Lojtarët e rinj të Kombëtares kuqezi patën një paraqitje fantastike në javën që lamë pas, sepse siguruan një nivel të lartë prezantimi dhe lanë gjurmë me veprimet apo me golat e tyre. Janë Rei Manaj, Fiorin Durmishaj, Liridon Latifi, Eros Grezda, Myrto Uzuni, Kastriot Dermaku, Xhakomo Vrioni, Kamer Qaka, Frederik Veseli, Taulant Seferi e shumë të tjerë që patën një fundjavë të mirë dhe morën notë të lartë për lojën dhe kontributin 4e tyre në skuadrat ku luajnë. Paraqitje të mira por jo në nivel maksimal patën dhe dy lojtarët e dalë nga Superiorja, si Kristal Abazaj e Sindrit Guri, që aktivizohen në kampionatin belg.
Abazaj “ringjallet”, me Anderlehtin i vijnë shanset
Anderlehti po vijon të zhgënjejë në kampionatin belg. I pari që u sakrifikua për këto rezultate, ishte trajneri Hein Vanhaezebruk i cili menjëherë pas humbjes ndaj Serkle Bryzh u shkarkua nga puna. Megjithatë, ai arriti të linte një shenjë në ndeshjen e fundit me Anderlehtin, duke se pikërisht në atë ndeshje i dha 20 minuta lojë Abazajt duke debutuar me fanellën e Anderlehtit. Sulmuesi shqiptar u transferua në kampionatin belg gjatë merkatos së verës por pa arritur të debutojë deri më tani dhe vetë trajneri shprehej për mediat se nuk e ka në plane.Megjithatë, golat e shënuar nga Abazaj me të rinjtë, duket se kanë rikthyer besimin te trajneri që e grumbulloi dhe e lejoi që të debutojë. Në përfundim të ndeshjes, ai tha edhe fjalë të mira për të. “Abazaj bëri mirë këtë ndeshje. Është një lojtar shumë premtues”, u shpreh Hein Vanhaezebruk.
Grezda, një yll në ngjitje tek Gllasgou Rejnxhërs
Sulmuesi i krahut i Kombëtares kuqezi, Eros Grezda, ishte të dielën një ndër lojtarët më të mirë në fushën e lojës për Rejnxhërs, duke e ndihmuar të sigurojë një sukses 1-0 ndaj Hemilton që mban skuadrën e tij në kreun e renditjes të kampionatit skocez të futbollit. Grezda la shenjën e tij në këtë duel që në minutën e 3-të, kur pas një aksioni të tij në krahun e majtë, topi përfundoi te Kandeias i cili e dërgoi në rrjetë. E megjithatë, në fund të sfidës ai nuk ka qenë plotësisht i lumtur me atë që kishte dhënë në fushën e lojës dhe ka bërë autokritikë për pasaktësinë para portës. “Mendoj se jemi pak të pakënaqur me paraqitjen që kemi bërë. Duhej të kishim “vrarë” ndeshjen më shpejt dhe mund të kishte ndodhur që brenda 10 minutave të para me një gol të dytë. E nisëm mirë dhe nëse do ta kishim bërë këtë gjë, do të kishte qenë më e lehtë për ne. Unë pata dy raste dhe mund të kisha reaguar më mirë, por ky është futbolli dhe nëse nuk do të shënosh sot, duhet të vazhdosh, pasi e di që mundësi të tjera do të të shfaqen. Gjuajtja e parë u devijua nga portieri ndërsa te e dyta ishte një reagim i mirë i tij. Mendoj se nëse do të kisha shënuar, aty do të ishte mbyllur ndeshja”, theksoi futbollisti shqiptar për faqen e klubit. Sot ai luajti në krahun e majtë, siç luante zakonisht në përfaqësuesen shqiptare, ndërsa kishte në mbështetje Borna Barisiç, me të cilin ka luajtur bashkë te Osijek. “Të gjithë e kanë parë sot se luajmë mirë bashkë, e njohim mirë njëri-tjetrin, Për të dhe për mua është më e lehtë dhe ai po më tregonte çfarë të bëja në pjesën e parë. Mund të luaj edhe me të tjerë, por mendoj se njoh Borna më mirë”, vijoi sulmuesi kuqezi. Ndërkohë, sa i përket golit, Grezda theksoi se ishte e gjitha meritë e praktikës që kishte bërë në stërvitje vazhdimisht nën urdhrat e Xherard. “Ishte një lëvizje e mirë dhe kjo është ajo që praktikojmë gjatë gjithë kohës në stërvitje. Jam i lumtur që dhashë atë kros. Daniel ishte në vendin e duhur për të shënuar”, vijoi lojtari. “Është e rëndësishme kur je në kreun e renditjes, por na mbeten edhe katër ndeshje të tjera të rëndësishme deri në ndërprerjen e kampionatit. Duhet që të japim 100% në çdo ndeshje dhe të luajmë sikur të jenë finale”, tha ai.
Adriatik BALLA