Google search engine
Home Aktualitet Kosova për herë të parë në Berlinale me filmin “Në mes”

Kosova për herë të parë në Berlinale me filmin “Në mes”

0
464

Me filmin “Në mes” Kosova prezantohet për herë të parë në Berlinale. Përmes komunikatës për shtyp Festivali Ndërkombëtar i Filmit në Berlin njoftoi për pjesëmarrjen e filmit “Në mes” të autorit Samir Karahoda në garën ndërkombëtare të filmave të shkurtër “Berlinale Shorts”. Premiera e filmit në Berlinale do të jetë me 12 shkurt. Kjo është hera e parë që një film nga Kosova pranohet në garën e Berlinales, që njihet si një nga festivalet më prestigjioze në botë. Filmi trajton dy tema paralelisht; fenomenin e ndërtimit të shtëpive të njëjta dhe migrimin e cila veçmas theksohet nëpër këto familje. Nëpërmjet personazheve, portretizon marrëdhënien dhe solidaritetin në mes vëllezërve; sakrificën dhe vendosmërinë e prindërve për të mbajtur harmoninë brenda familjes; kuptimin dhe rëndësinë e shtëpisë dhe shpresës në mes kthimit apo jo në vendlindje. Autori i filmit Samir Karahoda është shprehur i lumtur që filmi i tij debutues si regjisor është vlerësuar nga ky festival prestigjioz. “Nuk e di si ta përshkruaj ndjenjën dhe gëzimin për vlerësimin e filmit nga një festival siç është Berlinalja, sidomos kur bëhet fjalë për film debutues”, pohon autori Karahoda. “Në mes” është inspiruar nga projekti fotografik “Vëllezërit Kosovar” në të cilin Karahoda ka punuar në vitin 2011. Filmi është prodhim i Kosovës, si me mbështetje ashtu edhe në produksion. Producenti i filmit Eroll Bilibani theksoi që ky fakt edhe njëherë dëshmon për kapacitetet kreative të kinematografisë Kosovare.

Pas lajmit që u publikua për filmin, nuk ka munguar dhe reagimi i ministrit të Kulturës në Kosovë Kujtim Gashi. Ministri Gashi pjesëmarrjen për herë të parë të një filmi nga Kosova në Festivalin e Filmit në Berlin të Gjermanisë, e vlerëson si një sukses të jashtëzakonshëm dhe një arritje tjetër kulturore për Kosovën në përgjithësi në arenën ndërkombëtare. “Filmi “Në mes” i autorit Samir Karahoda është përkrahur nga Ministria e Kulturës, nëpërmjet Qendrës Kinematografike të Kosovës, dhe jemi shumë të lumtur për këtë sukses, pasi që orientimi i buxhetit në përkrahje të prodhimit filmik po shpërblehet”, tha mes tjerash ministri Gashi. Filmi është prodhim i SK Pictures, i mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës, Banka për Biznes, Komuna e Prizrenit, Komuna e Prishtinës dhe DokuFest. Regjia dhe drejtor i fotografisë Samir Karahoda, producent Eroll Bilibani, montazhi Enis Saraçi, dizajner zëri Memli Kelmendi, xhirues zëri Gëzim Rama dhe dizajnere grafike Nita Salihu Hoxha.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here