Kolegji i Posaçëm i Apelimit po rifreskon stafin. Teksa për këtë vit puna e tyre është mbyllur sepse kanë marrë pushimet dimërore, viti 2019 pritet të jetë shumë i ngjeshur me punë sepse janë shumë çështje që presin për shqyrtim. Me qëllim kryerjen e një pune sa më efikase, KPA ka nxjerrë në faqen e saj zyrtare njoftime ku kërkon të punësojë njerëz të rinj. Një nga vendet e lira për të cilat mund të aplikohet është për përkthyes.
“Ai duhet të zotërojë diplomë të nivelit “Master Shkencor” në Gjuhë të Huaja, Dega Anglisht ose Drejtësi dhe të ketë minimum 5 vjet eksperiencë në përkthim Shqip- Anglisht – Shqip; Të ketë njohuri shumë të mira në terminologjinë ligjore në të dyja gjuhët; Kanë përparësi kandidatët me eksperiencë pune pranë organizatave ndërkombëtare. Kandidatët duhet të sigurohen se plotësojnë kriteret për tu pajisur me Certifikate Sigurie. Kandidatët duhet të kenë aftësi për tu përshtatur e punuar në grup, nën presion si dhe në afate kohore të limituara. Të gjithë aplikimet duhet të dorëzohen nga data 24 dhjetor deri më 10 janar 2019”, thuhet në njoftimin e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit.
Ndërkohë, organi kolegjial po kërkon të punësojë edhe dy këshilltarë ligjorë, nga ku njëri do të qëndrojë në detyrë sa gjyqtarët e KPA, ndërsa tjetri do të jetë i punësuar për një periudhë jo më pak se 6 muaj dhe jo më shumë se një vit. “Ai duhet të ketë përfunduar ciklin e dytë të studimeve universitare për drejtësi me diplomë “Master i shkencave” në Shqipëri ose studimet universitare për drejtësi jashtë vendit dhe ka marrë një diplomë të njësuar sipas rregullave për njësimin e diplomave, të parashikuar me ligj;Të ketë një përvojë pune në sistemin e drejtësisë ose administratën publike jo më pak se 7 vjet; Të mos jetë i dënuar me vendim të formës së prerë për kryerjen e një krimi, si dhe për kryerjen e një kundërvajtjeje penale me dashje, ose ndaj tij të mos ketë nisur një hetim penal; Ndaj tij të mos jetë marrë masa disiplinore e largimit nga puna ose ndonjë masë tjetër disiplinore, e cila është ende në fuqi, sipas legjislacionit, në momentin e aplikimit; Të zotërojë shumë mirë gjuhën angleze”, thuhet në njoftimin e KPA.