Lojtarët e Kombëtares po shfrytëzojnë këtë periudhë të ndërmjetme transferimi dimëror për të mundësuar kalimin në destinacionin e dëshiruar. Por ka dhe mjaft të tjerë që po vuajnë si pasojë e dëmtimeve të paparashikuara, siç ndodhi me mbrojtësin Mërgim Mavraj, i cili kishte vetëm pak ditë tek Ingolshtadi në Bundesligën 2 të Gjermanisë dhe në stërvitjen e së martës theu dorën, duke përfunduar direkt e në sallën e operacionit, një dëmtim që mund ta pengojë atë të kthehet në fushë për shumë javë. Ndërkohë, edhe Eros Grezda ka thyer këmbën dhe nuk dihet sa do të mungojë ekzaktësisht, por shanset janë që ai të kthehet në fushë vetëm në muajin mars. Edhe Ledian Memushaj është i dëmtuar, por më lehtë dhe nuk bëhet fjalë për një dëmtim serioz, thjesht çështje muskulare. Ka plot lojtarë të tjerë që nuk janë në formën e tyre më të mirë, ca prej dëmtimeve e ca prej mosaktivizimit. Të tillë janë Odise Roshi, Amir Abrashi, Sokol Cikalleshi, Armando Sadiku e shumë të tjerë. Pra trajneri Kristian Panuçi ka arsye të shqetësohet. Megjithatë, nëse këto janë dhimbjet e kokës për trajnerin, Kristian Panuçi ka edhe lajme të mira. Amir Abrashi ka lënë pas dëmtimin e rëndë, duke u bashkuar me Freiburgun në fazën përgatitore për të qenë i gatshëm nën urdhrat e trajnerit. Dëmtimin e rëndë e ka lënë pas edhe Armando Sadiku, që rikthehet tek Lugano me shpresën që të rigjejë formën e tij më të mirë, për të qenë vendimtar edhe Kombëtaren Shqiptare në eliminatoret që nisin në muajin mars. Gjithashtu, nuk paraqet probleme gjendja e Rei Manajt, që ka nisur normalisht stërvitjen me një maskë speciale pas dëmtimit të marrë në fytyrë.
Odise Roshi “ngroh” Panuçin, pritet kthimi titullar në mars
Mesfushori me tipare sulmuese, Odise Roshi, po kalon përfundimisht dëmtimin dhe në fillim të mjuajit mars pritet të zbresë në fushë. ky është lajm i mirë për trajnerin Kristian Panuçi. madje ai është grumbulluar me skuadrën e tij Akhmat Grozni dhe pret të aktivizohet në fund të shkurtit. “Prej dy ditësh jam i grumbulluar me skuadrën. Kemi një fazë të gjatë përpara, ndërsa në fund të shkurtit nis kampionati. E nisim pak me vonesë pasi siç dihet temperaturat janë nën minus. Për momentin jam shumë mirë. Dje kam bërë disa teste, të cilat dolën pozitive. Por më duhet edhe pak kohë, besoj 1 muaj që të jem 100%, që të stërvitem me ekipin. Do filloj gradualisht që të futem pak nga pak. Po stërvitem në mënyrë individuale. Po stërvitem edhe me grupin, ato 10-20 minutat e para të stërvitjes, pastaj kaloj individual me trajnerin personal që kam këtu”, tha Roshi për “Ora News”. “Kam folur me trajnerin dhe doktorin, ku më kanë thënë se do të jem gati 100% për rifillimin e kampionatit. Nganjëherë nuk i dihet, varet nga trupi i njeriut. Kur e ndjen futbollisti veten mirë atëherë mund të zbres në fushë. Besoj se para datës 5 do të jem i gatshëm dhe për këtë fakt duhet të jem edhe i gatshëm për ekipin kombëtar”, vijoi ai. Fillimisht mesfushori tregon se nuk ka pasur gjatë këtyre muajve kontakte me Panuçin, teksa flet për Kombëtaren. “Gjatë kësaj kohe nuk kam pasur kontakte të drejtpërdrejta me Panuçin por kam pasur me ndihmësit e tij. Besoj se nuk ka qenë një kombëtare shumë e mirë, por kemi bërë edhe paraqitje të mira, edhe të këqija. Por besoj se ka pasur edhe shumë mungesa të disa lojtarëve, që po të ishin, do të kishin arritur edhe rezultate më të mira. Shpresojmë që në ndeshjen e parë eliminatore të marrim 3 pikët, dhe pastaj të ecim siç bëmë përballë Portugalisë në Evropian. Morëm 3 pikët e para edhe kaluam. Shpresojmë te e njëjta gjë edhe këtë vit”, theksoi ai. Roshi është në vitin e fundit të kontratës me Akhmat Grozni, por pranon se për momentin nuk është i fokusuar te kjo çështje, por te riaftësimi dhe aktivizimi sa më i rregullt. “Me thënë të drejtën këtë nuk e di akoma se jam marr vetëm me planin përkatës dhe nuk kam komunikuar as me klubin për kontratën apo diçka tjetër. Thjesht dua të kthehem në 100% të formës”, përfundoi Roshi.
Adriatik BALLA
































