Muzeu “Gjon Mili”, që i kushtohet figurës së fotografit korçar me teknikën e tij unike të fotografimit me dritë u çel në qytetin e Korçës. Në muzeun e rikonstruktuar, ekspozohen 240 fotografi të mjeshtrit botëror të fotografisë me origjinë shqiptare Gjon Mili, thënie të tij apo të njerëzve të tjerë, që janë shprehur për të, ekspozitorë me elemente nga jeta e tij apo e kohës që jetoi. Fotografi Gjon Mili u lind më 24 nëntor 1904 në Korçë. Në moshën 5 vjeçare familja e tij emigroi në Rumani. Atje Mili ku kreu shkollën e mesme dhe në moshën 19 vjeçare u nis drejt Amerikës. U diplomua në Institutin e Teknologjisë së Masaçusetit inxhinier ndriçimi. Gjatë kësaj kohe u mor me artin fotografik. Emri i tij është jo pak i njohur në Amerikë dhe Francë. Rëndësi në jetën e tij pati njohja e miqësia me Faik Konicën, i cili e nxiti të drejtonte krijimtarinë në fushën e artit. Për 15 vjet ka punuar fotoreporter për revistën e njohur amerikane “Life”, në 1946 hapi në Paris ekspozitën vetjake, ndërsa në 1942 ai fotografoi predhën e një topi avioni kalibër 37 milimetra me një kohë ekspozimi për një të miliontën pjesë të sekondës. Kjo foto u quajt nga shtypi i kohës si shpikja e kohës. Pikaso duke vizatuar në dritë dhe një ndeshje basketbolli janë dy nga fotografitë e tij të famshme, e para është renditur ndër 500 fotografitë më të mira të botës për 150 vjet, për albumin “Photo book”, Londër 2002. Gjon Mili njihet si fotografi që përdori për herë të parë flashin elektronik dhe fotografimin e lëvizjes. Gjon Mili është marrë edhe me kinematografi, duke xhiruar me skenar të vet gjashtë filma dokumentarë. Ka pasqyruar në fotoportrete interesante figura të tilla të artit e kulturës botërore si regjisorin Hitchcock, kompozitorin Stravinski, dramaturgun Sean O’Kejsi, piktorin Brak, pianistin Rubinstein, dramaturgun Jonesko, këngëtarët Frank Sinatra dhe Pol Robson etj. Ekspozitën e parë vetjake Mili e ka hapur me 1934, ndërsa të fundit, më të zgjedhurat e gjithë krijimtarisë me 140 foto, më 1980 në Nju Jork me rastin e 75-vjetorit të lindjes. Gjon Mili vdiq në Stamford, Connecticut, SHBA më 14 shkurt të vitit 1984.