Liga Profesioniste hodhi dje rrënjë me hedhjen e hapit të parë që u mor në zyrat e FSHF-së, për mbledhjen e firmave dhe miratimin e krijimit të një organizate që do të marrë në dorë frenat e futbollit elitar, gjithmonë brenda kontureve dhe statutit apo rregulloreve të FSHF-së. Dhe dje, në një mbledhje ku morën pjesë të gjithë palët, u mor vendimi i madh. Në fakt, mbledhja ishte iniciativë e klubeve të Superiores, për të përfunduar procesin e krijimit të Ligës profesioniste, e cila përfundoi me sukses dhe u vendos krijimi i Ligës. U bënë zgjedhjet për drejtuesin e saj me konsensus të të gjitha klubeve. Do të jetë zoti Edvin Libohova drejtuesi i Ligës. Tani Liga duhet të regjistrohet sipas rregullave dhe procedurave juridike dhe do të fillojë aktivitetin e saj, për të marrë në dorë administrimin, organizimin dhe mirë-menaxhimin e aktivitetit të Superiores. Për këtë çështje foli dhe kreu i federatës, Armand Duka. “Në konceptin tim, ajo çka është kryesorja, duke qenë me interes të një grupi më të ngushtë se federata e Futbollit, do i shohë më mirë, do t’i menaxhojnë më mirë, do të kujdes më mirë ndoshta për të rritur imazhin e këtij produkti të përbashkët, për ta mbrojtur më shumë dhe për t’i diskutuar dhe zgjidhur problemet e tyre në tavolinë dhe jo jashtë saj. Të gjitha të drejtat e menaxhimit të aktivitetit të Kategorisë Superiore do t’i ketë Liga. Të drejtat e emrit, të drejtat e marketingut, të drejtat televizive etj”, theksoi Duka. Më pas ai komentoi disa probleme që do të lindin me gjykimin. “Komisionet juridike dhe Komisionet e arbitrave janë një dhe nuk mund të ketë komisione paralele, por gjithsesi Federata do i japë akses Ligës që të kontrollojë 100% ato çka kanë lidhje dhe interesa të garës tyre. Të gjitha duhet të miratohen nga Asambleja e Futbollit, e cila do të mblidhet në gjashtë mujorin e parë të vitit e ardhshëm. Në statut do i propozohet Asamblesë që gjithmonë presidenti i Ligës të jetë dhe anëtar i Komitetit Ekzekutiv dhe zëvendëspresidenti i Federatës së Futbollit”, shtoi Duka.
Olsi Rama entuziast për formimin e Ligës
Drejtori sportiv i Partizanit, Olsi Rama, e komentoi me ngjyra ndezëse marrjen e vendimit për krijimin e Ligës Profesioniste. Madje ai komentoi pozitivisht edhe zgjedhjen e Edvin Libohovës si president i saj. “Nuk patëm ndonjë vështirësi, ne kishim sjellë disa mendime në projektin e paraqitur, të cilat u diskutuan dhe u panë me vëmendje, pasi gjithçka duhet të bëhet konform dispozitave të rregullave të UEFA-s dhe FIFA-s. Liga do të jetë një shoqatë që do të anëtarësohet në Federatë dhe të gjitha, duke nisur nga statuti dhe akti i themelimit duhet të jenë konform rregullores së UEFA-s, pasi ne nuk mund të bëjmë gjëra ndryshe nga se janë rregulloret që më pas mos të pranohen nga instancat më të larta. U gjet një gjuhë e përbashkët, për të pasur një organizim sa më efiçent në të ardhmen. Presidenti nuk ishte një propozim i imi, ishte edhe i të tjerëve. Zoti Libohova ka qenë i ngarkuar si nismëtar. Në statut ishte parashikuar që të mos ketë persona nga klubet, për arsye se në situatën ku ne jetojmë mund të krijonte një ngërç në raportet me klubet e tjera. Duke qenë se është një person që e njeh futbollin, ishte propozimi më i natyrshëm për të filluar këtë punë”, u shpreh Rama. Më pas drejtori i Partizanit komentoi çështjen e arbitrave dhe të drejtës televizive, duke qenë optimist se me Ligën këto gjëra do të bëhen më serioze dhe më efikase. “Në përgjithësi kishin të bënin me garantimin e një dige që do të funksiononte në mënyrë sa më të pavarur nga FSHF, duke marrë parasysh ato kanale që i lidhin në mënyrë organike me Federatën. Është komisioni i arbitrave, i cili sipas propozimeve që u bë do të ketë imput nga Liga dhe nga disenjatori që do të caktohet. Këto janë gjëra që do të sqarohen më pas nga një marrëveshje që do të bëjë Liga me Federatën. Ideja është që Liga të ketë ndikimin e vet, duke caktuar dizenjatorin, i cili do të caktojë gjyqtarët për ndeshjet e Ligës. Një nga elementët kryesor të organizimit të Ligës është ideja për të marrë të drejtën komerciale dhe një prej tyre është e drejta televizive. Të ketë një sponsor gjerman, çka do të ndihmonte në arkën e çdo ekipi”, përfundoi Rama.
Adriatik BALLA