Teatri Kombëtar njofton se në “arTurbina” do të rikthehet komedia “Këmbëzbathur në park” nga autori Neil Simon, me regji nga Lorin Terezi dhe në interpretimin e aktorëve Ermira Gjata, Ardian Cerga, Ledjon Zoi, Anila Balla, Marsel Greva. Komedia do të jetë në skenë në datat 10, 11, 12 dhe 13 janar. Dashuria e vrullshme dhe pasionante e çiftit të sapomartuar Kori dhe Pol vihet në pikëpyetje teksa ata duhet të përballen me problemet e përditshmërisë. Pol do të ulë Korin me këmbë në tokë, ndërsa ajo do të bindë Polin se është bukur të jesh kundër rrymës. Më herët regjisori Terezi ka treguar për komedinë që edhe pse i zhvillon ngjarjet në Amerikën e viteve ‘60 sërish ka referenca me aktualitetin dhe në ditët e sotme. “Vepra i zhvillon ngjarjet në vitet ‘60 në Amerikë. Kjo vepër është pjesë aktuale dhe në qendër të saj është një çift i ri që fillon jetë me vështirësitë, por dhe pritshmëritë që kanë për jetën si dhe ato probleme, që dalin nga realiteti që hasin. Kjo është ajo që më ka ngacmuar, dhe i referohet edhe aktualitetit tonë”, tregon regjisori Terezi. Këtë herë komedia rikthehet në skenë për publikun, por regjisori vijon se janë situata dhe konflikte, që e bëjnë të larmishme veprën. “Çifti blen një shtëpi të re dhe vajza ka bërë zgjedhjen e saj. Ajo ka marrë një shtëpi në katin e nëntë, por e ka marrë dhe shtrenjtë edhe jashtë komoditetit për të jetuar. Por asaj i duket interesante jeta aty. Të gjithë personazhet që vijnë, si bashkëshorti i saj, apo dhe të tjerët detyrohen që të rrinë aty vetëm për mos t’ia prishur asaj qejfin e apartamentit që ka marrë me qera. Por përveç kësaj aty dalin dhe problematika të tjera të bashkëjetesës dhe mënyrës të të menduarit të gjërave si dhe me personazhet e tjera që janë aty, që është dhe mamaja e vajzës, ku edhe pse e bija ka dalë të jetojë vetëm ajo i ndërhyn. Po aty është dhe një komshi, që bëhet pjesë e ngjarjeve”, tregon mes të tjerave regjisori Lorin Terezi. Dramaturgu dhe skenaristi Neil Simon ka mjaft vlerësime. Si një anëtar i famshëm “Your Show of Shows”, Simon ishte shtylla e argëtimit për më shumë se 6 dekada. Në vitin 1991 fitoi Çmimin Pulitzer për dramën me “Lost në Yonkers”. Ai ishte skenarist i komedive të paharrueshme si “The Odd Couple”, “Barefoot in the Park”, “The Sunshine Boys” dhe “Brighton Beach Memoirs”. Suksesi i tij i parë në Broadway ishte “Come Bloë Your Horn” e vitit 1961.