Në tre vlerësime të ndryshme për më të mirët e vitit 2018, si nga Instituti i Historisë dhe i Statistikave në Futboll, por edhe nga UEFA dhe nga FIFA, mbrojtësi holandez i Liverpulit, Virxhil Van Dijk, është pjesëtar i mbrojtjes në formacionin më të mirë të vitit që lamë pas, duke rivalizuar krahas emrave të mëdhenj të këtij reparti si Rafael Varane, Serxhio Ramos apo dhe Marcelo. Pothuajse asnjë italian në mbrojtjen më të mirë, gjë që ndodh rrallë, pasi në këtë repart italianët bënin “ligjin” prej shumë e shumë vitesh, nisur dhe nga shkolla e tyre futbollistike ku mbrojtja merr përparësi madhore krahasuar me repartet e tjera. Van Dijk ka shkëlqyer me Liverpulin, duke shkuar deri në finalen e madhe të UEFA Champions League kundër Realit të Madridit, por në të njëjtën kohë ka shkëlqyer dhe në sezonin aktual, në pjesën e parë të tij, pasi jo vetëm është titullar fiks, por Van Dijk po tregohet si një nga më të mirët e skuadrës së Jurgen Klopit në këtë edicion të kampionatit anglez. Ka dhe diçka interesante rreth tij. ai u ble shtrenjtë në fillim të vitit 2018 dhe shumë besuan se u hodhën para kot, por ai që i ka paguar e ka njohur mirë. Van Dijk nuk është një mbrojtës i zakonshëm që luan futboll sot në Europë, ai është një mbrojtës i jashtëzakonshëm, i cili i ka justifikuar afro 80 mln eurot e dhëna për të dhe është sot një prej mbrojtësve më të kërkuar nga klubet më të mëdha të kontinentit. Kështu, kur u ble për 79 milionë euro nga Liverpuli janarin e kaluar, të gjithë menduan se të kuqtë e tepëruan pas Virgil Van Dijk nuk vlente aq shumë para. Por pas vetëm 1 viti qendërmbrojtësi holandez po tregon se i ka merituar të gjitha ato para pasi për momentin 27-vjeçari nuk është vetëm mbrojtësi më i shtrenjtë i blerë në historinë e futbollit por është gjithashtu mbrojtësi më i mirë në qarkullim dhe këtë e tregojnë statistikat. Gjatë këtij sezoni, Van Dijk është aktivizuar në 31 ndeshje të shpërndara midis kampionatit, kupave dhe Championsit. Në të gjitha këto takime, Van Dijk është treguar një mur i vërtetë, duke mos u dribluar nga qoftë dhe një kundërshtar. Në këtë statistikë holandezin nuk e barazon askush, çka tregon qartë që kemi të bëjmë me një futbollist të rrallë. Ndoshta hapi i radhës për Liverpulin është gjetja e një partneri të një niveli të përafërt. Duke folur për të, trajneri Jurgen Klop tha se Van Dijk është lojtari që ofron siguri, që vetëm përmirësohet dhe rrit prezantimin e tij në nivelin më të lartë. Me të në fushë e ke të sigurt mbrojtjen, por ai di edhe të shënojë gola me kokë kur skuadra nuk çlirohet në repartin ofensiv. Madje pranohet dhe në shtypin anglez se Van Dijk ka mbështetjen më të madhe të lojtarëve të tjerë të Liverpulit, aq sa të gjithë e dëshirojnë në skuadër, sepse krijon besim dhe jep siguri për rezultat maksimal. Nëse Liverpuli i këtij sezoni është në vend të parë nuk ndodh vetëm pse ka sulmin më të frikshëm me treshen Salah-Mane e Firmino dhe me një Xherdan Shaqiri potent që u rri nga pas, por se ka në mbrojtje dhe një Virgjil Van Dijk mjaft efikas. Një statistikë domethënëse është se Liverpuli ka pësuar vetëm 10 gola në 22 javë garë dhe kjo është meritë e mbrojtjes me në krye Van Dijk.
Adriatik BALLA








































