KLP rrëzon prokurorët rebelë, refuzon të kthejë tek Krimet e Rënda Besim Hajdarmatajn dhe Olsian Çelën, thellohen përplasjet në drejtësi

0
533

Këshilli i Lartë i Prokurorisë ka refuzuar që të rikthejë në detyrë tek Prokuroria për Krimet e Rënda, dy prokurorët Besim Hajdarmataj dhe Olsian Çela. Dy prokurorët, pasi fituan gjyqin me eproren e tyre Arta Marku në Gjykatën Administrative, kërkuan rikthimin te Krimet e Rënda. Kjo çështje është shqyrtuar ditën e djeshme në mbledhjen Këshillit të Lartë të Prokurorisë, por këshilli ka dalë kundër rikthimit të tyre në detyrën e mëparshme. Megjithatë kjo çështje do rishqyrtohet më 7 janar. Pra, kjo lëvizje e Këshillit të Lartë të Prokurorisë ka thelluar përplasjet në sistemin e drejtësisë, pasi nga njëra anë KLP refuzon vendimin e Gjykatës Administrative, ndërsa nga ana tjetër kjo e fundit ka rrëzuar kryeprokuroren Arta Marku. Olsian Çela dhe Besim Hajdarmataj pas përplasjes për dosjen Shullazi u transferuan në Berat e Pogradec, ndërsa pas padisë në gjykatë, ata fituan pasi gjykata shpalli të paligjshëm urdhërat e Arta Markut. Vendimet u dhanë të martën dhe të mërkurën në mesditë, ku proceset u iniciuan nga Çela dhe Hajdarmataj. Administrativja i ka cilësuar transferimet si të padrejta. Megjithatë, pavarësisht vendimit të shkallës së parë deri në vendimin final të KLP-s apo të një vendimi të Gjykatës së Apelit Administrativ në rast ankimimi prokurorët do të vazhdojnë të ushtrojnë detyrën në Berat e Pogradec. Po ashtu, gazeta ka mësuar se zyrat e KLP-s do të atashohen në katin e 6 të Ministrisë së Drejtësisë, aty ku dikur kanë qenë zyrat e Avokatisë.

Përplasjet me Markun

Prokurori Besim Hajdarmataj mori drejtimin e Krimeve të Rënda, pas një periudhe të gjatë si prokuror, në vitin 2016. I emëruar nga ish-kryeprokurori Adriatik Llalla, Hajdarmataj udhëhoqi një sërë çështjesh të nxehta, mes tyre atë për ish-ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri. Por me ardhjen e Arta Markut në krye të prokurorisë, Hajdarmataj u shkarkua nga drejtimi i Prokurorisë Krimeve të Rënda. Në vend të tij u komandua prokurorja Donika Prela. Rrokada në Krimet e Rënda u njoftua nga ana e prokurorisë si e nevojshme për hetime më të shpejta dhe më të efektshme. Në atë kohë opozita shigjetoi Prokuroren e Përgjithshme dhe mazhorancën se po vendos njerëzit e saj në pozicione kyçe të organit të akuzës për të mbyllur dosjet që bënin me “dhimbje koke” kryeministrin. Por dosja “Shullazi” do të shpërfaqte hapur kaosin që ishte krijuar tek Krimet e Rënda. Prokurorët refuzuan hedhjen e shortit për të gjykuar këtë çështje pas largimit të Elisabeta Imerajt, që u emërua drejtuese e Prokurorisë në Tiranë dhe Eneid Nakuçit me pretendimin se ishte i sëmurë. Kjo situatë solli edhe penalizimin për prokurorët refuzues, ndaj të cilëve, për Përparim Kullurin, Behar Dibrën, Arenc Çelën, Edvin Kondilin, Pranvera Pustinën, Eugen Becin dhe Blerim Tominajn, nisi një hetim disiplinor, ndërsa Besim Hajdarmataj, Sonila Muhametaj dhe Olsian Çela u transferuan në rrethe. Por kjo solli një reagim të fuqishëm të tyre në atë kohë. “Më datën 18 shtator 2018, jemi njoftuar përmes telefonit për të qenë pjesëmarrës në një mbledhje e cila do të zhvillohej në të njëjtën ditë në orën 15.00, pa u njoftuar për objektin e saj. Njoftimi për mbledhje nuk ishte konform kërkesave ligjore në fuqi dhe vinte në kundërshtim me nenin 56 të ligjit nr.97 “Për organizimin dhe funksionimin e prokurorisë në Republikën e Shqipërisë”, i cili kërkon që mbledhja të njoftohet të paktën 3 (tre) ditë përpara, së bashku me rendin e ditës. Mbledhja në fjalë u shty për të nesërmen, më datë 19.09.2018 në orën 9:00 nga drejtuesja, për shkak të mungesës së disa prokurorëve. Kërkesa e prokurorëve për t’u njohur me objektin e mbledhjes nuk mori asnjë përgjigje nga ana e drejtueses së komanduar të PKR”, thuhej në letrën e prokurorëve në atë kohë.

Rigels Seliman

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here