Google search engine
Home Aktualitet U financuan nga biznesmeni për të parë “El Clasico-n”, Krimet e Rënda...

U financuan nga biznesmeni për të parë “El Clasico-n”, Krimet e Rënda i rikthejnë prokurorisë dosjen ndaj 3 gjyqtarëve

0
847

Në Gjykatën e Krimeve të Rënda u mbajt dje seanca paraprake ndaj tre gjyqtarëve të Apelit të Durrësit, të cilët do të gjykohen nga kjo gjykatë me akuzën e korrupsionit. Në seancën e djeshme togat e zeza të krimeve pasi u njohën me dosjen ndaj gjyqtarëve Klinton Spahiu, Petrit Ceno dhe Petrqa Dhimitri vendosën që këto dosje t’ja rikthejnë sërish organit të akuzës. Gjykata mori këtë vendim me argumentin se akuza duhet të kryejë hetime të tjera më të thelluara ndaj tre gjyqtarëve. Pas këtij vendimi të marrë në seancën e djeshme nga togat e zeza të krimeve të rënda ndaj kolegëve të tyre, Prokuroria do ta rijetoj sërish dosjen dhe më pas do ja dërgojë sërish për gjykim gjykatës. Gjyqtarët u vunë në hetim pasi dyshohet se paratë e një biznesmeni kanë para derbin Real Madrid-Barcelona katër vite më parë. Kujtojmë se organi i akuzës të krimeve të rënda, rreth një muaj më parë ka mbyllur hetimet ndaj gjyqtarëve të Durrësit, duke dërguar dosjen për gjykim. Krahas tyre në gjykim u dërgua edhe biznesmeni Namik Sadiku, i cili akuzohet se ka paguar udhëtimet e tyre jashtë vendit, për të parë një ndeshje futbolli në Spanjë. Për këto përfitime, sipas Prokurorisë, ata kanë dhënë një vendim civil në favor të biznesmenit Namik Sadiku. Gjyqtarët e Apelit të Durrësit do të rijetohen për akuzën e “Korrupsion pasiv të gjyqtarëve, prokurorëve apo punonjësve të tjerë të Drejtësisë”, ndërsa biznesmeni akuzohet nga prokuroria për akuzën e “Korrupsion aktiv të gjyqtarëve, prokurorëve apo punonjësve të tjerë të drejtësisë” të parashikuar nga neni 319 I Kodit Penal. Rasti që po hetohet nga Prokuroria e Krimeve të Rënda implikon gjyqtarët e Apelit të Durrësit me biznesmenin Namik Sadiku dhe ka të bëjë me një çështje gjyqësore midis këtij të fundit dhe ish-ortakut të tij, Oliver Ushina. Nga hetimet e deritanishme të Prokurorisë rezulton se gjyqtarët dhe biznesmeni, Namik Sadiku, të kenë udhëtuar jashtë vendit dhe parë ndeshjen e futbollit Real Madrid-Barcelona në tetor 2014, ndërkohë që kishin një proces të hapur me palë pikërisht me këtë biznesmen. Konflikti gjyqësor lidhet me ndërtimin e hotelit 10 katësh të Sadikut në plazhin e Durrësit, në zonën e Shkëmbit të Kavajës. Sadiku ishte paditur nga ish ortaku i tij në ndërtimin e kompleksit, Oliver Ushina, prej shkurtit të vitit 2012, ku pas udhëtimit këta gjyqtarë dhanë vendimin në favor të Sadikut. Kujtojmë që në shkurt të këtij viti tre gjyqtarët u pezulluan nga KLD.

Hetimet e prokurorisë

Sipas prokurorisë, me ardhjen e letër-porosisë nga autoritet spanjolle dhe ato italiane rezulton se tre gjyqtarët kanë udhëtuar nga Shqipëria drejt Italisë dhe më pas Spanjës për të parë derbin “El Clasico” mes Barcelonës dhe Real Madridit. Prokuroria ka kërkuar ndihmën e drejtësisë italiane për të marrë në Napoli dëshminë e shtetasit Ferdinando Mollo, i cili ka pranuar se kishte për vizitë në vilën e tij katër persona, dy prej të cilëve nuk i njihte. Episodi i dytë i prokurorisë, sërish u referohet udhëtimeve në të njëjtën kohë dhe në të njëjtën orë me avion i tre gjyqtarëve së bashku me biznesmenin, ndërkohë që biletat janë prerë sërish tek e njëjta kompani udhëtimi dhe përsëri numrat e prerjes janë të njëpasnjëshëm. Nga hetimet, thotë prokuroria, tre gjyqtarët kanë udhëtuar për të parë ndeshjen e futbollit në Madrid mes Reali dhe Barcelonës. Sërish prokuroria i ka kërkuar ndihmë drejtësisë spanjolle për të zbuluar vendin ku ishin akomoduar tre gjyqtarët. Drejtësia spanjolle i thotë prokurorisë se gjyqtarët kishin qëndruar në dhoma dyshe që janë paguar nga këshilltari i ambasadës shqiptare në Spanjë, shtetasi Fatjon Pula me vlerën e 441 euro. I njëjti punonjës i ambasadës, Fatjon Pula, ka paguar edhe dhomën e biznesmenit, i cili fillimisht ka rezervuar të njëjtin hotel me gjyqtarët dhe më pas është zhvendosur në një hotel prej 346 euro nata. Por, pavarësisht se rezulton të ketë paguar dhomat e gjyqtarëve, këshilltari i ambasadës ka mohuar të kishte njohje me ta, ndërkohë që ka pranuar të ketë paguar dhomat e biznesmenit. Prokuroria thotë se gjatë kësaj kohe biznesmeni ka komunikim telefonik aktiv me trupën e gjyqtarëve, por për Krimet e Rënda këto nuk mund të konsiderohen prova që mund ta bindin atë se gjyqtarët kanë dhënë një vendim të padrejtë. “Pas këtij udhëtimi tre gjyqtarët janë shprehur me vendim në favor të qytetarit Namik Sadiku, cili edhe i kishte blerë biletat e udhëtimit dhe pagesat e hotelit në Spanjë”, thuhet në dosjen e prokurorit Klodian Braho.

Elvis Myrta

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here