Ekspozita “Prolog /Epilog” me vepra të skulptorit të njohur Kristo Krisiko në galerinë e artit FAB shoqëron publikun këto ditë të fundit të vitit. Kuruar nga profesorët Ardian Isufi dhe Sadik Spahija ekspozita prezanton vepra të ndryshme, që janë realizuar nga autori para ‘90 dhe pas këtyre viteve. Kuratori Ardian Isufi shprehet se Prolog i një kronike të paralajmëruar, që zhvillohet përgjatë një eksperience të gjatë artistike, vjen në krijimtarinë e Kristo Krisikos si një sintezë e qenies humane e përshkruar në mënyrë të dëlirë në kohë dhe hapësirë. “Hapësira kohore parë në rrafshin historik shtrihet në dekada të jetuara para-pas viteve ’90-të me shpërthime haluçinante të saj që fillimisht vinin si shkak-pasojë e izolimit komunist nën trysninë e rregullit të realizmit socialist të kushtëzuar në artet pamore duke u pasur në vitet e demokracisë në një arratisje në tokën helene, pra larg-afër vendit të tij”, tregon kuratori Isufi. Për krijimtarinë e skulptorit Kristo Krisiko kuratori Isufi vijon se nëse kolegë të tij rendën të ngrenë monumente të vetes nën efektin e temave të “njeriut të ri socialist”, kjo nuk ndodhi në veprat e tij.
“Qendra e qendrës në veprën e tij është figura femërore që sendërtohet në forma poetike dhe në të vërtetat e saj humane. Camille Clodel nën një analizë të mprehtë dhe radikale thotë: “Roden, ti je skulptor dhe jo skulpturë”. E pra, nëse shumë kolegë të tij sidomos në periudhën e realizmit socialist paradoksialisht rendën të ngrenë monumentin e vetes së tyre nën efektin e temave të mëdha të “njeriut të ri socialist”, ndodh e kundërta në krijimtarinë e Krisikos me çiltërsinë dhe modestinë e tij artistike duke prezantuar marrëdhënien njerëzore pothuajse në një rrafsh intim”, tregon kuratori Ardian Isufi. Koleksioni që prezantohet në këtë ekspozitë në galerinë e artit FAB sipas kuratorit Ardian Isufi e përmbledh këtë frymë lirie në çdo kohë apo periudhë të tij. “Duke nisur me projektin skuplturor në qeramikë të Bankës së Shqipërisë, që daton në fund të viteve ’80-të e deri në të përditshmen tonë postmoderme”, tregon ai. Epilog i një metamorfoze formash të abstraguara, apo thënë ndryshe “forma në zhvillim” shfaqin një qasje pothuajse të re në rrugëtimin artistik të viteve të fundit të skulptorit Kristo Krisiko. Ekspozita do të qëndrojë për publikun deri më datë 9 janar.