Presidenti amerikan Donald Trump ka rënduar insistuar dje se mbyllja e pjesshme e qeverisë do të vazhdojë deri në plotësimin e kërkesës së tij për financimin e murit kufitar me Meksikën. Duke insistuar të mos firmosë buxhetin pa financat e kërkuara për murin në kufirin jugor, Trump tha se mbyllja e agjencive qeveritare mund të vazhdojë shumë gjatë. “Nuk mund të them se kur do rihapet qeveria, për këtë duhet të kemi murin kufitar, ose gardhin, çfarëdo që duan ta quajnë ata. Është barriera jonë për të ndalur që njerëzit të vërshojnë brenda, dhe për të ndaluar drogat”, tha Trump, i cili u akuzua nga mediat dhe demokratët se po prishte frymën e Krishtlindjeve. Rreth çereku i programeve federale të qeverisë, duke përfshirë departamentin e sigurisë, të drejtësisë e bujqësisë janë mbyllur prej të premtes. Komentet e Trump vijnë pas akuzave të demokratëve se me veprimet e tij po fut vendin në kaos. “Jemi në Krishtlindje dhe presidenti fut vendin në kaos duke nisur një luftë personale me Rezervën Federale”, thonin në një deklaratë kryetarja e Kongresit, Nancy Pelosi, dhe kreu i minorancës demokrate të Senatit. Chuck Schumer. Mirëpo Trump u përgjigj se dhe mijëra punonjës federalë që janë pezulluar prej mbylljes së qeverisë, janë dakord me ndërtimin e murit, por nuk përmendi prova për këtë.
Ritet e Krishtlindjeve
Presidenti Donald Trump e filloi dje Ditën e Krishtlindjeve në Shtëpinë e Bardhë, duke u thënë gazetarëve se nuk ka ende përparim për arritjen e një marrëveshjeje për buxhetin federal, ndërsa qeveria amerikane është tashmë në ditën e katërt të mbylljes së pjesshme. Presidenti dhe Zonja e Parë Melania morën pjesë në një meshë të vigjiljes së Krishtlindjes në Uashington, pasi anulluan pushimet në Florida për shkak të ngërçit me Kongresin. Trump nuk ishte shfaqur në televizion ditët e fundit, por e preku çështjen ndërsa po u përgjigjej telefonatave të fëmijëve dashamirës në prag të Krishtlindjes. “Asgjë e re për mbylljen e qeverisë. Asgjë e re, përveçse që na duhet siguria e kufirit”, u tha ai gazetarëve. Kreu i grupit demokrat të Senatit, Chuck Schumer, tha se mbyllja e qeverisë nuk lidhje me sigurinë kombëtare në të vërtetë. “Administrata Trump as nuk ka shpenzuar dot fondet për sigurinë kufitare të vitit të kaluar. Pra, mbyllja e qeverisë prej tij nuk ka lidhje me sigurinë kufitare. Kjo po ndodh pasi Presidenti Trump kërkon miliarda dollarë për një mur të kushtueshëm dhe joefikas që shumica e amerikanëve nuk e mbështesin”, deklaroi Schumer.
Muri i kushtueshëm
Presidenti Trump kërkon nga buxheti 5 miliardë dollarë për ngritjen e një muri përgjatë kufirit SHBA – Meksikë, por demokratët kanë refuzuar kategorikisht dhe kanë ofruar 1.3 miliardë dollarë për sigurinë kufitare. Shuma e llogaritur nga demokratët është qesharake dhe madje 5 miliardët e kërkuara nga Trump nuk dihet me siguri nëse mbulojnë kostot e murit prej rreth 3000 kilometrash. Llogaritje të tjera nga ekspertë të Kongresit e kanë vlerësuar sipërmarrjen nga 8, 10, 12 deri në 16 miliardë dollarë. Trump madje ka publikuar dhe disa ide për murin që do të dëshironte, nga ku më të kritikuarat ishte ajo që presidenti përshkruante si ‘mur shumë i lartë, me gjemba të shpeshta dhe të mprehta në pjesën e epërme”. “Dizajni i barrierës me shufra të hekurit, e cila do të jetë shumë efektive dhe në të njëjtën kohë e bukur”, shkroi Trumpi në Tuitter. Komente të tilla skandaloze presidenti amerikan kishte bërë edhe me rastin e fillimit të fushatës bombarduese në Siri, duke i lavdëruar mjetet ushtarake dhe duke thënë se bombat amerikane janë inteligjente.
Andi Lamko