Spartak Ngjela: Shqipëria ka qenë e pushtuar nga korrupsioni politik, ka ardhur koha ta luftojmë

0
438

Avokati Spartak Ngjela kërkoi ditën e djeshme që të nisë lufta kundër korrupsionit sa më parë. Gjatë një interviste televizive, ai komentoi protestën e studentëve, ndërsa theksoi se kjo lëvizje erdhi për shkak të varfërisë dhe të qeverive të korruptuar në këto 28 vite. Sipas tij, ka ardhur koha që vendi të nxirret nga kriza, ndërsa shtoi se kryeministri Edi Rama ndodhet përpara sfidës nëse do e arrijë dot diçka të tillë. “A do të dalim dot nga kriza? Tani PS duhet të dalë nga kriza dhe të nxjerrë edhe vendin nga kriza. Kriza vjen nga varfëria. Beteja e studentëve është beteja kundër varfërisë dhe korrupsionit. Varfëria është paaftësi e të gjitha qeverive që në 28 vjet kanë rrokur korrupsionin dhe kanë harruar shoqërinë. Këtë thanë edhe studentët. Pati edhe një tendencë që me anë të tyre të krijohej një destabilizim, madje të korruptuarit e tjerë tentuan t’i rroknin. Por ata ishin në drejtimin e tyre. Duket qartë që Rama e ka kuptuar që është në krizë, të shohim a do të dalë dot nga kriza”, u shpreh avokati.

Duke e parë si diçka imediate daljen nga kriza, Spartak Ngjela theksoi se nëse diçka e tillë arrihet nga kryeministri Edi Rama, ai meriton të duartrokitet. Ai shtoi se studentët do të vijojnë protestën e tyre deri në përmbushjen e qëllimit, ndërsa nënvizoi se ata nuk do të lejojnë më lojëra politike dhe korrupsion. “Nëse e nxjerr vendin nga kriza, do meritonte lavde. Shoqëria shqiptare sot kërkon dhe ka nevojë për investime në intelekt. Që nga viti 1992 e deri më sot qeveritë s’e kanë dashur këtë. Do të kthejë rrugë për të lënë mbrapa këtë periudhë dhe ta kalojë shoqërinë shqiptare në rrugën e investimit në intelekt? Studentët treguan se janë njerëz me intelekt. Studentët i morën për rrecka dhe i hodhën në Lanë ata që tentuan t’i përçajnë. Ata ishin një masë kompakte dhe ishin të bindur se vetëm kështu do të arrihet përmbushja e qëllimit. Ata do të vijojnë protestën, por nuk do të pranojnë asnjë nga katër politikanët kryesorë. Shqiptarët kanë shumë shpresë tek ata dhe kanë të drejtë që të kenë shpresë sepse nuk i dinë dhe s’do i lejojnë lojërat politike dhe korrupsionin. Ata kanë hyrë në histori tani”, tha avokati Spartak Ngjela.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here