Google search engine
Home Aktualitet Që nga Meta deri tek Makbule Çeço, ja kush janë ministrat që...

Që nga Meta deri tek Makbule Çeço, ja kush janë ministrat që kanë ushtruar njëkohësisht dy funksione në qeveri

0
732

Mbajtja e dy pozicioneve në qeveri nuk është diçka e re. Për shkak të kërkesës së kryeministrit Edi Rama për tu dekretuar edhe si ministër i Jashtëm ka lindur një debat publik ku disa argumentojnë se ligjërisht Rama nuk e ka këtë të drejtë, ndërsa të tjerë mbrojnë kërkesën e kryeministrit. Por nëse kthehemi mbrapa në vite, në historinë e republikës vihet re se mbajtja e dy posteve nuk është një “trend” i ri, por ka ekzistuar edhe më parë. Teksa të gjithë presin verdiktin e presidentit Ilir Meta për kërkesën e Edi Ramës, kujtojmë që vetë kreu aktual i shtetit ka qenë 3 herë edhe zëvendëskryeministër, edhe ministër. Referuar të dhënave të Institutit të Studimeve Politike, Meta në vitin 1998 përveçse ishte numri dy i qeverisë “Majko”, ishte edhe ministër i Koordinimit Qeveritar.

Në vitin 2002, Meta ka qenë zv/kryeministër dhe ministër i Jashtëm në qeverinë “Nano”, ndërsa të njëjtat funksione njëkohësisht i ka mbajtur edhe në 2009 me qeverinë “Berisha”. Në pozicione të ngjashme ka qenë edhe Makbule Çeço, e cila ka ushtruar edhe detyrën e zëvendëskryeministres, edhe të ministres për Punën dhe Çështjet Sociale kur kryeministër ishte Ilir Meta. Një tjetër emër që rezulton të ketë mbajtur dy poste njëkohësisht është edhe Skënder Gjinushi. Që nga korriku i vitit 2002 e gjer në shtator të vitit 2005 Gjinushi ka qenë si zëvendëskryeministër, ashtu dhe ministër i Punës dhe Çështjeve Sociale. E njëjta gjë vlen edhe për Ermelinda Meksin, e cila në periudhën qershor-dhjetor 2003 ka qenë zëvendëskryeministre dhe ministre Shteti për Integrimin Evropian. Pjesë e listës së politikanëve që kanë ushtruar në të njëjtën kohë dy detyra është edhe Edmond Haxhinasto. Ai gjatë periudhës 2010-2012 ka mbajtur postin e ministrit të Jashtëm, ndërsa nga janari 2011 deri në prill 2013 ka mbajtur postin e zëvendëskryeministrit. E njëjta gjë vlen edhe për Myqerem Tafajn, i cili po ashtu gjatë qeverisë “Berisha” ka qenë edhe zëvendëskryeministër, edhe ministër i Arsimit dhe Shkencës. Tani të gjitha gjasat janë që listës t’i shtohet edhe kryeministri Edi Rama, i cili ligjërisht do të mbajë edhe postin e ministrit të Jashtëm deri në bërjen funksionale të Gjykatës Kushtetuese. 

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here