Euro nuk ndalet/ Shënon rekordin e ri, me sa u këmbye sot

0
676

Monedha e përbashkët nuk po njeh të ndalur në tregun e brendshëm. Euro u këmbye sot me 123.08 lekë, 0.06 lekë më pak se një ditë më parë, duke njohur vetëm rënie që nga data 27 nëntor.

Vetëm në dhjetor, euro ka humbur 1.25 lekë, duke u këmbyer tashmë në nivelin më të ulët që nga tetori i vitit 2008.

Në krahasim me fillimin e vitit, euro ka humbur 11 lekë, me një nënçmim prej 8.2%. Kjo është rënia më e fortë vjetore që prej vitit 2004 (shih grafikun).

Rënia e euros, në një kohë që në bursa ajo është relativisht e fortë, po tërheq edhe dollarin. Monedha e gjelbër u këmbye sot me 107.93 lekë, duke rënë me 0.25 lekë. Jo vetëm dollari, por të gjitha monedhat e tjera sot shënuan rënie ndaj lekut, sipas kursit zyrtar të Bankës.

Ekspertët e agjencive valutore pohojnë se disa janë arsyet e kësaj tendence të nënçmimit të euros.

-Së dyti është oferta e shtuar në euro, burimet e hyrjes së të cilës të paktën në tremujorin e tretë nuk justifikohen zyrtarisht.  Në tremujorin e tretë, deficiti i llogarisë korente, sipas statistikave zyrtare ishte minus 146 milionë euro, nga minus 143 milionë euro të njëjtën periudhë të një viti më parë, ndërkohë që euro me zor u stabilizuar afër 126 lekëve, pas shumë ndërhyrjeve të Bankës së Shqipërisë në qershor-gusht  dhe nisi rënien që  kur Banka e la sërish kursin e lirë. Edhe në tremujorin e parë deficiti korente ishte në përkeqësim dhe vetëm në të dytin ai u përmirësuar, çka nënkupton se në Shqipëri po hyn jo zyrtarisht një sasi e lartë eurosh në gjendje të ndikojë kursin. Në një raport të fundit të MONEYVAL, mekanizimi i Këshillit të Europës kundër pastrimit të parave, vihej në dukje lidhja mes korrupsionit dhe organizatave kriminale për pastrimin e parave. Raporti konstatonte se “Sektori i lojërave të fatit (përmes kërcënimit të infiltrimit kriminal në pronësi dhe në aktivitet) dhe sektori i pasurive të paluajtshme shihen që kanë një rrezik të madh për pastrimin e parave”.

-Së dyti, një faktor që po ndikon prej muajsh është niveli i ulët i qarkullimit të monedhës vendase. Ky fakt konfirmohet dhe nga statistikat e Bankës së Shqipërisë, sipas të cilës, paraja gjithsej në ekonomi, ndryshe agregati M3 shënoi rënie gjatë muajit tetor në raport me tetorin e vitit 2017, duke u tkurrur me 1.2 miliardë lekë ose -0.10%. Krahas ofertës së shtuar të eurove në tregun e lirë (niveli i të cilave nuk matet dot nga Banka e Shqipërisë), qarkullimi i ngadaltë i lekut vlerësohet nga ekspertët si një nga arsyet kryesore që po forcon monedhën vendase përtej pritshmërive.

-Së treti, në dhjetor gjithnjë janë të pranishme efektet sezonale, me rritje të ofertës së euros, që këtë vit sipas ekspertëve  po shoqërohet në kahun e kundërt me më pak qarkullim të lekut për shkak të konsumit të dobët dhe një stepjeje që është krijuar nga protestat e vazhdueshme dhe bllokimet e rrugëve. Monitor

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here