Kryeministri Edi Rama ka shpërthyer dje në kritika të ashpra ndaj pedagogëve në universitete. Gjatë takimit të përjavshëm me koordinatorët e platformës së bashkëqeverisjes, shefi i qeverisë deklaroi se pedagogët po nxisin protestat për shkak se ju pëlqen rehatia në kafe. Sipas tij janë shumica e studentëve që duan të bëjnë mësim, por po lihen rrugëve nga ana e stafit të pedagogëve. Rama u shpreh se që nga rektori i universitetit dhe deri te pedagogët do të japin llogari për çdo shkelje që kanë kryer. “Ka pedagogë që nuk duan të bëjnë mësim, që refuzojnë të vazhdojnë mësimin, qoftë edhe me një student që do të bëjë mësim, ndërkohë që në fakt nuk është një, por është shumicë që kanë dashur të bëjnë mësim, por preferojnë që t’i lënë studentët rrugëve, sepse duan të rrinë vet nëpër kafe. Siç ka drejtues universitetesh, që, për arsye të frikës se ky proces hap pas hapi do të shkojë drejt tyre, sepse kanë edhe ata llogaritë e tyre për të dhënë, që nga rektori i UT-së, bëjnë lojën e nënëdajës”, tha ai. Kryeministri Rama u shpreh se orët e mësimit që janë humbur do të zëvendësohen në muajt e verës. Ai tha se universiteti do të ketë bashkëpunim midis qeverisë dhe ata që duan reformë në sistemin arsimor. “Kjo rrezikon që t’i çojë punët keq, sepse rrezikon që t’i shtyjë ditët e auditorit në korrik, gusht dhe madje rrezikon që shumëkujt t’ia humbi fare vitin. Është domosdoshmëri që drejtuesit e universiteteve të reagojnë. Universitetet nuk varen nga qeveria. Qeveria nuk i urdhëron universitetet. Edhe universitetin, ne do ta bashkëqeverisim, në sensin e bashkëpunimit dhe ndërveprimit me të gjithë ata që duan realisht ta reformojnë, qofshin drejtues, pedagogë, apo studentë”, deklaroi Rama. Ndërkohë ditën e djeshme rektorët e universiteteve zhvilluan një takim me ministren Nikolla, ku e kanë paralajmëruar se nëse kryeministri vazhdon t’i sulmojë, do të dalin edhe ata në protestë.
Platforma e bashkëqeverisjes
Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar ditën e djeshme në sallën e Hartave në Kryeministri takimin e parë për këtë vit për platformën e bashkëqeverisjes me koordinatorët e kësaj platforme. Rama tha se numri i rasteve që kanë denoncuar në këtë platformë është rritur. Gjithashtu ai iu bëri thirrje qytetarëve të vazhdojnë ti drejtohen platformës, duke premtuar se për çdo ankesë përgjigja do të vijë brenda 10 ditëve. Por nëse ndodh që të ketë vonesa të qëllimshme, Rama tha se do të ketë ndëshkime të punonjësve apo drejtuesve të shërbimeve. “Besoj që s’duhet të lodhemi së përsërituri që askush nuk duhet të heshtë, askush nuk duhet të tërhiqet, askush nuk duhet të lejojë kohën, energjitë dhe financat e familjes t’i shkojnë dëm, në pritje të marrjes së një të drejte. Gjithkush e ka rrugën tek shqipëriaqëduam.al dhe brenda 10 ditësh merr përgjigjen. E nëse ajo që kërkon është e drejtë merr atë që i takon dhe ndërkohë, ne vazhdojmë hetimet administrative për të parë nëse vonesa dhe pengesa kanë qenë të qëllimshme dhe në këtë rast ndëshkohen punonjësit apo drejtuesit e shërbimeve që mbajnë përgjegjësi për vonesën apo pengesën”, tha ai. Kryeministri Rama deklaroi se platforma e bashkëqeverisjes është transformimi i zyrave të marrëdhënieve me publikun, në një kanal komunikimi drejtpërdrejtë midis qytetarit dhe kabinetit qeveritar.
Elisjeda Kiko









































