Kriza e Flamurtarit shpërthen në sipërfaqe, lojtarët “kërcënojnë” Idrizin për pagat e prapambetura

0
560

Flamurtari po kalon një moment të vështirë në kampionat, pasi ndeshjen e fundit humbi dhe jo vetëm kaq, por shfaqet me probleme serioze në menaxhimin financiar. Flitet për një krizë serioze financiare sepse lojtarët pretendojnë se nuk janë dhënë disa paga mujore. Gjithsesi, në valën e parë të ankesave qëndrojnë lojtarët e huaj, përfshi dhe kapitenin Bushiç. Edhe pse skuadra nuk ndodhet në pozita të vështira në klasifikim, sepse ndodhet pranë kryesuesve, me 9 pikë larg vendit të parë që mbahet nga Partizani, sërish problemet e brendshme mund të jenë shkaktare e vërtetë e një gjendjeje të paqëndrueshme dhe jo serioze për vazhdimësinë e ekipit vlonjat. Nëse çështja nuk zgjidhet shpejt, atëherë Flamurtari rrezikon të humbasë disa prej kualiteteve të grupit në merkaton e janarit dhe Kukësi e Partizani janë gati të rrëmbejnë këdo futbollist të skuadrave rivale që çojnë në prishjen e ekuilibrave të garës për rivalët dhe fuqizimin e tyre drejt objektivave madhorë të fundsezonit. Mësohet se lojtarët kanë sjellë ankesat e para në FSHF, por klubi e mohon këtë situatë, duke bërë të paditurin.

Gjendja dhe pagesat e prapambetura

Flamurtari ndodhet në vend të gjashtë në klasifikim dhe ka 28 pikë, por formula e garës dhe përplasja direkte me rivalët në dy raste,e i jep mundësinë të rikuperojë e të shpresojë që mund të bëjë goditjen e madhe për titullin në pjesën e dytë të sezonit. Pavarësisht humbjes me Tiranën në javën e fundit të gjysmës së kampionatit, Flamurtari është sërish aty pranë zonës europiane dhe në garë për të arritur objektivin. 28 pikë të grumbulluara në 18 javë, fitore ndaj pretendentëve për titull si Partizani dhe dy herë Kukësi janë rezultate që të bëjnë të mendosh se kjo skuadër ka potencialin për të arritur gjëra të mëdha. Sigurisht që edhe përbërja e ekipit dhe fakti që drejtohen nga trajneri kampion Ilir Daja i katapulton kuqezinjtë si një nga ekipet më të forta të kampionatit. Kuqezinjtë kanë kaluar dy faza mes shumë vështirësive, ambientimi i lojtarëve të afruar në merkato, mungesat e shumta për arsye dëmtimesh dhe mbi të gjitha mungesa e financave. Sigurisht që kjo e fundit nuk është diçka e re në Vlorë pasi ekipi në gjithë këto vite ka vuajtur vonesat në pagesa ashtu si një pjesë e mirë e skuadrave, por tashmë lojtarët shpresojnë që babagjyshi i Vitit të Ri të sjellë dhuratën e duhur, pagesat e munguara në mënyrë që vazhdimësia të jetë e sigurtë në qytetin bregdetar. Një pjesë e mirë e futbollistëve kanë bërë gati kërkesën për tu larguar dhe vetëm respektimi i kontratës mund t’i mbajë ata në Vlorë. Tashmë i takon Babagjyshit të vitit të ri të vendosë për të ardhmen, pasi gjithçka varet nga dhurata që do ti bëjë ekipit të Flamurtarit dhe Vlorës, pasi skuadra shihet si krenaria e qytetit.

E ardhmja dhe rreziku i objektivave

Trajneri Ilir Daja është në garë për titullin kampion dhe për trofeun e Kupës së Shqipërisë, por vështirë se Flamurtari i tij do t’ia dalë të krijojë reputacionin e duhur në garë nëse vijojnë problemet e pagesave të prapambetura. Në këtë kundërshti janë ngritur të paktën dy lojtarë titullarë e me peshë të skuadrës, që të dy sulmues, Bushiç dhe Danilo Alvesh. Ky i fundit kishte ardhur në formë javët e fundit dhe kishte peshë në sukseset e grupit. Edhe pse dukshëm në mbipeshë, braziliani ishte një armë e fortë në paravijën e formacionit të teknikut Daja. Gjithsesi, objektivat e Flamurtarit janë të realizueshëm nëse skuadra paguhet rregullisht dhe nëse lojtarët bëjnë një fazë përgatitore serioze për pjesën e dytë të sezonit. Administratori Sinan Idrizi ka shprehur habi për protestën e futbollistëve, duke pretenduar se Flamurtari nuk vuan për financa, por ai ende nuk i ka dhënë drejtim zgjidhjes së kësaj situate, e cila mund të ketë ndikim negativ në objektivat e klubit në tërësi.

Adriatik BALLA

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here