Përshpejtohet reforma në drejtësi, KPK fut në veting 7 gjyqtarë dhe prokurorë brenda 3 ditëve, KLP zhvillon sot seancën e parë

0
509

Reforma në drejtësi është futur në shinat e duhura. Komisioni i Pavarur i Kualifikimit është rikthyer me vrull tek seancat dëgjimore me prokurorët dhe gjykatësit e shortuar në kuadër të procesit të vetingut. Gjatë këtyre javëve kanë qenë shumë ta pakta seancat e zhvilluara, maksimumi dy të tilla në një javë. Por kjo javë do të jetë mjaft e ngjeshur për komisionin e vetingut sepse vetëm gjatë ditës së sotme do të zhvillohen tri seanca dëgjimore. Sipas njoftimit në faqen zyrtare të KPK, sot do të kalojnë në sitë kryegjyqtari i Korçës, Admir Belishta, kryetari i Gjykatës së Beratit, Agron Vavla dhe prokurori i Prokurorisë së Përgjithshme, Adnand Kosova. Edhe gjatë ditës së djeshme u zhvilluan po ashtu tri seanca dëgjimore, ku para trupës gjykuese dhanë sqarime kryetarja e Prokurorisë së Beratit, Eloida Goxhi, prokurori i Prokurorisë së Përgjithshme, Alfred Progonati dhe kryetari i Gjykatës së Pukës, Izet Kadana. Ndërsa të enjten në sitë do të kalojë kryegjyqtari i Shkodrës, Arben Zefi. Kjo do të thotë se brenda tri ditëve Komisioni i Pavarur i Kualifikimit po fut në veting shtatë gjyqtarë dhe prokurorë, të cilët do të japin llogari për pasurinë, figurën dhe aftësitë profesionale. Sipas burimeve të gazetës, arsyeja pse KPK tani është kthyer me vrull tek seancat dëgjimore është fakti sepse është mbyllur procesi i verifikimit për dy lista prioritare, pjesë të së cilave janë 72 gjyqtarë dhe prokurorë.

Seancat e djeshme

Sa iu takon seancave të zhvilluara dje, vetëm dy prokurorët duket se do të rikonfirmohen. Bëhet fjalë për Eloida Goxhin dhe Alfred Progonatin, të cilët u përballën pa probleme me trupën gjykuese. Krejt ndryshe duket situata për gjyqtarin Izet Kadana, i cili rezultoi me probleme në të tri kriteret. Në lidhje me pasurinë, hetimi administrativ kishte zbuluar disa probleme, përfshirë një diferencë shpenzimesh të pajustifikuara me të ardhura në masën prej afro 1.2 milionë lekë, një kredi të marrë nga bashkëshortja të masën 700 mijë lekë si dhe dy hua që gjyqtari i ka dhënë personave të tjerë me vlerë totale prej 8.4 milionë lekësh, për të cilat, komisioni i vetingut gjykon se i mungojnë burimet financiare. Sa i takon integritetit të figurës, subjekti u mësua se ka një vëlla dhe shumë nipër të hetuar për krim të organizuar, trafik droge dhe pastrim të produkteve të veprës penale. Probleme ai pati edhe me etikën profesionale, ku trupa gjykuese relatoi se Kadana kishte pasur një shkëmbim me 19 mesazhe telefonike me një person të quajtur F. L., në të cilat, gjyqtari mësohet se ka përdorur “fjalë të zhargonit të rëndomtë”, teksti i të cilave sugjeronte “kërcënim” dhe “ndikim të paligjshëm”. E gjitha kjo ishte bërë për punësimin e bashkëshortes së gjyqtarit në Prokurorinë e Pukës. Izet Kadana mohoi të kishte ndërhyrë për punësimin e bashkëshortes, por krejt ndryshe u shpreh vëzhguesi i ONM. Sipas tij, ky është rasti më flagrant i abuzimit me detyrën.

Seanca e parë e KLP

Teksa KPK ka një javë të ngarkuar me punë, Këshilli i Lartë i Prokurorisë nga ana tjetër do të zhvillojë sot mbledhjen e parë, duke e thelluar akoma më shumë reformën në drejtësi. Sipas informacioneve, mbledhja do të mbahet në orën 11:00 në ambientet e ish-KLD. Mbledhja do të drejtohet nga juristja më e vjetër jo prokurore Nurihan Meta. Pika e parë e rendit të ditës është miratimi i rregullores për zgjedhjen e kryetarit dhe nënkryetarit të KLP. Sipas ligjit, kryetari duhet të jetë në radhët e anëtarëve jo magjistratë, ndërsa nënkryetari nga radhët e ish-prokurorëve. Më pas KLP do të miratojë vendimin deklarues mbi datën e krijimit të Këshillit. Ndërsa dy pikat e tjera janë hedhja e shortit për caktimin e anëtarëve jo prokurorë dhe prokurorë që do të shërbejnë me një mandat tre vjeçar.

Mimoza Ibra

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here