Ndryshojnë balancat në Parlament, Vangjel Dule del deputet i pavarur pas kalimit të Idrizit në opozitë, Robert Bitri zyrtarisht me PS

0
512

Opozita shqiptare vijon të rrudhet nga dita në ditë. Aleancat e fundit të Lulzim Bashës kanë sjellë vetëm tensione dhe përplasje. Kështu ndodhi kur u arrit pakti me Monika Kryemadhin, ndërsa e njëjta gjë ka ndodhur edhe pas afrimit të Shpëtim Idrizit. Ndonëse aleatët tradicionalë të Bashës lëshuan kritika për paktin me PDIU, më i revoltuari ishte kreu i PBDNJ, Vangjel Dule. Ai kërcënoi hapur Bashën se do të largohej nga aleanca me PD dhe së fundmi duket se e ka zyrtarizuar një gjë të tillë. Nëse bëhet një verifikim i thjeshtë në internet në faqen zyrtare të Parlamentit, Dule nuk rezulton pjesë e grupit parlamentar të PD, por ka dalë si deputet i pavarur. Pra ky është një sinjal se, afrimi i Idrizit në opozitë ka tensionuar marrëdhënien Basha-Dule. Pas afrimit të Idrizit, Dule zhvilloi një takim urgjent me Bashën, ku përmes një prononcimi për mediat paralajmëroi largimin nga PD. “Në një axhendë të tillë temat për diskutim ishin të shumta. Flasim për një axhendë politike aktuale jo për hamendësime. Ne kemi një profil të theksuar. Nuk besoj se ka hapësirë për interpretime. Vangjel Dule nuk ka asnjë kuptim nëse nuk është në shërbim të parimeve të partisë që përfaqëson. PDIU ka prioritetet e veta. PBDNJ në radhë të parë ka prioritetet e veta dhe për aq kohë janë në afrimitet me një forcë tjetër do të vijojë bashkëpunimi me PD-në. Që nga momenti që nuk ekziston kjo bazë e realitetit të zhvillimeve politike atëherë mungojnë premisat për një gjë të tillë. Besoj se isha i qartë”, është shprehur Dule mbas takimit me Bashën, në muajin shtator të këtij viti.

Bitri zyrtarisht deputet i PS

Përveç daljes së Dules si deputet i pavarur, një tjetër zhvillim ka ndodhur ditët e fundit. Gazeta e paralajmëroi pak kohë më parë se deputeti Robert Bitri është bashkuar me PS. Një gjë e tillë tani ka ndodhur dhe zyrtarisht. Fillimisht Bitri iku nga LSI dhe doli si i pavarur, ndërsa sipas faqes zyrtare të Kuvendit, Bitri është zyrtarisht deputet i PS. LSI ka marrë një goditje të fortë mbas bashkimit të Bitrit në strukturat e PS. Është e dukshme se pas largimit të Ilir Metës nga LSI, deputetët dhe këshilltarët nuk po i binden më Kryemadhit, sidomos pas aleancës me Bashën, dhe kanë filluar zyrtarisht largimet nga kjo parti. Sipas burimeve të gazetës, përveç largimit të Bitrit pritet që dhe disa deputetë të tjerë të LSI të largohen nga kjo forcë dhe të bashkohen më Partinë Socialiste ashtu siç bënë një numër i madh këshilltarësh nga radhët e LSI, të cilët pas braktisjes u bashkuan me socialistët. Veprime që po tregojnë se zyrtarisht ka nisur shkrirja e LSI.Lëvizja Socialiste për Integrim prej disa kohësh është përfshirë nga një krizë e brendshme. Edhe pse kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi e ka evituar këtë fakt, duke mos e pranuar një krizë e tillë, sa vjen dhe bëhet më e dukshme sidomos pas largimit të Robert Bitrit. Por edhe deputetë të tjerë të LSI, si Vangjel Tavo, Nasip Naço, Lefter Koka, Agron Çela dhe Edmond Haxhinasto, nuk kanë mbështetur mendimet e Kryemadhit përsa i takon aksionit opozitar. Me bashkimin e Bitrit në radhët e PS, mazhoranca shkon në 79 vota në sallën e Kuvendit. PS në zgjedhje doli me 74 deputetë. Me bashkimin e Robert Bitri dhe të Reme Lalës shkon në 76. Po ashtu kemi votën e Tom Doshit dhe të dy deputetëve të tjerë të PDIU. Pra në total bëhen 79 vota.

Elisjeda Kiko

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here