Në skenën e Universitetit të Arteve mbrëmë u shfaq koncerti “Legjenda në poezi e tinguj”, në kuadër të vitit jubilar të heroit tonë kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu. Për publikun në skenë interpretuan solistët Fatma Spahiu në piano, Dardan Osmani në violinë, Idlir Shyti në cello dhe bas Sokol Hidershaj. Koncerti ishte me pjesëmarrjen e veçantë të aktorit Gëzim Rudi dhe violinistit Fatos Bardulla, në poezitë kushtuar heroit nga Pier Ronsard, Fan Noli, etj. Mbrëmjes koncertore nuk i mungoi edhe Ansambli i Harqeve i Universitetit të Arteve.
Në skenë u interpretuan arie nga “Opera Skënderbeu” Prenk Jakova, Ephistoricus sonatë për violinë e pianoforte nga Artan Liçaj, Isak Shehu temë e variacione për orkestër harqesh, Çesk Zadeja temë e variacione për pianoforte e harqe. Koncerti që bëri bashkë mbrëmë artistët e njohur vjen në kuadër dhe të tjera veprimtarive që janë zhvilluar gjatë kësaj kohe për Vitin e Skënderbeut.Opera e dytë e Prenk Jakovës “Gjergj Kastrioti-Skënderbeu” u prit shumë mirë nga kolegët e dashamirësit e artit, që në shfaqjen e tij të parë në Tiranë, por kritika zyrtare e detyrua të ripunojë disa pjesë kompozitorin. Gjithsesi vepra “Gjergj Kastrioti-Skënderbeu” ishte shumë me solide se “Mrika”.
Edhe pse kanë kaluar dekada nga koha kur kompozitori Prenk Jakova shkroi veprat e tij, ato vazhdojnë të admirohen, ndërsa krijuesi i tyre konsiderohet në mënyrë të padyshimtë nga shtypi dhe kritika e artit, si kompozitori gjenial shqiptar. Kjo natyrisht përbën një sadisfaksion të madh për qytetarët shkodranë në mes të cilëve, u lind, jetoi dhe krijoj mjeshtri i madh Prenk Jakova.Kompozitor i shquar dhe themeluesi i gjinisë së operës kombëtare shqiptare, me dy veprat e tij “Gjergj Kastrioti-Skënderbeu” dhe “Mrika”. Kjo e fundit ishte opera e parë në historinë e artit muzikor shqiptar, të cilën Prenk Jakova e krijoj në bashkëpunim me libretistin Llazar Siliqi dhe regjisorin e njohur shkodran Andrea Skanjeti. Prenk Jakova ishte një kompozitor që krijoj me sukses romanca, kantata dhe këngë. Këngët e tij “Syrin tek qershia” dhe “Margjelo” janë shumë të njohura, dhe për shkak të popullaritetit që gëzojnë shumë kush i identifikon si këngë popullore shkodrane.