PD “shpërthen” ndaj Veliajt: Ka filluar të japë lejet e para të ndërtimit për mikun e tij, ktheu Tiranën në lavatriçe pastrimi parash

0
524

Partia Demokratike ka vijuar edhe ditën e djeshme me akuzuat dhe sulmet e saj në adresë të kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj. Ka qenë zëdhënësja e PD, Ina Zhupa dhe Gazmend Bardhi, ekspert për Çështjet Ligjore në Partinë Demokratike, ata të cilët gjatë një deklarate për mediat nga selia blu, denoncuan sërish atë që e quajtën afera korruptive në Unazën e Re. Këshilltari Bardhi deklaroi se kryebashkiaku Erion Veliaj ka mashtruar, ndërsa sipas tij Bashkia e Tiranës ka miratuar fazën e parë të pajisjes me leje ndërtimi për projektin 60 milionë euro, që ndryshoi Planin Urbanistik dhe projektin e Lanës. “Në 3 vjet, lavatriçja e pastrimit të parave ka punuar me lejet e ndërtimit të firmosur nga Erion Veliaj. Kullë 40 kate tek ETC-ja, kullë 30 kate pas Hotel Tiranës, kullë 21 kate pas Sahatit, kullë 28 kate, Syri i Tiranës në qendër të kryeqytetit, kullë prapa Presidencës, kullë në ish bllok, kulla tek parku i Liqenit, kullë tek hotel Dajti, kullë 24 kate tek ish Muzeu i Shkencave të Natyrës. Siç mashtroi qytetarët e Tiranës se gjatë mandatit të tij do të kishte zero ndërtime në kryeqytetet, njësoj po mashtron edhe sot Erion Veliaj se nuk ekziston projekti 60 milionë euro. i cili e detyroi Kryetarin e Bashkisë së Tiranës të ndryshojë Planin Urbanistik dhe projektin për Lumin e Lanës. Mashtrimi, propaganda dhe presioni ndaj mediave nuk e mbulojnë dot të vërtetën se Plani Urbanistik i Tiranës dhe Projekti i Lanës u ndryshua me firmat e çiftit më të korruptuar të politikanëve në Europë, Edi Rama dhe Erion Veliaj”, deklaroi Bardhi. Ndërsa Zhupa më tej, publikoi një material video, që sipas saj, provon miratimin e fazës së parë së projektit që është autentik dhe ku është planifikuar të ndërtohet kompleksi rezidencial me pallate nga Bego. “Sot do t’ju provojmë me dokumente zyrtarë se Erion Veliaj ka mashtruar dhe se bashkia e tij e ka miratuar fazën e parë të pajisjes me leje ndërtimi për këtë projekt. Materiali video është autentik, i marrë nga sistemi elektronik i Agjencisë Kombëtare të Planifikimit të Territorit. Në sistem prona që detyroi Edi Ramën dhe Erion Veliajn të ndryshojnë Planin Urbanistik të Tiranës dhe projektin për Lumin Lanë pranë zonës së Unazës së Re rezulton se ka kaluar fazën e parë të pajisjes me leje ndërtimi. Pas miratimit të fazës së parë, pajisja me leje ndërtimi e projektit 60 milionë euro që devijoi lumen e Lanës është vetëm formalitet. Erion Veliaj nuk mund ta mbulojë këtë të vërtetë me asnjë mashtrim, propagandë apo me blerje mediash”, deklaroi Zhupa.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here