Kryeministri Edi Rama ka shpërthyer ditën e djeshme në kritika të ashpra ndaj deputetëve, krerëve të bashkive dhe anëtarëve të partisë në mbledhjen e Asamblesë Socialiste. Përveç largimit të ministrave, i pari i qeverisë ka bërë dje për “një lek” të gjithë strukturat e PS në çdo nivel të saj. Në Asamble Rama kritikoi vartësit e tij për performancën, por shefi i qeverisë nuk u mjaftua me kaq, pasi në përfundim të mbledhjes së përgjithshme, zhvilloi një mbledhje me dyer të mbyllura me ministrat, krerët e degëve, deputetët dhe kryetarët e bashkive. Gazeta ka zbardhur disa detaje nga diskutimet me dyer të mbyllura të kësaj mbledhjeje, ku fokusi kryesor është ndalur tek zgjedhjet vendore të vitit 2019 dhe reforma në administratë. Mësohet se Rama u ka dhënë të gjithëve një sërë detyrash për t’i përmbushur, duke iu kërkuar që të dalin derë më derë dhe të kenë kontakte të vazhdueshme me qytetarët, në kuadër të zgjedhjeve vendore. Po ashtu, gazeta mësoi se Rama ka qenë i prerë me vartësit e tij duke iu kërkuar që të shkarkojnë gjithë militantët nga administrata, pasi sipas tij, asnjëri prej tyre jovetëm që nuk përmbush kriteret, por po turpëron pjesën tjetër të administratës që është sot aty falë meritës. Madje, pavarësisht, se e kishte përsëritur disa herë, dje në Asamble shefi i qeverisë deklaroi se nuk është bërë aq sa duhet në këtë drejtim, por dha një paralajmërim të fortë për militantët e partive të tjera dhe një ultimatum për të vetët. Sipas tij, militantët e shpërndarë në administratë nga partitë e tjera, duke lënë këtu të nënkuptohet militantët e LSI, duhet të shkarkohen. Në të njëjtën kohë, mësohet shefi i qeverisë iu ka kërkuar llogari të gjithëve. Madje, i pari i qeverisë mësohet se i ka kritikuar gjatë mbledhjes që në kuadër të riorganizimit të partisë edhe zgjedhjeve punësimet duhet të shtohen, pasi është një tregues që qeveria ka si kryefjalë zbutjen e papunësisë. Megjithatë, ai kërkoi që të gjithë punësimet të bëhen sipas meritës, duke nënvizuar faktin se ky proces bëhet në kuadër të kushteve të kërkuara nga BE sa i takon reformës së nisur në administratë.
Punësimet, Rama mesazh socialistëve
Kryeministri Edi Rama po ditën e djeshme u ka bërë thirrje socialistëve nga Asambleja e Partisë Socialiste që të mos ndërhyjnë për punësime në administratë. Mesazhi i fortë i Ramës ishte se PS nuk mund të kthehet në opozitës për shkak të punësimeve të krushqve, hallave, xhajave apo dhe të afërm të tjerë të socialistëve. “Fjalët e mia kanë rënë në vesh të shurdhër, qeveria nuk janë ministrat, qeveria e PS janë ata që në përfaqësojnë në territor. Më vjen shumë mirë dhe është një nga gjërat më të mirëseardhura të studentëve që na u dha mundësi që me një vendim qeverie të hapim të gjithë axhendën e punës, qoftë në shërbim të tyre dhe administratës shtetërore për ata me 9 e 10. Harrojeni përfundimisht që do ketë miq, shok, krushq, vëllezër, motra, hallave, dajave, krushq që do futen në administrata. PS nuk kthehet në opozitë për shkak të tyre, harrojeni, ose bëni një gjest të thjeshtë ikni nga PS. Lërini forumet, karriget, mandate dhe thoni më rregullo mikun, por nëse keni marrë mandat përfaqësimi e keni për të gjithë familjet, për të gjithë ata që u themi vota jote është detyrim im dhe është shumë e mirëseardhur ajo që kanë kërkuar studentët dhe tronditëse ajo që është baza e besimit të tyre nuk besojnë dhe kenë të drejtën të mos besojnë se mësimet do t’u japin mundësi të hyjnë në administratë”, deklaroi kryeministri Edi Rama.
Rigels Seliman