Opozita ka shpërthyer dje në kritika ndaj kryeministrit Edi Rama pas ndryshimeve në qeveri. Disa deputetë të saj reaguan menjëherë, duke kërkuar dhe largimin e kryeministrit. Ish-kryeministri i vendit, Sali Berisha, përmes një postimi në rrjetin social Facebook, ka deklaruar se kryeministri përmbysi qeverinë përpara se të largohet vetë për azil politik. Ministrat e larguar ai i cilësoi si persona që erdhën në pushtet, vodhën dhe më pas u larguan. “Edvini përmbys qeverinë para largimit të vet për azil politik! Kreu i krimit të organizuar dhe mafies shtetërore më të rrezikshme të Europës para largimit për azil politik përmbysi qeverinë e tij. Për narko-ministrat që u larguan për shumicën dërmuese të tyre me tre fjalë mund të thuhet: Erdhën, vodhën, ikën”, ka thënë Berisha. Për ndryshimet në qeveri ka reaguar edhe deputeti demokrat Ervin Salianji, i cili ka thënë se kryeministri konfirmoi qëndrimet e opozitës për të shpëtuar veten e tij. Përmes një postimi në rrjetin social, ai ka deklaruar se kreu i ekzekutivit ka rënë në greminë. “Rama në greminë! Largohen gjithë ministrat e akuzuar nga opozita, pas Tahirit, Xhafajt, Beqaj, sot Rama konfirmoi qëndrimet e opozitës në përpjekje për të shpëtuar veten. Qeveria Rama vazhdon të mbetet qeveri drejtorësh, çdo ministër zbaton direktivat korruptive të tij. Për socialistët nuk vendosin forumet por analistët, ndryshimet e sotme të paralajmëruara nga gazetaret e Ramës, në një qeveri që gjithçka është propaganda kjo e nxin dhe më shumë socialistët. Qeverisja projekt tërësisht personal dhe privat i Ramës dhe oborrtarëve. Rama për pushtet personal shet cilindo”, ka thënë Salianji. Po me të njëjtat tone ka ardhur edhe reagimi i kreut të grupit parlamentar të LSI, Petrit Vasili, ku ka deklaruar se qeveria tashmë ra, por duhet durim deri në rrëzimin e kryeministrit. “Qeveria ra! Tani mbetet vetëm kryeministri, por durim, për farë pak do të ik edhe ai”, ka thënë Vasili përmes një statusi në Facebook.