Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka bërë publike propozimet për ndryshimin e situatës së rënduar në arsimin shqiptar. Basha tha se ka dy rrugë për të dalë nga kriza ku ndodhen sot universitetet, anulimi i ligjit të arsimit të lartë dhe dyfishimi i buxhetit.
Kryeopozitari u shpreh se forca e tij politike synon që buxheti për arsimin ta rrisë me 74 milionë dollarë, ndërkohë qeveria e Edi Ramës e ka rritur buxhetin me vetëm 2 milionë dollarë.
“Ka dy rrugëdalje, e para është anulimi i ligjit të arsimit të lartë, që është zanafilla e së keqes. Ligji i arsimit të lartë, që kaloi përpos kundërshtimit të pedagogëve, studentëve dhe PD, është gurëthemeli ku qëndron kjo aferë korruptive. Drama në arsimin e lartë është kjo: shqiptarët kanë arsimin më të shtrenjtë në Europë dhe cilësinë më të dobët në botë.
Rruga e dytë është dyfishimi i buxhetit për arsimin e lartë. Rama e ka rritur buxhetin për arsimin me vetëm 2 milionë dollarë. Çfarë do të arrijë me kaq? Ne do realizojmë dyfishim të buxhetit për arsimin, pra 74 milionë dollarë më shumë seç janë planifikuar”, deklaroi Basha.
Sipas Bashës, kjo shifër është lehtësisht e arritshme, pasi kryeministri ka planifikuar të shpenzojë shumë më shumë para vetëm në katër afera korruptive.
Ndryshe nga Edi Rama, Lulzim Basha foli për nevojën e një ‘pakti të ri kombëtar zhvillimi’.