Arrestimi i Klement Balilit ka zhytur në zi partinë e presidentit Ilir Meta. Lëvizja Socialiste për Integrim nuk ka dhënë asnjë koment për vetëdorëzimin në polici të tij. Kjo ngjarje u cilësua si një zhvillim i rëndësishëm nga të gjithë dhe prandaj nxiti edhe shumë reagime në radhët e politikës, por jo vetëm. Mazhoranca përgëzoi policinë dhe SHISH për negociatat me Balilin, demokratët shpërthyen në sulme kundër qeverisë, por nga radhët e LSI deri tani nuk ka folur asnjë. Asnjë prej deputetëve të LSI apo edhe vetë kryetarja Monika Kryemadhi nuk kanë dalë në prononcime për mediat për këtë çështje. Po ashtu, as në numrin e djeshëm të gazetës “Integrimi” nuk ishte pasqyruar fare vendosja para drejtësisë e Balilit. Ndryshe nga gazeta “Rilindja Demokratike”, e cila e kishte pasqyruar këtë ngjarje, por duke e shoqëruar me sulme kundër qeverisë, te “Integrimi” nuk u gjet asnjë fjali për vetëdorëzimin e “Eskobarit të Ballkanit”. Kjo heshtje në radhët e LSI rrit dyshimet se Balili ka lidhje me funksionarë të kësaj partie. Ish-ministra të LSI janë akuzuar se i kanë bërë favore Balilit dhe mesa duket me vënien e tij para drejtësisë, LSI ndihet e tronditur. Për deputetët e Partisë Socialiste, situata e krijuar në politikë nga arrestimi i Balilit, vjen për shkak të frikës se çfarë do të flasë ky i fundit para drejtësisë. Kryetarja e Komisionit të Sigurisë, Ermonela Felaj u shpreh në rrjetet sociale se “Eskobari i Ballkanit” do të tregojë për lidhet e tij të vjetra me PD dhe LSI. Ajo shtoi se opozita ndihet e frikësuar nga kjo ngjarje. “KB nuk u dorëzua rastësisht, por si rrjedhojë e një laku që po ngushtohej çdo dite e më shumë. Vetëm kaq mjafton për të konsideruar se dorëzimi drejtësisë i KB , është sukses dhe ky sukses i atribuohet qartësisht Policisë së Shtetit. Në një rast tjetër , “të interesuarit” edhe mund të kishin larë hesapet me të! Kemi një Balil më pak, një trafikant më pak, dhe PD e LSI që u ka rënë pika dhe i janë turrur policisë pse siguroi që kjo të ndodhte! Nesër KB mund të jetë një bashkëpunëtor i drejtësisë dhe mund të rrëfejë gjerë e gjatë për “miqtë e vjetër” të PD dhe LSI dhe ky po që do ishte një tjetër sukses të cilit tanimë qartësisht i është hapur rruga!”, tha Ermonela Felaj.
Reagimet e tjera
Socialisti Bujar Çela paralajmëroi gjatë një prononcimi për gazetën “SOT” se me drejtësinë do të përballen edhe padronët e vërtetë të Klement Balilit. Sipas tij, drejtuesit e vërtetë të Balilit janë pjesëtarë të LSI. “Unë kam menduar gjithmonë që politika dhe krimi janë të lidhura bashkë. Në rast se kanë arrestuar një Klement dhe nuk arrestojnë padronët e vërtetë të Klementit, të cilët tani i di gjithë populli, jo vetëm fshati nga i cili vjen Klementi, i cili deklaron 1200 të punësuar etj., por mendoj që çdo qytetar i thjeshtë e ka të qartë kush është koka e Klement Balilit. Unë nuk dua të përmend emra, por nëse kjo ngjarje nuk shoqërohet me arrestimin e atyre që janë drejtuesit e vërtetë të këtij grupi kriminal, atëherë arrestimi i Klement Balilit do të ngjante me arrestimin e një çobani. Padronët e vërtetë janë të LSI, të cilët as nuk kanë reaguar”, deklaroi Bujar Çela. Në të njëjtën linjë me deputetët e tjerë socialistë ishte edhe Xhemal Qefalia. Në një reagim të dhënë për gazetën “SOT”, deputeti i PS theksoi se opozitarët janë trembur nga vetëdorëzimi i Klement Balilit. Për Qefalinë, të gjithë politikanët që kanë patur lidhje me të do të japin llogari para drejtësisë. “Unë mendoj që fakti që një pjesë e mirë e opozitës merret me pjesën u arrestua apo u vetëdorëzua dhe hedhin sulme e akuza nuk është se i tremben mënyra sesi ky person ka përfunduar në qeli, por i tremb se çfarë do të dalë nga veprimet që do të kryejë organi i prokurorisë. Kjo është arsyeja që rrinë edhe merren akoma me këto nëse është vetëdorëzua apo është arrestuar. Fakti që nga LSI nuk ka asnjë reagim për këtë ngjarje mendoj se është i lidhur me çështjen e parë dhe me frikën e politikanëve. Unë nuk dua të hedh akuza të drejtpërdrejta për sa kohë nuk jam informuar se çfarë materialesh ka prokuroria, por politikanë të cilitdo krahu të cilët kanë pasur lidhje me të shumë shpejt do të jenë të zbardhura dhe do të përgjigjen para organeve të prokurorisë”, u shpreh Xhemal Qefalia.
Mimoza Ibra









































