Largimi i Hoze Murinjos nga drejtimi i Mançester Junajtid ka marrë vëmendjen e mediave më të mëdha botërore, që e kishin lajm të parë të tyre. Prej ditësh situata ishte e komplikuar, por humbja e fundit me Liverpulin bëri që trajneri të shkarkohet. Por mediat britanike kanë befasuar me gjetjet e tyre, kiu flitet për një vendim të marrë në dhomat e zhveshjes nga vetë futbollistët. Kështu, lojtarët e Mançester Junajtid u gëzuan mjaft shumë kur e morën lajmi se Hoze Murinjo ishte shkarkuar. Madje “The Mirror” raporton se ata kishin festuar së bashku në zhveshtore. Para se të merrej vendimi për shkarkimin e portugezit, drejtori ekzekutiv i Mançester Junajtid, Ed Vuduard, ishte takuar me futbollistët për t’i pyetur ata për mendimin e tyre për Murinjon, dhe vetëm dy prej tyre, Romelu Lukaku dhe Nemanja Matiç, e kishte mbajtur anën e portugezit. Pogba ishte futbollisti i cili kishte festuar më së shumti pasi që marrëdhënia e tij me trajnerin tanimë ishte prishur plotësisht. Megjithatë, problemet mes këtyre të dyve përfunduan dje, kur u bë e ditur se Murinjo ishte shkarkuar. Ky lajm kishte ndikuar në mënyrë dramatike në atmosferën në qendrën stërvitore të Mançester Junajtid, Karrington. Pogba ishte lideri i festimeve në zhveshtore, përderisa edhe shumë lojtarë të tjerë nuk mund ta fshihnin gëzimin e tyre. “Askush nuk dëshiron që dikush ta humbë punën, por ishte një atmosferë plotësisht e ndryshme pasi që lojtarët ishin të lumtur përsëri, ishin duke buzëqeshur edhe kur vazhduan me stërvitjet”, ka thënë një burim i “The Mirror”. “Atmosferë mes një dite më parë dhe asaj dite ishte sikur nata me ditën”.
Ndërkohë, Ish-sulmuesi legjendar i Mançester Junajtid, Ole Gunar Solskjaer, tanimë është emëruar si trajner i përkohshëm deri në fund të këtij sezoni. Në maj të këtij viti, norvegjezi do të kthehet te klubi të cilin e drejtonte deri në dje, Molden norvegjeze. Pra Solsjkajer është i përkohshëm në krye të “Djajve të kuq”. Nga ana tjetër, Murinjo ka folur për herë të parë që prej shkarkimit dy ditë më parë. Ai ka kërkuar ta lenë të qetë në jetën e tij, por nuk ka qëndruar pasiv në deklaratë, duke thënë se ndihej krenar që e ka drejtuar skuadrën e Mançester Junajtid. “Kam qenë thellësisht krenar që e kam mbajtur logon e Mançester Junajtid që nga dita e parë që erdha këtu dhe besoj se të gjithë tifozët e Mançester Junajtid e kuptojnë këtë gjë. Si te dy klubet e mia paraprake, kam punuar me disa njerëz të mrekullueshëm dhe besoj se disa nga ta do t’i kem shokë për të gjithë jetën”, thuhet në qëndrimin e Murinjos. Më pas portugezi theksoi se nuk do ta bënte kurrë që të kritikonte kolegët dhe të merrej me jetën e tyre, edhe pse të gjithë e dinë që Murinjo është “mbreti” i batutave dhe njeriu që krijon vazhdimisht debat, aq sa e ka të vështirë të qëndrojë larg debatit. “E di se ju jeni të gjithë të vetëdijshëm se cilat janë principet e mia si profesionist. Çdo herë që mbyllet një kapitull, unë e shfaqi respektin tim më të thellë dhe nuk bëj asnjë koment për ish-kolegët e mi. Shpresoj se mediat do ta respektojnë qëndrimin time dhe do të më lejojnë ta jetoj një jetë normal deri në momentin kur unë vendosi t’i kthehem futbollit. Urime Krishtlindjet”, shkruan më tej tekniku portugez Hoze Murinjo.
Adriatik BALLA