Qeveria Shqiptare në një vendim të miratuar sot ka vendosur që të japë shpërblim për disa kategori të veçanta për festat e fundvitit. Në vendim thuhet se shpërblim për festat e fundvitit do marrin edhe familjet me ndihmë ekonomike si dhe personat me aftësi të kufizuara. VENDIM PËR SHPËRBLIMIN DHE KOMPENSIMIN E DISA KATEGORIVE TË VEÇANTA PËR FESTAT E FUNDVITIT 2018 Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 5, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të ligjit nr.109/2017, “Për buxhetin e vitit 2017”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave V E N D O S I: 1. Përfituesit nga skema e ndihmës ekonomike dhe paaftësisë kompensohen financiarisht, për vitin 2018, në masën 3 000 (tre mijë) lekë, të ndarë sipas kategorive të mëposhtme: a) Familje, të cilat trajtohen me ndihmë ekonomike;b) Familje, të cilat kanë në përbërje të tyre anëtarë me aftësi të kufizuara, të lindur ose të bërë të tillë, të cilët deklarohen të paaftë për punë me vendim të KMCAP-së, sipas pikës 3, të nenit 7, të ligjit nr.9355, datë 10.3.2005, “Për ndihmën dhe shërbimet shoqërore”, të ndryshuar;c) Individët përfitues të statusit, sipas ligjit nr.8626, datë 22.6.2000, “Statusi i invalidit paraplegjik dhe tetraplegjik”, të ndryshuar;ç) Individët përfitues të statusit, sipas ligjit nr.8098, datë 28.3.1996, “Për statusin e të verbrit”, të ndryshuar. 2. Efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi, llogariten në shumën 396 147 000 (treqind e nëntëdhjetë e gjashtë milionë e njëqind e dyzet e shtatë mijë) lekë dhe përballohen nga buxheti i ministrisë përgjegjëse për çështjet sociale, miratuar për vitin 2018. 3. Ngarkohen Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe Ministria e Financave dhe Ekonomisë për zbatimin e këtij vendimi. Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”. K R Y E M I N I S T R I EDI RAMA Në mungesë dhe me porosi ZËVENDËSKRYEMINISTRI SENIDA MESI