Franca siguroi titullin kampion në Kupën e Botës të zhvilluar në Rusi në verën e vitit 2018, duke u ngjitur në majën e futbollit botëror për këtë edicion. Në fakt, ky ishte trofeu i dytë për francezët, të cilët e kishin fituar kupën e parë të botës në vitin 1998, me një brez të artë futbollistësh që kryesoheshin nga legjenda Zinedin Zidane. Këtë edicion, në radhët e “gjelave” francezë ka milituar një lojtar me moshë fare të re, vetëm 19 vjeç, Kilian Mbape, që bëri një Botëror fantastik dhe ishte madje lojtari më i mirë i ri i Botërorit “Rusi-2018”. Mbape vinte pas një sezoni mjaft të mirë me Paris Saint Germain, por edhe në Champions League. Ai fitoi në Francë çdo titull të mundshëm dhe në Botëror u kuotua edhe si një prej zbulimeve më të mëdha. Ishte i riu më i mirë dhe u kandidua për “Topin e Artë”, krahas Luka Modriçit, Kristiano Ronaldos e Antuan Griezmanit. Pikërisht me këtë të fundit ka fituar edhe trofeun e lojtarit më të mirë francez për vitin 2018, duke ngjallur një farë zilie në gjirin e grupit të trajnerit Didier Deshamps. Dhe për ironi, çmimin e lojtarit më të mirë francez për këtë vit e ka dhënë “France Football”, revista e shquar franceze që organizon edhe dhënien e çmimit të madh të “Topit të Artë” për lojtarin më të mirë në botë.
Vlerësimi
Sulmuesi i Paris Saint Germain dhe kombëtares franceze, Kilian Mbape, shpallet futbollisti më i mirë francez për vitin 2018, sipas revistës prestigjioze “France Football”, që jep gjithashtu çmimin e “Topit të Artë”. 20-vjeçari ka lënë pas krahëve dy shokët e skuadrës tek kombëtarja, me të cilët u shpall kampion bote, Rafael Varane dhe Antuan Griezman. Në 2017, lojtari më i mirë francez u shpall mesfushori i Çelsi, N’Golo Kante. Ky vit ka qenë i shkëlqyer për lojtarin e Paris Saint Germain, që përveç Botërorit me “Les Bleus”, fitoi gjithashtu kampionatin dhe Kupën e Francës me klubin e tij. Në total, Mbape ka shënuar 34 gola gjatë gjithë 2018, 25 me PSG dhe 9 me kombëtaren. Ky është çmimi i dytë që ish-futbollisti i Monako merr nga “France Football”, pas “Trofeut Kopa”, si lojtari i ri më i mirë. Kur fitoi atë çmim, Mbape madje deklaroi se ky ishte vetëm fillimi i diçkaje të bukur, dhe 2018 nuk do të jetë një vit unik. Mbape konsiderohet si një prej talenteve më të mëdhenj në histori, ku që në fillim të karrierës së tij ka fituar jashtëzakonisht shumë. Madje, vetë legjenda braziliane, Pele, e ka krahasuar veten me të riun francez, duke u shprehur se në të ardhmen ai do të konsiderohet si një prej më të mirëve në të gjitha kohërat. Mbetet të shihet ecuria e mëtejshme e talentit francez, por të paktën në dy vitet e fundit, edhe pse në një moshë fare të re, ai ka shkëlqyer në të gjithë dimensionin e tij sportiv, një lojtar ku gërshetohet talenti dhe puna e madhe. Një çmim mëse i merituar, për më tepër që “zhduku” nga qarkullimi Antuan Griezman, të cilit ia zbehu arritjet.
Adriatik BALLA