Surprizat në kampionatin italian duket se nuk kanë fund. Mauro Ikardi po largohet nga Interi dhe drejtuesit zikaltër duan me ç’do kusht një zëvendësues.Kështu, administratori i deleguar, Bepe Marota u ka premtuar drejtuesve se shumë shpejt do të gjejë pasuesin e tij nëse ai shitet.
Bepe ka hedhur sytë nga ish-skuadra e tij, Juventusi dhe po përgatit një ofertë të majme për të siguruar shërbimet e yllit argjentinas, Paolo Dybala.
‘Tuttosport’ raporton se Interi është skuadra që ka hyrë fuqishëm në garë për shërbimet e Dybalës.
Drejtuesit e Juventusit, janë të gatshëm që ta shesin Dybalën.
Sigurisht nëse në zyrat e tyre mbërrin një ofertë që kap vlerën e 120-130 milionë eurove, shumë të cilën Interi mund ta ofrojë në rast se shet Ikardin në një skuadër tjetër.









































