Presidenti Ilir Meta ka reaguar pas deklaratave të Taulant Ballës, i cili u shpreh nga Elbasani se tha se deri në “orën 17 Meta do t’i ketë dhënë fund një historie të pakuptimtë që në të gjitha ministritë të vijojë puna”.
Gjatë një takimi të organizuar nga Universiteti Katolik “Zonja e Këshillit të Mirë”, Meta u është përgjigjur interesit të gazetarëve për deklaratat e Ballës, ku u shpreh me ironi: “Kush është Balla, Kryetari i Këshillit të Sigurimit?”.
Ndërkohë për sa i përket dekretimit të kryeministrit Edi Rama si ministër i Jashtëm, Meta po ashtu është përgjigjur shkurt duke deklaruar se “Kushtetuta është mbi të gjitha”.
Në takim me Nunciaturën Apostolike në Shqipëri, për të bashkëndarë mesazhin e Papa Franceskut për Ditën Botërore të Paqes 2019 “Politika në shërbim të paqes”, ndër të tjera Meta tha:
“Politika duhet të jetë në shërbim të qytetarëve, jo të kthehen në zotër të fatit të qytetarëve. Shumica e heshtur e njerëzve të thjeshtë meritojnë më shumë vëmendje. Një politikë e mirë do të i shërbente cdo angazhimi që të rinjtë të qëndronin në Shqipëri për të realizuar ëndrrat në vendin e tyre për t‘i shërbyer atdheut dhe familjes. Politika e mirë është mision akoma i papërmbushur, të gjithë duhet të përpiqemi. Mbështes plotësisht mesazhin për rëndësinë e dialogut dhe bashkëpunimit jo vetëm mes qeverisë dhe opozitës, por edhe për më shumë dialog kudo, shoqëri komunitet dhe familje. Kështu do të kemi më shumë paqe”.
































