Instituti i Studimeve Politike ka deklaruar se ngritja e SPAK është shumë e vonuar. Në raportin vjetor për reformën në drejtësi, thuhet se organet antikorrupsion duhej të ishin ngritur që në 2017. “Në perceptimin e përgjithshëm publik suksesi në reformën në drejtësi është e lidhur me suksesin e krijimit dhe të funksionimit të SPAK, (Prokuroria e Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit). Në të gjitha dokumentet strategjike të reformës në drejtësi parashikohej se ngritja e SPAK dhe e BKH do të ndodhte në mesin e vitit 2017 deri në fillim të vitit 2018. Sipas legjislacionit të reformës, Këshilli i Lartë Gjyqësor (KLGJ) dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë (KLP) do të duheshin të ngriheshin përpara muajit maj 2017. Ato u ngritën vetëm në dhjetor 2018, rreth 20 muaj më vonë sesa parashikimi ligjor”, thuhet aty. Por problemi më madhor që shihet nga ISP është nëse do ketë kandidatë të mjaftueshëm për të plotësuar kërkesat e SPAK. Sipas raportit, do të duhen minimalisht 80 ditë që kandidatë të mbyllin vetingun. “Për të konkurruar për postet e reja, sidomos në SPAK, do të duhen një numër i madh kandidatësh që kanë ambicie personale për kandidim. Ligji parashikon të paktën 10 kandidatë fitues, duke nënkuptuar nevojën e të paktën 15-20 kandidatëve për 10 vende në dispozicion. Duke llogaritur që vetingu për subjektet e deritanishme të rivlerësimit ka marrë minimalisht 8 ditë për çdo subjekt të konfirmuar në detyrë dhe mbi 124 ditë për subjektet e shkarkuara, atëherë do të kërkohen të paktën 80 ditë për vettingun e kandidatëve, nëse të gjithë do të konfirmohen në detyrë. Nëse pjesë e kandidimit do të jenë subjekte që tashmë janë rivlerësuar dhe janë konfirmuar në detyrë, kjo hapësirë kohore shkurtohet, megjithatë vendi vakant që ata krijojnë në sistem, sjell pasoja me efekt domino në nivelet e organeve të reja të sistemit të drejtësisë”, vijohet më tej.











































