Dalin shifrat për dekriminalizimin, 32 deputetë kanë ndryshuar identitet, 3 janë dënuar nga gjykata, 7 rezultojnë të ndaluar dhe arrestuar

    0
    431

    Deputetët e dënuar dhe të akuzuar vijojnë të jenë ende prezent në Parlamentin shqiptar. Dy vite më parë u miratua ligji për dekriminalizimin, qëllimi i të cilit ishte për të larguar personat e dënuar apo të shpallur në kërkim. Ligji dha efekt në disa fusha, sidomos në këshillat bashkiakë, të cilat ishin mbushur me persona të dënuar. Efekti u shtri dhe në Parlament, pasi disa deputetë dorëzuan mandatin. Në zgjedhjet e qershorit 2017 hynë në Parlament shumë emra të rinj. Asnjë prej tyre nuk ka kryer krime që të përfshihen te pjesa e heqjes së mandatit, megjithatë ka emra që kanë ndryshuar identitet, apo dhe janë akuzuar për vepra të ndryshme. “Open Data” ka publikuar dje të dhënat më të fundit sa i takon dekriminalizimit dhe rezulton se janë 32 deputetë që kanë ndryshuar identitet. Mes tyre ka dhe deputete femra, por duhet sqaruar se thuajse të gjitha kanë ndryshuar mbiemrat për shkak të martesave. Në bazë të deklarimeve që vetë deputetët kanë bërë në formularin e dekriminalizimit, rezulton se janë 3 deputetë me dënim të formës së prerë. Janë hetuar dhe gjykuar 5 prej tyre, ndërsa janë ndaluar apo arrestuar 7 prej tyre. Masë sigurie është dhënë për 6 emra, ndërsa rezulton se me vendbanim jashtë janë 80 deputetë.

    Emrat me identitete të ndryshuar

    Mes emrave që kanë ndryshuar identitet, mund të përmenden raste si Andon Frrokaj. Ai e ka pasur dikur emrin Anton Biba, ndërsa vendlindje dikur ka deklaruar Pejën, ndërsa së fundmi Krujën. Po ashtu duhen përmendur Edi Rama dhe Lulzim Basha. Kryeministri e ka pasur Edvin emrin, ndërsa kreu demokrat e ka pasur emrin Lulëzim. Fatmir Mediu e ka pasur mbiemrin Mehdihoxha, ndërsa deputeti Ilir Xhagolli e ka pasur mbiemrin Xhago. Luan Harusha dikur e ka pasur mbiemrin Selmani, ndërsa Musa Ulqini mbiemrin e ka pasur Dobrovoda. Ndërkohë ka shumë deputetë që rezultojnë me identitet të ndryshuar për shkak të gabimeve në zyrën e gjendjes civile.

    Emrat e dënuar

    Nga deklarimet që kanë bërë të gjithë deputetët rezulton se 3 emra janë dënuar me vendim të formës së prerë. I pari është deputeti Dritan Bici, dënuar për mosbindje ndaj urdhrit të punonjësit të rendit publik, neni 242 i Kodit Penal. Një tjetër emër është Edi Paloka, i cili u dënua në gjyqin me kryeministrin Edi Rama. Paloka, në atë kohë kryetar i grupit parlamentar të PD, akuzoi Ramën se ishte i lidhur me krimin dhe Shullazin. Rama e paditi për shpifje në Gjykatën e Lartë. Kjo fundit e dënoi me gjobë duke e nxjerrë fajtor. Emri i fundit është Tom Doshi i dënuar për sjellje e padenjë në shoqëri, por kjo ka ndodhur kur ka qenë në moshë të re.

    Përplasjet për dekriminalizimin

    Procesi i dekriminalizimit ka shkaktuar shumë përplasje në vend, madje dhe mes institucioneve. Një vit më parë prokurori nisi procedimin penal ndaj Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, duke ngritur dyshime se nuk ka bërë detyrën sa i takon zbatimit të ligjit të dekriminalizimit. Në kohën kur u kërkua heqja e mandatit për Armando Prengën, prokuroria është shprehur se KQZ nuk ka bërë si duhet verifikimet për të. “Informohemi nga KQZ se subjekti nuk ka deklaruar një vendim të formës së prerë brenda territorit të Republikës së Shqipërisë. Këtë informacion, KQZ e ka disponuar në 27.05.2016 me anë të një vërtetimi të Gjendjes Gjyqësore. KQZ duhet të kishte bërë kallëzim penal menjëherë pas këtij konstatimi, pra në Maj 2016, pasi subjekti ka konsumuar veprën penale të parashikuar nga neni 190 i Kodit Penal. Deri më sot, KQZ nuk e ka kryer këtë detyrim ligjor”, shprehej prokuroria në atë kohë.

    Kliti Topalli

    LEAVE A REPLY

    Please enter your comment!
    Please enter your name here