Veprat muzikore të gjashtë kompozitorëve të njohur shqiptarë erdhën në një mbrëmje koncertore në Akademinë e Shkencave. Një koncert, që solli për të pranishmit një krijimtari muzikore të pasur, jo vetëm vepra me të shkruara ndër vite, muzikë filmash, por dhe premiera botërore në një natë. Me veprat e kompozitorëve Feim Ibrahimi, Aleksandër Peçi, Haig Zacharian, Thomas Simaku, Vasil S. Tole dhe Endri Sina interpretuan pianistja e njohur Etrita Ibrahimi, Igli Rapaj dhe Herta Cane. Koncerti erdhi dhe si mbyllje për festivalin ndërkombëtar “Pianodrom”, që gjatë disa javëve ka sjellë në skenë artistë të ndryshëm shqiptarë dhe të huaj. Kompozitori i njohur Haig Zacharian shprehet se ky koncert edhe pse ishte në kuadër të “Pianodrom”, merr vlera sepse vetëm dy mbrëmje në vit bëhen koncerte të tilla. “Këto koncerte janë shumë mirë që zhvillohen. Ne nuk bëjmë shpesh koncerte të tilla. Ky është koncerti i dytë që bëhet me veprat e kompozitorëve pas atij të Romancës Shqiptare. Edhe kjo mbrëmje ka disa vepra, ka dhe premiera dhe është dhe në mbylljen e festivalit “Pianodrom”, por me muzikë ndër vite si dhe premiera”, shprehet kompozitori Haig Zacharian. Më tej ai shton se shumë pak bëhet për të promovuar krijimtarinë muzikore shqiptare. “Ne i kemi thënë problemet që kemi ne me krijimtarinë muzikore. Bëhet pak për muzikën shqiptare, koncerte të tilla duhet të zhvillohen dhe më shumë pasi ndihmojnë dhe krijuesit dhe për muzikën është shumë më mirë”, pohon kompozitori Haig Zacharian mes të tjerave për koncertin, që u zhvillua mbrëmë në sallën e Akademisë së Shkencave për publikun e pranishëm që mirëpriti veprat e autorëve shqiptarë. Programi muzikor përmbante Endri Sina “Gjoleka djali i Abazit”, (nokturn nga kolona zanore e filmit me të njëjtin titull), Haig Zacharian muzika e filmit “Dora e ngrohtë”, Feim Ibrahimi “Pylli i lirisë” kolona zanore e filmit me të njëjtin titull. Thomas Siaku me “Limage oubliee d’apres Debussy” premierë shqiptare në piano Etrita Ibrahimi, (Aalbanian Folk Song) “My Beatiful Morea”, që erdhi si premierë botërore po nga kompozitori Simaku, një pjesë për violinë, violonçel dhe piano, Alba Metaj, Herbert Ahmetaj dhe Etrita Ibrahimi. Por programi përmbante dhe veprat muzikore nga Vasil Tole me “Bach Pentatonic” dhe Amen”, vijon me kompozitorin Aleksandër Peçi me Sonata nr. 9 “Aliene” në 1 kohë si premierë botërore, në piano Igli Rapaj, por dhe Sonata nr. 10 “Voyage de l ame” si premierë botërore në piano Herta Cane.
Kompozitori Thomas Simaku
Kompozitori i njohur Thomas Simaku u prezantua me vepra premierë në këtë koncert. Ai vijon një aktivitet të vlerësuar ndërkombëtar me krijimtarinë e tij. Simaku studioi midis viteve 1978-1982 në Institutin e Arteve të Shqipërisë, dega Muzikë, në klasën e profesorit Tonin Harapi. Muzika e Simakut është e njohur në të gjithë Mbretërinë e Bashkuar dhe Evropë, si dhe në Amerikën e Veriut, Australi dhe në Lindjen e Largët. Në vitin 1995 vepra e tij Epitaf for String Orchestra u zgjodh nga juria ndërkombëtare për Ditët Botërore të Muzikës ISCM në Gjermani, muzika e parë muzikore shqiptare që do të përfshihej në këtë festival prestigjioz. Më pas, veprat e Simakut janë përzgjedhur nga juria ndërkombëtare në Ditët Muzikore Botërore. Festivale të tjera ndërkombëtare ku është luajtur muzika e tij, përfshijnë Bienalen e Muzikës Zagreb, Tangleëood, Avignon, Miami, Cagliari, Klang Spectrum (Austri), Viitasaari (Finlandë), Innsbruck (Austri), Odense (Danimarkë), Manchester, York, Birmingham, de Tirana ndër të tjera. Në tetor 2013, Simaku u ftua të mbajë një leksion në Festivalin e 5-të Ndërkombëtar të Muzikës Bashkëkohore Pharos në Nikozia, Qipro, mbi gjenezën dhe proceset e përfshira në ciklin e tij Soliloquy. Transmetimet e muzikës së tij përfshijnë ato nga Radio-France, BBC-Radio 3, Australian Broadcasting Corporation (ABC), radio stacione austriake, polake, kroate, daneze, portugeze, greke, suedeze, rumune, zvicerane dhe islandeze.
Nga Julia Vrapi





































