Google search engine

    Artistët, letër Veliajt: Duam konkurs dhe proces transparent për drejtimin e Teatrit të Metropolit

    0
    464

    Artistët e teatrit  kërkojnë nga kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj, që të shpallë konkurs për drejtimin e Teatrit të Metropolit. Regjisorë dhe aktorë shprehen se nuk mundet që të vijojë drejtimi në këtë teatër pa u shpallur më parë një konkurs, të jetë një proces transparent për të zgjedhur dhe drejtuesin e teatrit. Artistët në letrën drejtuar kryebashkiakut i kujtojnë atij dhe çfarë ka thënë katër vjet më parë për teatrin. Në letrën e publikuar nga regjisorja Elma Doresi artistë të teatrit kërkojnë institucione të pavarura nga politika dhe se buxheti i atij teatri janë taksat e qytetarëve. “Në takimin me artistët para zgjedhjeje (4 vite më parë) i nderuar z. kryetar i Bashkisë Tiranë, ju premtuat se do të zhvillonit konkurs për postin e drejtuesit të Teatrit të Metropolit. Konkurs ky që nuk u bë dhe drejtuesi erdhi nga jashtë. Nëse do të ishte një teatër privat do ju kishim duartrokitur, por po flasim për një teatër lokal i cili varet nga Bashkia e Tiranës, praktikisht buxheti i saj janë dhe taksat tona”, shkruan letra që ka publikuar regjisorja Elma Doresi. Më tej Doresi reagimit të së cilës i janë bashkuar dhe artistë të tjerë vijon se si pjesë e komunitetit artistik kërkohet konkurs i hapur për këtë teatër. “Si pjesë e komunitetit artistik dhe të asaj çfarë ka dhënë në atë teatër dhe mbi të gjitha si taksapaguese të të kërkoj disa të drejta që na takojnë: Konkurs të hapur për Teatrin e Metropolit. Për arsyet e mëposhtme; 1-drejtuesi aktual nuk kishte bërë asgjë për qytetarët e Tiranës deri në momentin që u vendos në atë post; krijoj Cv- në e saj praktikisht abuzoj me postin e dhënë duke vendosur shfaqje me regjinë e saj; duke vendosur shfaqje si kostumografe, duke vendosur shfaqje si skenografe; duke vendosur shfaqje si aktore; duke vendosur shfaqje me të njëjtin grup e duke eliminuar të drejtën e regjisorëve, aktorëve, skenografëve, kostumografëve të tjerë atë mundësi. Diplomimi i drejtoreshës së Teatrit Metropol, sepse në asnjë vend nuk e kemi parë. Punësimet në organik si procedon dhe një listë të të punësuarve në këto 4 vite. Jam e bindur, që do të gjeni shkelje”, shkruhet në letrën drejtuar kryebashkiakut.

    Institucionet jo me drejtues partiakë

    Për aktorin Gentian Zenelaj që i bashkohet reagimit të regjisores Doresi institucionet e artit nuk duhet të kenë titullarë të vendosur nga politika. “Nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, por dhe nga kryeministri unë kërkoj që të heqin dorë nga menaxhimi i teatrove, i drejtorëve të teatrove dhe bordeve dhe të hapen institucionet, të jenë të lirë, dhe të drejtohen nga njerëzit më të aftë që merren me aktrimin dhe regjinë në këtë vend dhe  jo partiakët. Unë bashkohem me çfarë ka shkruar regjisorja Doresi”, shprehet aktori Gentian Zenelaj. Edhe për regjisoren dhe aktoren Eliona Thomaraj situata në Teatrin e Metropol kërkon patjetër një proces transparent për të zgjedhur drejtuesin. “Edhe unë bashkohem me letrën drejtuar kryebashkiakut. Artistët duhet të kenë të drejtën për Teatrin e Metropolit. Një konkurs të hapur dhe proces transparent deri në zgjedhjen e drejtuesit. Nuk mund të vendosë më politika në institucionet e artit”, shprehet regjisorja Thomaraj. Për situatën në Teatrin e Metropolit pranë këtij institucioni bëjnë me dije se Jonida Beqo ka dhënë dorëheqjen nga posti i drejtueses, pasi konkurroi për drejtimin e Teatrit Kombëtar Eksperimental në konkursin që zhvilloi Ministria e Kulturës. E komanduar nga Bashkia e Tiranës në këtë institucion është Armela Demaj. “Në Teatrin Metropol nga bashkia është e komanduar Armela Demaj. Emërimi erdhi pasi disa kohë më parë Jonida Beqo konkurroi për pozicionin e Teatrit Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivgoli” në konkursin që çeli Ministria e Kulturës. Bordi këshillimor pranë teatrit miraton dhe projektet që janë gjatë vitit për shfaqjet teatrore në skena”, bën me dije zyra për shtypin pranë teatrit. Mandati i drejtorit që është në Qendrën Kulturore Tirana që përfshin dhe Teatrin e Metropolit është katër vjeçar dhe deri tani titullari është emëruar nga kryetarët e bashkive ndër vite.  

    Nga Julia Vrapi

    LEAVE A REPLY

    Please enter your comment!
    Please enter your name here