Kryeministri Edi Rama deklaron se nga nesër përfaqësues nga Ministria e Financave dhe Ministria e Arsimit do të vendosen pranë sekretariateve të Universiteteve.
“Nga nesër në sekretariatet e universiteteve do të vendosen dy përfaqësues të ministrive të financave e të arsimit, për të asistuar studentët që duan shpjegime apo duan të adresojnë probleme specifike, lidhur me zbatimin e VKM mbi tarifat e bursat brenda janarit #MeStudentët🤗”, shkruan Rama në “Twitter”.

Prej disa ditësh studentët janë ngujuar brenda godinave të fakulteteve në shenjë proteste për plotësimin e kërkesave të tyre duke mos lejuar zhvillimin e mësimit, ndërkohë që në ditët e fundit të 2018, kryeministri Edi Rama publikoi më 26 dhjetor vendimet e qeverisë për studentët të përmbledhura të gjitha në Paktin për Universitetin. Bëhet fjalë për 11 VKM dhe 4 urdhra që sipas kryeministrit adresojnë të gjitha kërkesat e studentëve që nga tarifa e studimit, nga investimet në infrastrukturë tek buxheti e me radhë.