Furtuna në PS përfshin dhe Asamblenë e Kryesinë, paralajmërohen shkarkime, Kongresi do mblidhte në 23 mars

0
393

Kryeministri Edi Rama vijon të jetë i pakënaqur me punën e funksionarëve të Partisë Socialiste. Gjatë fjalës së tij ditën e djeshme në Asamblenë Kombëtare të PS, i pari i qeverisë kërkoi nga të gjithë të pranishmit që të riorganizohen fuqishëm dhe të ndryshojë rrënjësisht, në kuadër të zgjedhjeve vendore të 2019. Po ashtu, Rama u shpreh qartë kur deklaroi se askush nuk duhet të luajë me porositë e tij dhe se të gjithë anëtarët e Asamblesë që nuk kanë përmbushur detyrat e partisë, sidomos në lidhje me anëtarësinë, nuk do të jenë më pjesë e Asamblesë.

“Partia në territor është koha të ndryshojë rrënjësisht. Kemi kaq vite që bëjmë një teatër që duhet të mbarojë. Kemi kaq vite që mblidhet Asambleja, bëjmë ato formularët, përcaktojmë formën e organizatës së partisë. Themi që duhet të ketë kaq me shkollë të lartë, kaq gra. Themi që çdo organizatë duhet të reflektojë atë komunitet. Themi që organizatat nuk duhet të jenë të kushërinjve të një fisi dhe për inat të atij fisi, të gjithë fiset e tjera shkojnë e votojnë parti të tjera, sepse është një fis që ka kap organizatën. I themi të gjitha këto dhe jeta vazhdon sikur nuk ka ndodhur asgjë. Kjo do të marrë fund dhe do të marrë fund duke ju thënë që kjo Asamble nuk mund të jetë më një forum statik, që zgjidhet një herë në 4 vjet dhe vihet në Asamble për të ndjekur fjalimet dhe mbushet Asambleja plot kur ka ndryshime qeverie. Ne do të bëjmë Kongresin në mars dhe çdo anëtar i kësaj Asambleje do të duhet të tregojë në bazë të detyrave, atë që ka bërë, përndryshe nuk do të jetë më në Asamble”, deklaroi ai.

Më tej, Rama një paralajmërim e kishte edhe për anëtarët e Kryesisë, për të cilët kërkoi që të zbatojnë porositë e tij. Në të kundërt, i pari qeverisë deklaroi se këtë anëtarë nuk do të jenë më pjesë e Kryesisë, pasi do të shkarkohen gjatë mbledhjes së kongresit. “Çdo anëtar i kryesisë të partisë do të duhet të tregojë detyrat që ka bërë përndryshe nuk do të jetë më në kryesinë e partisë. Është një Kongres i radhës, por është një Kongres që do të lirojë nga detyra të gjithë anëtarët e Asamblesë, që deri në Kongres nuk do të adresojnë në atë pjesë që ju takon në vijën e frontit, ato që vendosen këtu. Ne nuk mund të perceptohemi si kastë dhe eksperienca jonë nuk mund të jetë alibi. Kur bëmë qeverinë e parë, shumëkush thoshte “janë pa eksperiencë”. Kur më pyesnin mua kush është cilësia më e mirë e ministrave të kabinetit tënd, u thoja se është mungesa e eksperiencës”, nënvizoi kryeministri Edi Rama. Ndërkohë, po dje në mbledhjen e Asamblesë së PS u vendos që Kongres do të mbahet në 23 mars dhe jo më 30 mars, sikundër u vendos në Kryesi.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here