi, do të dërgojë raportin e tij mbi të dhënat. Tre anëtarë të një grupi të dytë kanë dalë nga vendi, duke lënë në vend vetëm katër anëtarë. Ata kanë raportuar gjerësisht mbi rrugëtimin e tyre. Një grup i tretë ka qenë në Shqipëri prej dy javësh, por nuk kemi asnjë kontakt me ta që prej infiltrimit.
Operacionet tona të vitit 1952 kanë qenë më të suksesshme se ato të vitit 1951, kryesisht falë superioritetit të kalibrit të agjentëve.
Rezistenca ndaj regjimit aktual
Pakënaqësia mes popullit shqiptar vazhdon të jetë e gjerë dhe në vitet e fundit ka pasur disa raste të rezistencës së hapur ndaj regjimit. Edhe vetë regjimi ka pranuar ekzistencën e elementëve “diversantë” dhe sulmeve ndaj ushtrisë dhe karvaneve civile të furnizimeve. Incidenti më i rëndë i rezistencës ishte bomba në ambasadën sovjetike në shkurt 1951, por vrasjet lokale dhe sabotimet kanë qenë gjithashtu një sfidë për autoritetet komuniste. Deri tani regjimi i Hoxhës ka ditur të përballet me lëvizjet kundërshtare duke zbatuar masa të shumta represive. Për shembull, ministri Shehu ka krijuar disa batalione të veçanta ndjekjeje që operojnë në zonat malore kundër grupeve individuale të rezistencës. Refugjatët anti-komunistë kanë raportuar për ekzistencën e disa grupeve të rezistencës me emra si “Lidhja Kombëtare e Maleve”, “Liria”, “Skënderbeu”, “Thirrja”, por nuk ka informacion specifik mbi to. Nuk duket se ka bashkëpunim mes grupeve të disidentëve megjithë dëshirën e tyre të përbashkët për largimin e regjimit të Hoxhës. Mes grupeve shqiptare në emigracion, më i rëndësishmi duket se është Komiteti Kombëtar për Shqipërinë e Lirë, me selinë evropiane në Romë, i cili përbëhet nga tre grupe: 1) Partia Demokratike Agrare/Balli Kombëtar të cilët kanë më shumë ndjekës në Jug të Shqipërisë, 2) Partia e Legalitetit (pro-Mbretit Zog) e cila është më e fortë në qendër të Shqipërisë, dhe 3) Lidhja e fshatarëve e katundarëve që mbështetet në veri të vendit dhe në provincat jugosllave ku jetojnë shqiptarë. Të gjitha grupet kanë si qëllim krijimin e Shqipërisë së lirë e të pavarur, por kanë dallime mes njëri-tjetrit për llojin e qeverisë së re. Aktivitetet e Komitetit brenda Shqipërisë kanë qenë vetëm shpërndarje propagande dhe disa përpjekje subversive nga agjentët e tij. Operacioni i tyre më efektiv ka qenë lëshimi i fletëve të propagandës, që ka shkaktuar mjaft entuziazëm brenda vendit, dhe ka nxitur nota proteste ndaj zyrtarëve italianë apo dhe largim të njerëzve nga Shqipëria.